Bien kambanat për bankat greke në Shqipëri

934
Sigal

 Testi i stresit nga Banka Qendrore Europiane. Bankat në Europë, 25 miliardë euro të munguara

2 nga bankat greke që operojnë në Shqipëri, NBG dhe Banka e Pireut që përfaqësohet nga Tirana Bank në vend, kanë dështuar në kalimin e testit të stresit. Banka Qendrore Europiane (ECB) publikoi të djelën rezultatet e testit të stresit për 130 banka të Bashkimit Europian. Rezultati është se 13 banka në eurozonë, përfshirë katër në Itali dhe dy në Greqi, nuk arritën ta kalojnë ushtrimin e provës dhe kanë nevojë të shtojnë kapitalin në total me 25 miliardë euro. Tek bankat italiane që nuk kaluan testin spikat “Monte Dei Paschi”, megjithëse asnjëra nga to nuk ka aktivitet në Shqipëri. Tek greket, 2 nga 3 bankat që dështuan janë të pranishme në Shqipëri, ato janë NBG dhe Banka e Pireut, ose Tirana Bank në Shqipëri. Nëse nuk do të arrijnë të shtojnë kapitalin në përmasat e kërkuara nga Bashkimi Europian, bankat që nuk kaluan testin e stresit do të mbyllen ose shiten. Është e qartë se me këto rezultate grupet bankare greke në Shqipëri do vazhdojnë të tkurren, përballë detyrimit për të arritur raportet e kërkuara të kapitalit me aktivet.

Përfundimet e testit të stresit nga ECB

Bankave në Europë u mungojnë 25 miliardë euro para, që do t’u duheshin për t’i mbijetuar një krize ekonomike ose financiare, tha Banka Qendrore Europiane (ECB) të dielën. Ky konkluzion ishte rezultat i një viti të gjatë auditimi të huadhënësve të eurozonës. ECB tha se 13 banka në Eurozonë, duke përfshirë katër në Itali dhe dy në Greqi, treguan mungesë të parave të tyre, ose kapitalit, pas një rishikimi që synonte të zbulonte problemet e fshehura dhe të testonte aftësinë e tyre për të përballuar një recesion të thellë, ose një tjetër krizë. Por, asnjë bankë e madhe europiane nuk dështoi në testin e Bankës Qendrore Europiane. Të 13 bankat ishin mes 25 bankave që Banka Qendrore i konstatoi me mungesë kapitali në fund të vitit 2013, që ishte periudha në shqyrtim. Por 12 bankat e tjera e kishin rritur tashmë kapitalin ose kishin bërë lëvizje të tjera për të përmirësuar rezultatet e tyre. Vlerësimi i shumëpritur i bankave europiane synonte të zbuste një hije dyshimi që kishte penguar huadhënien në vende si Italia dhe Greqia dhe i kishin vënë në vështirësi përpjekjet e eurozonës për të shmangur rënien sërish në recession. Duke ekspozuar një numër relativisht të vogël të bankave të sëmura (nga 130 që u morën në shqyrtim) Banka Qendrore synon ta bëjë më të lehtë për ato të shëndetshme të sigurojnë para, që ato të mund t’ua japin hua konsumatorëve. Italia ka numrin më të madh të bankave që nuk kaluan rishikimin evropian, me nëntë, nga të cilat katër duhet të rrisin kapitalin. Monte dei Paschi di Siena, telashet e të cilës janë të njohura, duhet të rrisë 2.1 miliardë euro, tha Banka Qendrore. Sistemi bankar grek u godit gjithashtu rëndë, me tre banka që u gjetën me mungesë kapitali. Një prej tyre, Piraeus Bank (Tirana Bank), ka rritur mjaftueshëm kapital, që prej kohës kur filloi shqyrtimi, për të kënaqur rregullatorët. Dy të tjerat janë Eurobank, që duhet të rrisë 1.76 miliardë euro dhe National Bank of Greece (NBG), që duhet të sigurojë 930 milionë euro. Por, Banka Qendrore Greke tha të dielën se për shkak se rishikimi i ECB-së nuk mori në konsideratë plane të ndryshme ristrukturimi që bankat kishin bërë që nga fundi i vitit 2013, Eurobank dhe National Bank of Greece janë në një situatë më të mirë sesa tregojnë shifrat.

Lista e bankave me mungesë kapitali, ose që i dështuan testit

 Liberbank – Spain Banco Popolare – Co-op & regionals Romagna, Milano, Sondrio, Vicenza – Italy Hellenic Bank – Cyprus Bank of Cyprus Caisse De Refinancement de l’habitat – France Banco Comercial Portugues Permanent TSB – Ireland Cajamar Bank – Spain National bank of Greece NCG Banco – Spain Eurobank – Greece Nova Kreditina – Slovenia AXA Bank Europe – Belgium unit of France’s AXA Dexia Bank – Franco/Belgium Muenchener – Germany Volksbanken – Austria Co-operative central bank – Cyprus Piraeus Bank- Greece Banco Monti Paschi – Italy Banca Carige – Spain Veneto Banca – Italy Nova Ljubljanska – Slovenia Banco Piçolo Credito Valtellinese – Italy

Qytetarët shqiptarë do mbajnë lekët poshtë jastëkut

 Shqiptarët do të fillojnë këndej e tutje të mbajnë paratë e tyre nën jastëk. Ky proces ka filluar të ndjehet tashmë, pasi ulja e ndjeshme e interesit të depozitave ka detyruar shqiptarët që të tërheqin paratë e tyre nga bankat, duke sjellë në këtë mënyre një rritje të fenomenit të parave jashtë kanaleve bankare. Duke iu referuar të dhënave të Bankës së Shqipërisë, shuma totale e parave që ka dalë jashtë bankës, në fund të 6 mujorit të parë të 2014-s, ka arritur në 197.5 miliardë lekë. Aktualisht, norma e interesit për depozitat vjetore në lekë ka arritur në rreth 2 %. Porse me hyrjen në fuqi të paketës së re fiskale në fillimvitin 2015, situata do të përkeqësohet akoma më shumë, pasi sistemi i ri i taksave do të prekë akoma më shumë qytetarët. Ndër të tjera pritet të rritet tatimi për fitimin e nga interesi i depozitave. Kështu, sot një qytetar i cili ka kursime në bankë paguan aty në formën e tatimit në burim taksën 10 % për interesat që fiton, tashmë kjo taksë do të bëhet 15%. Nëse marrim shembullin e një personi qe ka kursime në vlerën 1 milion lekë në bankë, ai fiton nga interesi mesatar që kanë bankat prej 2 %, 20 mijë lekë të rinj. Në këtë shumë, nëse shteti mbante tatim fitim 2 mijë lekë, tashmë do të mbajë 3 mijë lekë të rinj. Rritja e kësaj takse edhe e të tjerave janë rekomanduar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, në mënyrë që buxheti të sigurojë më shumë të ardhura.