Binomi: Banka – biznes, në një marrëdhënie të vështirë

912
Sigal

Aktiviteti i bankave në Shqipëri është vënë në presion pasi dy shërbimet themelore, kreditë dhe depozitat, janë me rënie këtë vit, duke sinjalizuar një perspektivë jo shumë të mirë në fushën e biznesit bankar. Zakonisht, aktiviteti i bankave shkon paralel me zhvillimet në ekonominë reale, kur rritet Prodhimi i Brendshëm Bruto, zakonisht rriten edhe kredia, edhe depozitat. Por ky vit ka bërë zhvendosje nga ky trend, pasi ekonomia po rritet pa kreditim, ndërsa pozicioni i kursimeve në banka ka rënë.Në 6-mujorin e parë PBB-ja u rrit me ritmet 4.3%, ndërsa kredia për ekonominë ra me 3.1%, nga ana tjetër stoku i depozitave në sistem pësoi rënie 1.7%. Në një vrojtim që Banka e Shqipërisë ka bërë për gjendjen financiare të bizneseve gjeti se, procesi i huamarrjes nga bankat vlerësohet midis nivelit “normal” dhe “i vështirë”, ndërsa rëndësia e marrëdhënies me bankat vlerësohet midis nivelit “e rëndësishme” dhe “e domosdoshme”, për të tre grupet e ndërmarrjeve

Bizneset e mëdha kërkojnë më pak kredi, rrisin depozitat

Stoku i depozitave ka pësuar rënie në gjysmën e parë të vitit, teksa bizneset i kanë shtuar kursimet në banka, një sjellje kjo e pazakontë për shkak se bizneset përgjithësisht likuiditetet e lira i riinvestojnë dhe, nga ana tjetër, kanë ulur më tej kërkesën për kredi. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në raportin e Stabilitetit Financiar në gjashtëmujorin e parë të vitit 2018, kredia për biznesin aktualisht zë 64% të tepricës së kredisë, kundrejt 66% një vit më parë (dhe 70% në 2014). Banka sqaron se, tkurrja në kredinë për bizneset reflekton kërkesën e dobët të bizneseve për kredi, të reflektuar në pakësimin e kredisë së re për këtë sektor, shtrëngim të kushteve të kredidhënies nga ana e bankave për kategori të caktuara klientësh dhe kredish, si dhe masat e marra nga bankat për uljen e stokut të kredive me probleme, në të cilin mbizotërojnë kreditë për biznese. Gjatë periudhës korrik 2017–qershor 2018, bankat kanë fshirë nga bilancet e tyre një total prej 6.4 miliardë lekësh kredi biznesi të klasifikuara si “të humbura”. Rënien më të madhe në terma vjetorë e ka regjistruar kredia për biznese, kredia në valutë dhe kredia afatshkurtër dhe afatmesme. Gjatë 12 muajve të fundit janë fshirë nga bilanci i sektorit bankar 7.6 miliardë lekë kredi. Nëse do të përfshiheshin kreditë e fshira, tkurrja vjetore e kredisë do të ishte 1.2%. Në mungesë të mbiçmimit të kursit të këmbimit, gjatë periudhës, teprica totale e kredisë do të ishte rritur në terma vjetorë me 0.5%. Në stokun e kredisë për bizneset, përqendrimi te bizneset e vogla dhe të mesme, është rritur përgjatë harkut kohor njëvjeçar. Peshat e kredisë për këto biznese janë ngjitur përkatësisht në 21.8% dhe 23.2% të totalit të kredisë për bizneset, ndërsa pesha e kredisë për bizneset e mëdha u ul në 55%. Gjatë periudhës, biznesi i vogël dhe ai i mesëm kanë vijuar të rrisin peshën e kredisë afatshkurtër, ndërsa biznesi i madh është orientuar drejt kredisë afatgjatë. Sipas monedhës, vërehet se biznesi i vogël dhe ai i mesëm kanë ulur peshën e kreditimit në monedhë vendase në favor të asaj të huaj; ndërsa, biznesi i madh ka zgjeruar kredinë në lekë. Nga ana tjetër, bankat po përballen me një rritje të pazakontë të depozitave të biznesit të cilat në gjashtëmujorin e parë u rritën me 4.7% (llogaritë rrjedhëse (me 2.7%) dhe depozitat pa afat (me 16%). Ekspertët e Bankës së Shqipërisë pohuan se rritja e depozitave në këtë kategori po vjen për shkak të përmirësimit të gjendjes financiare në kompanitë e mëdha.

 Vrojtimi i Bankës, bizneset e vogla dhe mesme në vështirësi

Vrojtimi i gjendjes financiare dhe huamarrjes së ndërmarrjeve kryhet prej tetë vitesh, me një frekuencë gjashtëmujore. Duke filluar nga gjashtëmujori i parë i vitit 2016, ky vrojtim është hedhur në terren me një kampion të zgjeruar prej rreth 1200 ndërmarrjesh të të gjitha përmasave, të shtrira gjeografikisht në të gjithë vendin dhe që kryejnë aktivitetin e tyre në sektorët kryesorë të ekonomisë. Gjatë pjesës së parë të vitit, bizneset raportojnë se problematikat lidhur me aksesin në financim dhe kostot e financimit kanë shënuar një rritje të lehtë në vlerësim për të gjitha madhësitë e ndërmarrjeve. Konkurrenca dhe gjetja e tregut konsiderohen si sfidat kryesore për aktivitetin e ndërmarrjeve, ndërkohë që problematikat lidhur me aksesin në financim dhe kostot e financimit kanë shënuar rritje të lehtë. Ecuria e shitjeve vijon të vlerësohet në rritje gjatë gjashtëmujorit të parë 2018, për ndërmarrjet e mëdha, por në rënie për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Në linjë me ecurinë e shitjeve, ndërmarrjet e mëdha kanë vlerësuar rritje të rezultatit financiar pozitiv gjatë periudhës. Ecuria pozitive e nivelit të shitjeve dhe e rezultatit financiar, është reflektuar edhe në zgjerimin e veprimtarisë së këtyre ndërmarrjeve, ku dhe ndërmarrjet e vogla dhe ato të mesme kanë pohuar rritje të investimeve të tyre. Pritshmëritë për ndërmarrjet e të gjitha madhësive paraqiten pozitive lidhur me shitjet, rezultatin financiar dhe zgjerimin e veprimtarisë, duke vijuar dhënien e sinjaleve optimiste për ecurinë e tyre në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme. Gjatë periudhës, më shumë se gjysma e totalit të ndërmarrjeve që i janë përgjigjur pyetësorit e kanë financuar veprimtarinë e tyre përmes shitjeve. Huamarrja, si burim më vete apo i kombinuar, është përdorur nga 21.1% e ndërmarrjeve të mëdha, 20.5% e ndërmarrjeve të mesme dhe 11.1% e ndërmarrjeve të vogla. Rreth 42.5% e totalit të ndërmarrjeve (473 ndërmarrje gjithsej) pohojnë që kanë një hua për të paguar. Kjo peshë ka mbetur thuajse e pandryshuar krahasuar me rezultatet e vrojtimit për gjashtëmujorin e dytë 2017 për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, ndërkohë që ka shënuar një rënie të lehtë për ndërmarrjet e mëdha. Rreth 88.2% e totalit të ndërmarrjeve huamarrëse deklarojnë se u janë drejtuar bankave për të siguruar hua. Kjo peshë arrin në 90.5% për totalin e burimeve formale (banka dhe institucione financiare jobanka). Rreth 74.2% e ndërmarrjeve huamarrëse të vogla, 77.2% e atyre të mesme dhe 79.5% e atyre të mëdha, e konsiderojnë të përshtatshëm nivelin e tyre të huamarrjes për financimin e veprimtarisë. Krahasuar me gjashtëmujorin e dytë 2017, kjo peshë rezulton më e ulët për ndërmarrjet e të gjitha madhësive. Huamarrja e ndërmarrjeve kryhet vetëm në monedhën vendase për 44.4% të totalit të ndërmarrjeve të vogla huamarrëse, 51.2% të ndërmarrjeve të mesme dhe 40.3% të ndërmarrjeve të mëdha. Huamarrja në monedhën europiane ka një peshë më të madhe për ndërmarrjet e mëdha, përkatësisht për 44.9% të tyre, duke tejkaluar atë të monedhës vendase. Kjo huamarrje zë 41.3% për ndërmarrjet e vogla, ndërsa për ndërmarrjet e mesme zë 36%. Huamarrja në dollarë amerikanë ka një peshë të vogël, duke mos i kaluar 7.9% të totalit (ndërmarrjet e vogla). Huamarrja e re, gjatë gjashtëmujorit, deklarohet nga 7.6% e ndërmarrjeve të vogla, 8.7% e ndërmarrjeve të mesme dhe 11.2% e ndërmarrjeve të mëdha. Procesi i huamarrjes nga bankat vlerësohet midis nivelit “normal” dhe “i vështirë”, ndërsa rëndësia e marrëdhënies me bankat vlerësohet midis nivelit “e rëndësishme” dhe “e domosdoshme”, për të tre grupet e ndërmarrjeve.

42% e bizneseve, me borxhe

Rezultatet e vrojtimit treguan se rreth 42.5% e bizneseve pohojnë se kanë një hua për të paguar në 6-mujorin e parë. Kjo vlerë, është pothuaj e njëjtë me atë të periudhës së kaluar. Pesha e bizneseve huamarrëse është më e lartë në sektorin e tregtisë (57.8%) dhe në sektorin e ndërtimit (48.5%). Vlera totale e huasë rezulton afërsisht sa gjysma e vlerës së kapitalit të ndërmarrjes për 80% të ndërmarrjeve huamarrëse. Të analizuara sipas madhësisë, rezulton që ngarkesa e borxhit është më e lartë te ndërmarrjet e mëdha, ku rreth 22.4% e tyre deklarojnë se vlera e huasë është e barabartë ose më e madhe se vlera e kapitalit. Duke i analizuar rezultatet e përgjigjeve sipas sektorëve, rezulton se sektori i industrisë ka peshën më të lartë të ndërmarrjeve që kanë një ngarkesë huaje mbi vlerën e kapitalit të ndërmarrjes. Pjesa më e madhe e ndërmarrjeve huamarrëse (75.3%) deklarojnë se pagesa e huasë arrin deri në 20% të të ardhurave të ndërmarrjes dhe kjo peshë ka rënë krahasuar me gjashtëmujorin paraardhës. Barra e pagesës së huasë duket se rëndon më tepër te ndërmarrjet e vogla, ku numri i ndërmarrjeve që raportojnë se kjo pagesë i kalon 20% të të ardhurave, zë rreth 30.3% të totalit të grupit. Për ndërmarrjet e mesme, kjo peshë është 23.1%, ndërsa për ato të mëdha 23.7%. Kërkesa për kredi nga ana e bizneseve, mbetet gjithashtu e moderuar. Sipas vrojtimit, më shumë se gjysma e totalit të ndërmarrjeve që i janë përgjigjur pyetësorit (50.3%) kanë deklaruar se nuk ka asnjë mundësi që të kërkojnë një kredi bankare në gjashtëmujorin e ardhshëm. Kjo peshë rezulton në rënie për të tre grupet e ndërmarrjeve. Ndërkohë, për të gjitha madhësitë ka një rritje të peshës së ndërmarrjeve që pohojnë se ka pak mundësi që të marrin një kredi në periudhën pasardhëse.monitor