Bërja 0 % e tarifës doganore për naftën bruto, ligjëron kontrabandën

729
Sigal

Projektbuxheti 2015 pasuron kompanitë e huaja dhe varfëron qytetarët shqiptarë

Projektbuxheti i vitit 2015 penalizon qytetarët shqiptarë, ndërsa favorizon kompanitë e huaja. Kështu rritja e taksës së karburanteve 2 herë brenda vitit varfëron direkt xhepat e shqiptarëve, ndërsa
zerimi i taksës doganore të naftës, çon paratë në xhep të kompanive të huaja, që operojnë në tregun e hidrokarbureve. Sipas projektbuxhetit “Bërja zero për qind e tarifës doganore për naftën bruto nga 10% që është aktualisht, vjen si mbështetje e qeverisë në uljen e kostove të prodhimit të rafinerive në vend, për t’i dhënë një stimul fiskal këtij sektori, për vitin 2015, në synim rritjen e përpunimit të naftës bruto në vend dhe rritjen e prodhimit vendas për nënproduktet e naftës”. Aktualisht, sipas legjislacionit në fuqi, taksa doganore për kompanitë që importojnë naftë bruto, është 10 %. Porse ligji, me qëllim nxitjen e këtij sektori në vend, i jep të drejtë qeverisë të bëjë përjashtime për kompanitë në pagesën e taksave, me synim zhvillimin e projekteve të mëtejshme, rritjen e investimeve etj.. Bazuar mbi planet e tyre të zhvillimit, qeveria ua lehtëson punën, duke i lejuar që atë pjesë të karburantit për nevoja të investimit (procesi teknologjik), ta blejnë duke mos paguar taksa, më konkretisht TVSH, akcizë dhe taksë doganore. Bazuar mbi këtë të drejtë, kompanitë koncesionare që shfrytëzojnë vendburimet e naftës, sjellin planet vjetore të investimit dhe mbi këto parashikime, paraqesin në Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN) kërkesën për autorizimin e importit të naftës dhe benzinës pa taksa. Këto sasi karburanti janë të nevojshme për ciklin e punës te puset, përfshi furnizimin e gjeneratorëve etj.. Pra, janë të njohura nga shteti. Duhet thënë, se në vitet e fundit, kur nisi zbatimin ky përjashtim nga taksa, janë hedhur dyshime nëse sasia e karburantit të importuar pa paguar detyrimet tatimore shkon në të vërtetë për linjat teknologjike të investimet, apo hidhet në treg. Kështu mjafton një leje importi nga AKBN dhe gjithçka duket brenda rregullave.

 Skandalet e Bankers-it me naftën e importuar

Por, në fakt, në vitin 2013 “Bankers Petroleum është gjobitur 2 herë brenda vitit (një herë në janar dhe një herë në nëntor) nga administrata tatimore dhe doganore.

-Kështu inspektorët e tatimeve gjetën naftë D2 në treg, i ndaluar me ligj që në 2009-n, ndërkohë që mund të futet në Shqipëri vetëm për përdorim të kufizuar në disa industri. Këtu është gjetur shtegu për kontrabandë të ligjëruar në kurriz të konsumatorit. Kjo u zbulua nga Drejtoria Tatimore e tatimpaguesve të Mëdhenj gjatë një kontrolli pranë kompanisë “Bankers Petroleum Albania LTD”. Autoritetet konstatuan se kjo kompani nuk përdor naftën D2 sipas destinacionit të paracaktuar, (për disa makineri në puset e Marinzës), por e hedh atë në treg. Për këtë shkelje, tatimet e gjobitën Bankersin me 2,4 miliardë lekë. Porse konflikti midis tatimeve dhe Bankers shkoi dhe u shua në gjykatë, në favor të kompanisë kanadeze. Por, Gjykata u përqendrua në procedura për mospagesën e gjobës me argumentin se “me këtë çështje tani merret dogana”. Dhe nuk u mor fare me shkeljen, që nafta D2 hyn pa akcizë, pa taksa dhe shpërndahet nëpër pika karburanti, duke iu shitur konsumatorëve shqiptarë.

-Ndërsa gjoba e dytë për Bankers Petroleum ka ardhur në nëntor të 2013-s, kësaj here nga autoritetet doganore. Kompania kanadezë është gjobitur me 46 milionë lekë, me argumentin se ka përdorur naftë pa akcizë jashtë destinacionit. Me gjithë dëmin e pretenduar, vlera që duhej të paguante Bankers arrinte në mbi 69 milionë lekë. I menjëhershëm ka qenë reagimi i Bankers, duke e gjykuar gjobën doganore një rast flagrant dhe duke thënë se për rastin e pretenduar, disponon të gjitha autorizimet e lëshuara nga institucionet shtetërore, përfshirë DPD për përjashtimin e këtij lloji karburanti nga pagesa e akcizës. “Këtë të drejtë, Bankers ia garantojnë ligjet, marrëveshja koncesionare, aktet nënligjore dhe vendimet e formës së prerë të gjykatave”, thoshte reagimi zyrtar i kompanisë.

box

Doganat dhe Antikorrupsioni, vigjilent për destinacionin e naftës pa taksë

Qeveria me heqjen e kësaj takse për naftën bruto, vetëm sa ka hequr nga vetja rrezikun e futjes në ndonjë skandal korruptiv, siç edhe ndodhi vitin e kaluar me kompaninë kanadeze. Në këtë mënyrë, i ka lënë dorë të lirë kompanive të huaja që administrojnë nëntokën shqiptare, ndërsa dyshimi vazhdon të qëndrojë nëse ky karburant shkon në të vërtetë për linjat teknologjike të investimet, apo hidhet në treg. Veçse, nëse qeveria ka menduar të kontrollojë të gjithë procedurën e importit të naftës bruto. Janë Drejtoria e Tatimeve dhe Antikontrabanda, të cilat duhet të ushtrojnë kontrolle të vazhdueshme, pse jo dhe të shoqërojnë naftën bruto deri në destinacionin për të cilën është importuar, që të mos përsëritet kontrabanda e ligjëruar në kurriz të konsumatorit shqiptar.