Blerja e Tirana Bank nga Balfin shkakton shqetësime për konkurrencën

574
Sigal

Autoriteti i Konkurrencës miratoi shitjen e Bankës së Tiranës te grupi Balfin SHPK dhe banka maqedonase Komercijalna Banka AD Skopje me kushte, për shkak të shqetësimeve për rrezikun e kufizimit të konkurrencës.

Banka e Tiranës, banka më e vjetër tërësisht private në Shqipëri, u shit gushtin e kaluar nga pronarët e mëparshëm, banka e Pireut për 57 milionë euro, por transaksioni u miratua me kushte nga Autoriteti i Konkurrencës në Shqipëri. Blerja e Bankës së Tiranës nga grupi Balfin dhe Komercijalna Banka është transaksioni më i madh i shënuar në tregun bankar shqiptar që prej një decade, por lidhja e një grupi me aktive të konsiderueshme në sektorë të ndryshëm të ekonomisë shqiptare si Balfin me pronësinë e një banke tregtare ngriti shqetësime për ndikim të mundshëm indirekt në konkurrencën e shërbimeve bankare në vend. Balfin ka aktivitet në industrinë e nxjerrjes së kromit, në atë të përpunimit të kromit, në tregti dhe në sektorin e pronave të patundshme. Për këtë arsye, Autoriteti i Konkurrencës e miratoi transaksionin me katër kushte, ndërsa i rekomandoi Bankës së Shqipërisë të mbikëqyrë grupin Balfin dhe ta trajtojë atë si “aktivitete të lidhura me sistemin bankar, pavarësisht objektit të veprimtarisë së tyre”. Kushti kryesor i vendosur nga konkurrenca është që Banka e Tiranës “Të mos ushtrojë veprimtari bankare ose financiare, me dhe në përfitim të personave të lidhur”, ndërsa bankës i kërkohet të mos vendosë në pozitë të pafavorshme biznese të tjera klientë të saj. Autoriteti vendosi gjithashtu që të mbajë nën monitorim për një periudhë njëvjeçare sjelljen në treg të këtij operatori.

Banka e Tiranës ka qenë një nga bankat më të rëndësishme në Shqipëri gjatë dekadës 2000-2010, kohë kur në Shqipëri u zhvillua për herë të parë tregu i kreditit, falë nivelit të lartë të kapitalit dhe agresivitetit në tregun e kredisë. Në vitin 2009, kjo bankë kontrollonte afro 10% të aseteve dhe 13% të tregut të kreditit. Ajo humbi terren përballë konkurrentëve më të mëdhenj gjatë viteve që pasuan ndërsa vitin e kaluar dispononte 5.3% të aseteve të sistemit bankar dhe 3.8% të tregut të kreditit. Tetorin e kaluar, aksionerët ekzistues vendosën pakësimin e kapitalit të bankës me afro 29 milionë euro. Kapitali i bankës pas ndryshimit është 108 milionë euro. Tregu i bankave ka përjetuar ndryshime të mëdha gjatë dy viteve të fundit në Shqipëri, ku një pjesë e bankave janë shitur te aksionerë të rinj apo janë blerë nga operatorë ekzistues. Numri i operatorëve, i degëve dhe i të punësuarve në këtë sektor është në rënie. Në shkurt të vitit të kaluar, banka NBG e Shqipërisë u shit te ABI Bank por vlera e transaksionit nuk u bë publike. Në qershor 2018, një bankë tjetër, Veneto Banka, u ble nga Intesa San Paolo. Veneto ishte një nga bankat më të vogla në sistem me vlerë asetesh prej 210 milionë eurosh. Në vitin 2017, aktiviteti i saj u mbyll me humbje në masën 10.4 milionë eurosh sipas të dhënave të Shoqatës së Bankave. Intesa e mori Veneto Banka përmes një marrëveshjeje bashkimi. Gjergj Erebara