Bizneset VIP çojnë në gjykata tatimet, për fryrje taksash

430

VIP-at dynden në Gjykatë kundër Tatimeve, nuk bien dakord me vlerësimin e detyrimeve

Kompani private dhe publike që kategorizohen tek tatimpaguesit e mëdhenj kanë regjistruar në seri, padi kundër Drejtorisë së Tatimpaguesve të Mëdhenj duke kundërshtuar vlerësimet tatimore të bëra nga kjo administratë. Në një ditë pranë Gjykatës Administrative të Apelit janë regjistruar të paktën pesë çështje që kanë si palë të paditur Drejtorinë e Tatimpaguesve të Mëdhenj. Kështu së pari bie në sy çështja e Kurum International sh.a, e cila kërkon shfuqizim të pjesshëm të një vlerësimi tatimor që lidhet me TVSH-në për dy vite 2017-2018 në masën 422 milionë lekë. Po kështu Kurum kërkon detyrimin e palëve të paditura t’i konsiderojnë të rregullta të gjitha faturat tatimore të shitjes me TVSH të lëshuara kundrejt Kurum International Sh.a, për shumën e Tatimit Mbi Vlerën e Shtuar për vitin 2017 -2018 në shumën totale 422.793.068 Lekë. Një tjetër kompani që ka çuar në Gjykatë Drejtorinë e Tatimpaguesve të Mëdhenj është “Victoria Invest International” d.sh.h. Kjo e fundit ka kërkuar rishikimin e disa aspekteve si rivlerësim të TVSH-së, penalitete, ulje kreditim tatimfitim, si dhe ulje humbje. Listës i bashkohet edhe kompania Shpresa -Al shpk e cila kërkon që në vlerësimin e at tatimor të pakësohet detyrimi nga 3 milionë lekë në 1 milionë lekë, rimbursimin e shumës në masën 1.911 678 Lekë si shuma e pagueshme e detyrimit dhe interesave/garancia në kuptim të nenit 107 të ligjit 9920, date 19.05.2008 Për procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë i ndryshuar si dhe pagimin e shpenzimeve gjyqësore. Dy të tjerat janë kompani publike ku e para është kompania e nxjerrjes dhe prodhimit të naftës Albpetrol e cila kërkon nga Drejtoria Rajonale Tatimore e Tatimpaguesve te Mëdhenj Tiranë shfuqizimin e një vendimi që ka të bëjë pikërisht me një vlerësim tatimor të korrikut të vitit të shkuar. I dyti që ka bërë padi ndaj Tatimeve është Radio Televizioni Shqiptar, ent shtetëror ku edhe ai kundërshton vlerësimin tatimor dhe kërkon rimbursim të 77 milionë lekëve./Monitor