Blerja e shtëpive, bllokohen kreditë në euro

942
BSH ndryshon rregulloren. Individët që marrin pagat në lekë nuk do të marrin dot hua në valutë. Si prekemi nga kursi i këmbimit dhe plani për të frenuar shitjet në euro
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, sqaroi dje strategjinë e Bankës së Shqipërisë për të ulur përdorimin e euros në vend. “Procesi i de-euroizimit nuk është luftë ndaj euros, por stimulim për përdorimin e monedhës kombëtare për të rritur fleksibilitetin e politikës monetare”, tha Sejko. Ai ka sqaruar dhe masat konkrete që po merren. Së pari, sipas tij, është shtuar transparenca, për t’iu bërë të ditur individëve dhe bizneseve se cili është rreziku, që kanë ndaj procesit, kur të ardhurat dhe depozitat i kanë në euro. Së dyti, vlerësoi guvernatori i BSH-së ka ndryshuar raporti i rezervës së detyrueshme, duke favorizuar lekun. Më konkretisht, përcaktohet rritja e normës së rezervës së detyrueshme për detyrimet në valutë në nivelin 12.5% (ishte 10%), dhe ulja e saj për detyrimet në lekë në nivelin 7.5% (ishte 10%). Për bankat ku detyrimet në valutë zënë më shumë se 50% të detyrimeve totale, vetëm për vlerën e ndryshimit pozitiv, norma e rezervës së detyrueshme në valutë rritet në 20%. Në afatgjatë, tha Sejko synohet të orientohet likuiditeti drejt monedhës kombëtare. Ky orientim nuk pritet të krijojë probleme në balancën e sistemit bankar. “E kemi të qartë që ekonomia ka marrëdhënie biznesi import-eksport dhe shumë shkëmbime bëhen në euro. Ne do t’u rekomandonim atyre ata që janë në këtë proces të vazhdojnë kështu. Synimi ynë është orientimi i sistemit financiar”, tha Sejko. Ai shtoi se kanë pasur sugjerime nga Banka Qendrore Evropiane për të ndjekur procesin e de-euroizimit, sepse kanë parë që disa shtete kanë humbur shumë nga zhvlerësimi i monedhës kombëtare.

Shitja e shtëpive dhe kreditë 
Aktualisht mallrat e qëndrueshme, si shtëpi e makina shiten me euro. Guvernatori Sejko pranoi se euroizimi është i lartë, sepse përdoret gjerësisht në disa transaksione të tilla, si pasuritë apo makinat. “Për momentin nuk kemi bërë të detyrueshëm kryerjen e pagesave në lekë për këto. Do ta analizojmë dhe nëse do ta shohim që niveli i euroizimit në ekonomi do të ketë ekspozim më të madh në euro, do të marrim masa”, tha ai. Ky është momenti i duhur për të orientuar këtë politikë, u shpreh guvernatori. “Ky grup masash vjen në kuadër të një reforme në sistemin financiar, siç ishte ajo e politikës monetare stimuluese dhe uljes së kredive të këqija. Duke qenë se kemi gjendje stabël ekonomike dhe masat e tjera kanë rezultuar të suksesshme, mendojmë se është koha për të stimuluar monedhën vendase. Pikërisht për synimin e integrimit në BE, ne duhet të forcojmë monedhën vendase dhe ekonominë. Ekspozimi ndaj kursit të këmbimit dhe ecuria e tij do ta cenonte situatën makroekonomike ndaj na duhet të marrim masa parandaluese”, tha Sejko. Guvernatori shtoi se është e vështirë të vlerësohet se sa janë humbjet në nivel ekonomie nga përdorimi i lartë i euros dhe kursi. “Ne kemi një regjim të lirë këmbimi dhe nuk e llogarisim dot. Por është e sigurt që stabiliteti financiar do të prekej nëse do të kishim zhvlerësim të monedhës kombëtare. Ai sjell në vëmendje dy raste në Shqipëri: vitin 1997 dhe në momentin e krizës globale financiare të vitit 2008. Sot, pjesa më e madhe e kredisë së keqe është nga klientë që e kishin kredinë në euro dhe të ardhurat në lekë. Kjo duhet të minimizohet si ekspozim. Ndërsa FMN ka vlerësuar se rezerva valutore humbet 6 miliardë lekë në vit”, tha ai. Sejko nënvizoi se Banka do të monitorojë ekonominë reale. “Ne do shohim nëse do na duhet të marrim masat për transaksione që në mënyrë të panevojshme kryhen në euro”, u shpreh kreu i BSH-së. Kjo reformë, tha ai, do të kërkojë vite, por dhe integrimi në BE do të kërkojë vite. “Kemi gjykuar ta nisim këtë reformë me tre masa që në një pjesë janë edukative dhe për të orientuar bilancet e bankave”, u shpreh Sejko. Banka do të publikojë një raport 6-mujor për nivelin e euroizimit në vend, ku do të bëhen publike aktivet dhe pasivet sipas monedhës dhe pagesat. Sejko parashikon që efektet e kësaj strategjie të ndihen në harkun kohor të 3-5 viteve. Lidhur me kursin, Sejko tha se këto janë masa që nuk ndikojnë. Psikologjikisht mund të ketë një interes më të madh të eksportuesve por edhe individëve që kanë të ardhurat në euro apo remitanca. “Këto janë masa rregullatore dhe nuk prekin kursin sepse ai caktohet nga regjimi i lirë”, tha guvernatori. Sejko shtoi se në afatgjatë, mund të ketë një shtrenjtim të kredisë në euro, por jo në afatshkurtër. Dhe shtrenjtimi i saj do të varet më shumë nga masat e Bankës Qendrore Evropiane.

Të ardhurat në lekë, jo kredi në euro
Nëse keni të ardhura në lekë, do të jetë e vështirë që të merrni një kredi në euro. Teksa Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë një plan masash, të shoqëruar me fushatë të gjerë, për të ulur përdorimin e euros në ekonomi, ndryshimet e rregulloreve prekin dhe klientit. Në një ndryshim të fundit të rregullores “Mbi transparencën për produktet dhe shërbimet bankare e financiare”, është shtuar përmbajtjen e mëposhtme: “Në rastin kur klienti aplikon për një kredi në monedhë të ndryshme nga ajo në të cilën gjeneron të ardhurat, dhe kur banka vlerëson se kapacitetet e tij për t’u mbrojtur nga rreziku i kursit të këmbimit janë të pamjaftueshme, banka i ofron klientit, si alternativë, një kredi të krahasueshme në monedhën në të cilën gjenerohen të ardhurat e tij”. Edhe më parë bankat i këshillonin klientët e tyre që të marrin huanë në monedhën që e kanë kredinë, por tashmë kjo sanksionohet dhe në rregullore. Kreditë në valutë, sidomos ato në euro, kanë qenë të preferuara vitet e fundit nga klientët, për shkak të interesit relative më të ulët sesa me lekun dhe faktit që mallrat e qëndrueshme si shtëpi apo makina shiteshin në euro. Por, në momentin që i kanë të ardhurat në lekë, kjo i lë të ekspozuar ndaj rrezikut të zhvlerësimit të lekut. Psh, të gjithë ata që morën një kredi në euro para vitit 2008 janë përballur me humbje, pasi nga rreth 127 lekë në 2005-n, euro u forcua për të arritur në 140 lekë në periudhën 2008-2015 dhe vetëm vitin e fundit ka zbritur në kuotën e 133-135 lekëve. Pra një klienti që kishte marrë hua në euro dhe të ardhurat i kishte në lekë, me një këst 400 euro në muaj në vitin 2005 i duheshin 50,800 lekë, në vitin 2008 rreth 56,000 lekë dhe aktualisht rreth 53,600. Duke qenë se kredia, sidomos ajo për shtëpi është afatgjatë deri në 20 vjet, rreziku me të cilin përballen kredimarrësit nga huaja në valutë kur i kanë të ardhurat në lekë është i lartë. Banka e Shqipërisë ka bërë publike se kredia e pambrojtur (kur të ardhurat janë në monedhë të ndryshme me atë që ke kredinë) është në rreth 26% të totalit.
Ndryshimi
“Në rastin kur klienti aplikon për një kredi në monedhë të ndryshme nga ajo në të cilën gjeneron të ardhurat dhe kur banka vlerëson se kapacitetet e tij për t’u mbrojtur nga rreziku i kursit të këmbimit janë të pamjaftueshme, banka i ofron klientit, si alternativë, një kredi të krahasueshme në monedhën në të cilën gjenerohen të ardhurat e tij”
Sigal