Bie niveli arsimor, pakësohen personat me shkollim të mesëm

Studimi i INSTAT-it dëshmon rritje të të arsimuarve me 8-9 klasë dhe pakësim të atyre me 12 klasë 

Struktura e popullsisë në moshë pune ka ndryshuar në favor të nivelit të ulët arsimor. Sipas të dhënave të INSTAT-it, të arsimuarit me 8-9 vjet zunë 48.5% të popullsisë në moshë pune nga 15-64 vjeç, duke u rritur me gati 1 pikë përqindje në krahasim me vitin 2016. Gjithashtu vitin e kaluar numri i personave me arsim të mesëm ka pësuar ulje. Në totalin e popullsisë 15-64 vjeç, personat me arsim të mesëm zunë 36.3 për qind më 2016 nga 37.2 për qind që zinte kjo shtresë më 2015. Ndërsa personat me arsim të lartë ruajtën të njëjtën peshë gjatë 2015-2016, dukë zënë përkatësisht në secilin vit 15.3 për qind të popullsisë në moshe pune. Po sipas Institutit të Statistikës, në vitin 2016, rreth 30 për qind e të rinjve të moshës 15-29 vjeç nuk ishin as në punë, as duke ndjekur shkollën apo ndonjë formim profesional. Duke krahasuar të rinjtë që janë as të punësuar, as në shkollë apo trajnim profesional sipas gjinisë dhe statusit të tyre në tregun e punës, vihet re se meshkujt janë më aktivë në treg sesa femrat (50,6% e meshkujve janë në kërkim të një pune dhe të gatshëm për të punuar, ndërsa te femrat kjo përqindje është 28,4%). Por forca e punës më shumë se sa niveli arsimor po kërcënohet nga plakja e popullsisë. Pas një dekade, kur 50-vjeçarët e sotëm do të dalin në pension, forca e punës do të pësojë tkurrje të madhe duke bërë, që ekonomia e vendit të mos ketë përparësi në këtë drejtim. Këto zhvillime do të diktojnë shumë shpejt tendencat e konsumit dhe shpenzimeve publike. Shitjet me pakicë do të duhet të orientohen për shërbimet e moshave të vjetra, që nga ushqimet, veshjet dhe akomodimi, teksa shpenzimet e qeverisë nevojitet të zhvendosen nga shkollat tek qendrat e kujdesit social për të moshuarit. Të gjitha këto ndikime kanë zhbalancuar forcën e punës, ku mosha deri në 45 vjeç ka pësuar rënie të shpejtë. 

Paga mesatare, ndër më të ulëta
Shqipëria ka pagën më të ulët mesatare ndër më të ulëtat në Evropë, pa përfshirë vendet e ish-Bashkimit Sovjetik. Sipas të dhënave të përpunuara, bazuar në informacionet e marra nga FMN, Banka Botërore dhe institucionet përkatëse statistikore vendase, në Shqipëri, paga mesatare neto (pas taksave) është 347 euro në muaj (referuar të dhënave të tremujorit të parë 2017). Në këtë nivel, paga mesatare është më e ulëta në Evropë, me përjashtim të Bjellorusisë, Moldavisë dhe Ukrainës. Studimi i referohet të dhënave të INSTAT për pagën mesatare në sektorin shtetëror, që ishte 56,500 lekë në fund të tremujorit të parë, ndërsa të dhënat e tjera të INSTAT tregojnë se paga reale në ekonomi, përfshirë edhe sektorin privat është akoma më e ulët. Sipas INSTAT, Paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë sipas grup-profesioneve dhe gjinisë në fund të vitit 2016 ishte 45,845 lekë, pra rreth 334 euro bruto dhe 290 euro neto. Këtu ka ndikim edhe fakti që informaliteti i pagës në sektorin privat është shumë i lartë dhe një numër i madh subjektesh nuk deklarojnë pagën reale për të punësuarit e tyre. Në krahasim me një vit më parë, paga mesatare në ekonomi ra me 2.1% në vitin 2016. Edhe në Kosovë, paga mesatare neto është më e lartë se në Shqipëri, ajo luhatet në rreth 405 euro. Në rajon, pagën mesatare më të lartë e ka Mali i Zi, me 509 euro në muaj, e ndjekur nga Bosnjë Hercegovina me 439 euro, Bullgaria me 423 euro, Serbia 407 euro, Kosova 405 euro dhe Maqedonia 372 euro.