Bizneset e vogla në TVSH, tatimet shpjegojnë se çfarë ndodh tani

Rreth 11.500 biznese të vogla në të gjithë vendin, duke filluar nga 1 prilli kanë hyrë në skemën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Bëhet fjalë për të gjitha ato subjekte që realizojnë një qarkullim vjetor mbi 2 milionë lekë të vit. Duke u përfshirë në TVSH, këta tatimpagues ngarkohen me detyrimin që të fillojnë të mbajnë inventar, të marrin faturë tatimore për çdo blerje që bëjnë nga shitësit me shumicë apo prodhuesit direkt, si dhe të fiskalizojnë kasën. “Do të duhet të bëjë kujdes, të ketë faturë për çdo mall që blen, të lëshojë faturë për çdo mall që shet, të lëshojë kupon tatimor për çdo mall që shet për konsumatorin final, kaq është e gjithë historia tani për tani. Administrata tatimore i ka të gjitha kapacitetet, të gjitha mundësitë që të menaxhojë të gjithë procesin si duhej”, shprehet Xhavit Curri, nëndrejtor i përgjithshëm i Tatimeve. Deklarimin e parë, bizneset që do përfshihen në TVSH do të duhet ta bëjnë në korrik, pasi do të jetë çdo tre-muaj. Duke filluar nga korriku i këtij viti, ata do të duhet të plotësojë deklaratat e tyre të TVSH-së, do të duhet të plotësojnë librat e tyre të shitjes dhe blerjes. Është një proces jo shumë i ndërlikuar. “Tashmë biznesi është familjarizuar me këtë mënyrë deklarimi sepse listë-pagesat gjithashtu deklarohen një herë në tre muaj siç do të deklarohet dhe tatimi mbi vlerën e shtuar”, deklaron Curri. Por ka pasur edhe nga ato biznese që kanë kaluar në status pasiv për t’i shpëtuar përfshirjes në TVSH-së. Curri shpjegon se tatimet janë në gjendje të konstatojnë çdo ndryshim. “Duke kaluar në pasiv mund të zgjidhë situatën sepse, edhe duke qenë pasiv ai mund të regjistrohet për TVSH. Në momentin që do të riaktivizohet si biznes, sigurisht që do të duhet të veprojë si çdo biznes tjetër i regjistruar për TVSH”, shpjegon numri dy i tatimeve. Bizneset e vogla e kanë kundërshtuar përfshirjen në skemën e TVSH-së, me pretendimin se do të ndikojë në rritjen e kostove, të cilat më pas do reflektohen në çmimin fundor për konsumatorët.