Bizneset që shitën dhe blenë aksione në vitin 2018

692
Sigal

Sipërmarrjet në Shqipëri janë në përgjithësi zotërime familjare dhe pronësia nuk shënon ndryshime të mëdha ose kalon brenda familjes. Gjithsesi nuk kanë munguar transaksionet e shitblerjes edhe në vitin 2018, ku më tipiket ishin në sistemin bankar dhe në shërbimin spitalor privat.

“Evita”, kompania që zotëron 85% të “DiaVita”, koncesionari i hemodializës, është zgjeruar më tej në tregun e farmaceutikës. “Evita” bleu 50% të aksioneve të një prej distributorëve farmaceutikë më të mëdhenj në vend, “Pharma One”. Transaksioni u realizua në qershor të vitit 2018, nga aksioneri Ben Petani, i cili ka shitur gjysmën e kuotave të tij për 50 milionë lekë (rreth 390 mijë euro).

Në maj të vitit 2018, Mihal Duni ka kaluar 40% të aksioneve që zotëronte te kompania “Gjikuria” te Florenc Gjikuria. Ky i fundit ka rritur kuotën e aksioneve në 64%. Çmimi i shitjes së kuotave ishte 2.5 milionë lekë. Aksioneri tjetër është Milo Gjikuria, me 36%.

“Hygeia” u shit te spitali amerikan, në gusht 2018 për 1 euro plus borxhet. Ndryshoi emrin në shtator në “International Hospital”. Edhe në vitin 2018, humbjet vijuan rritjen, duke arritur në 481 milionë lekë.

Ndryshime kanë ndodhur sërish në pronësinë e shoqërisë së distributorëve të produkteve farmaceutike, “Megapharma”. Në shtator 2018, janë larguar ortakët Petraq Gramo (3.4%) dhe Arba Merkoçi (e bija, me 30%) dhe blerësit ishin Rasim Hamzaraj dhe Robert Çina, të cilët rritën kuotat e tyre në 50% secili. Transaksioni ka pasur një vlerë totale prej 2 milionë eurosh, sipas kontratës së shitblerjes. Më pas, në tetor, Rasim Hamzaraj i ka transferuar kuotat e tij te Monika Hamzaraj për 60 mijë lekë.

“Das Oil”, me aktivitet në tregtinë me pakicë të naftës. E hapur në vitin 2015 dhe me rritje të shpejtë të aktivitetit, duke shënuar 2.4 miliardë lekë të ardhura në 2018-n, ka ndryshuar aksioner së fundmi. Në gusht 2019, Hysen Balla ka shitur 100% të aksioneve te Dritan Xhokaxhi për 1.14 milionë lekë.

Bankat: 2018-a ka qenë i rëndësishëm për konsolidimin e sistemit bankar, teksa u finalizuan disa marrëveshje të rëndësishme

Në tetor 2018 u miratua procedura e bashkimit me përthithje, ku shoqëria “Banka Amerikane e Investimeve” përthithi shoqërinë “Banka NBG Albania Sh.a.”, për një shumë rreth 25 milionë eurosh.

Po në tetor, “Intesa Sanpaolo Bank Albania” njoftoi se procesi i Bashkimit me Përthithje të “Veneto Banka” është finalizuar nga pikëpamja ligjore dhe operacionale. Duke nisur nga 1 tetori 2018, “Veneto Banka” është fshirë nga Regjistri Tregtar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ndërsa “Intesa Sanpaolo Bank Albania” ka mbartur të gjitha asetet, të drejtat e detyrimet, si dhe marrëdhëniet me klientët, të cilët shërbehen tashmë nga një rrjet i njëjtësuar degësh bankare dhe sistemi operimi.