Biznesi i vogël: Sot ulim qepenat për protestë

1150
Dyqanet do të ulin qepenat. Biznesi i vogël dhe i mesëm ka paralajmëruar se do të nisë sot grevën e paralajmëruar rreth dy javë më parë. Nga ora 10 deri në 12 përfaqësuesit e Shoqatës së Biznesit të Vogël thonë se do të mbyllin sipërmarrjet e tyre për të kundërshtuar përfshirjen në skemën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. “Greva bëhet për uljen e taksave dhe tarifave për biznesin e vogël, sepse janë të papërballueshme dhe po çojnë në falimentim mijëra e mijëra biznese. Greva bëhet për përmirësimin e klimës për të bërë biznes në vendin tonë. Greva është fillimi protestave, por nëse nuk anulohet TVSH nga qeveria, greva do të përshkallëzohet”, u shprehën drejtuesit e shoqatës së biznesit të vogël. Shoqata e Biznesit të Vogël ka përllogaritur që brenda vitit 2018 rreth 50 mijë biznese do të mbyllen. Për këtë arsye i kërkuan kryeministrit Edi Rama të tërhiqet nga vendimi. Pagesa e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar prej 20% për bizneset që qarkullojnë më shumë se dy milionë lekë në vit ka nisur nga 1 Prilli. Tatimet kanë përllogaritur se numri i sipërmarrjeve që përfshihen në skemë është 11 mijë e 500, por konsulentët fiskalë mendojnë se shifra është më e lartë. Ndërkohë, mbeten edhe rreth 60 mijë sipërmarrje që do të jenë nën vëzhgimin e rreptë të tatimeve për të evituar që të ketë abuzime apo mbyllje fiktive, në mënyrë që të evitohet pagesa e TVSH-së. Në mënyrë të vazhdueshme biznesi e ka kundërshtuar përfshirjen në TVSH-së, duke deklaruar se do të mbyllje në masë të sipërmarrjeve të vogla, që në pjesën më të madhe janë aktivitete familjare. 

Nuk merren parasysh për llogaritjen e qarkullimit:
a) furnizimet e aktiveve materiale dhe jomateriale të personit të tatueshëm, që konsiderohen si aktive të investimit dhe nuk mbahen me qëllim për t’u shitur;
b) vlerat e përfituara nga veprimet financiare të parashikuara në nenin 53, si dhënia dhe negocimi i kredive, si dhe menaxhimi i kredive nga ana e kredidhënësit, negocimi i çdo marrëveshje tjetër në garantimin e kredive ose çdo sigurim tjetër për paratë, transaksionet, përfshirë negocimin lidhur me veprimet e këmbimit, llogaritë e depozitave, llogaritë rrjedhëse, furnizimin e likuiditeve nëpërmjet pagesave, transfertave marrje-dhëniet e borxhit, përveç shërbimit të mbledhjes së borxhit, transaksionet, përfshirë negocimin lidhur me valutën, kartëmonedhat apo monedhat e përdorura si mjete ligjore pagese, me përjashtim të monedhave dhe të kartëmonedhave për koleksion, që do të thotë monedha ari, argjendi apo monedha të tjera metali ose kartëmonedha që nuk përdoren normalisht si mjet ligjor pagese ose monedha që paraqesin interes numizmatik, transaksionet, përfshirë negocimin, por jo menaxhimin apo ruajtjen, në aksione kuota, pjesë në shoqëri apo shoqata, në obligacione dhe tituj të tjerë, përveç dokumenteve që vendosin titull mbi mallrat dhe të drejtat apo titujt, menaxhimi i fondeve të investimeve, në kuptim të ligjit për sipërmarrjet e investimeve kolektive të cilat nuk krijohen si rezultat i kryerjes së veprimtarisë ekonomike, por janë veprime aksesore;
c) vlerat e përfituara nga veprimet mbi pasuri të paluajtshme, të cilat nuk krijohen si rezultat i veprimtarisë ekonomike kryesore, për të cilën personi i tatueshëm është regjistruar. 
Sigal