Bllokohen 11 kompani karburantesh dhe gjobiten 21 të tjera

104

Makinat vazhdojnë të furnizohen me karburante të cilësisë së dobët në vendin tonë nga disa subjekte. Lidhur me këtë fenomen Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial (ISHTI), ka realizuar inspektime lidhur me cilësinë e naftës, benzinës dhe gazit që ofrojnë karburantet. Pas inspektimeve të realizuara gjatë muajit maj në pikat e tregtimit me pakicë dhe shumicë të karburanteve, janë gjobitur 21 subjekte, nga të cilat 2 për mungesë dokumentacioni dhe 19 për tregtim të karburanteve dhe nënprodukteve jashtë standardit. 

Sipas burimeve zyrtare të ISHTI-së, gjithashtu u bllokuan 11 pika në të gjithë Shqipërinë, pasi u gjetën me mungesa dokumentacioni, tregues të lartë të përmbajtjes së squfurit dhe të pikës së flakërimit. Përveç 11 karburanteve të bllokuar, ISHTI ka vendosur gjoba nga 150 mijë deri në 4 milionë lekë për 21 karburante të tjerë. Ndër bizneset e gjobitura dhe të bllokuara, janë “Gejdi” Babrru, “Genklaudis” Vrrinë, “Bolv Oil” Sh.a Grizë, “Euro Petrol” Durrës, “Albania Sh.a” Porto-Romano, “Sami-L” Sh.p.k. Bërzhitë, “Veizaj” Sh.p.k. Kreshpan, “Klodi” Sh.a Ndroq, “Ledio Oil”, Gjiri Lalzit.

Nga ky inspektim janë bllokuar aktivitetet firmave të shitjeve me pakicë për mungesë dokumentacioni si “Montenegro OIL” Sukth, “Alesio Oil” Velmisht, “Kosta” Peqin,
“Kuarta” Kamëz, “Kurum International”, Bradashesh, “Kerni” Shkoder, “Europetrol” SHA Porto Romano, “Klodi”, “Genklaudis”, “Bolv-Oil”.