Bar-kafenetë në prag të falimentimit

558
Sigal

Shqipëria, vendi i parë në botë për numrin e kafeneve në raport me popullsinë

Ngado që të hedhësh sytë nëpër rrugët e vendin tonë e ke të sigurt se do të hasësh grupe njerëzish të ulur në lokale, bar-kafe e restorante. Vajtja në kafe është bërë një tashmë prej vitesh një zakon i përditshëm i çdo qytetari shqiptar. Është e pashmangshme se një pjesë e mirë e ditës së çdo individi tek ne kalohet ulur nëpër lokale të ndryshme. Ky fakt e ka bërë Shqipërinë një nga vendet që ka numrin më të lartë të bar kafeneve në botë për sa i përket numrit të popullsisë, së bashku me Spanjën. Edhe pse mendimi i përgjithshëm është se ky lloj biznesi nuk do të vdesë kurrë, dhe se është një investim i sigurt biznesi, të dhënat e fundit të INSTAT tregojnë se për herë të parë në 2017-n, numri i bar-kafeneve ka ardhur në rënie. Në vend kishte gjithsej 14,217 bar-kafe, duke u ulur me 4%, ose në vlerë absolute kishte 602 bar-kafe më pak në vend. Kjo rënie shënohet për herë të parë që nga viti 2009, kur INSTAT raporton të dhënat. Në atë kohë në vend kishte vetëm rreth 8,600 bar-kafe, por numri i tyre u rrit me shpejtësi vit pas viti, duke arritur rekordin në 2016-n, me 14,820 të tilla, për të rënë vitin tjetër. Nëse bar-kafenetë po tkurren, e kundërta ndodh me restorantet, ku numri i tyre vijoi rritjen në 2017-n, duke arritur në 4,097, ose 131 më shumë, pas tkurrjes që kishte shënuar vitin e mëparshëm. Në total, numri i vendeve në bare e restorante ra me 10% në 2017-n, në raport me vitin e mëparshëm. Hapja e një bar-kafe, është parë gjithmonë si një formë e thjeshtë dhe e sigurt për të bërë para, dhe kjo reflektohet në shifrat e bizneseve në Shqipëri, ku nga rreth 107 mijë të tilla, bar-restorantet përbëjnë rreth 17% të tyre. Ndërsa “akomodimi dhe shërbimi ushqimor” kishte rreth 54 mijë të punësuar në 2017-n, ose rreth 13% të totalit, duke qenë sektori i tretë më i madh punësues, pas tregtisë me pakicë dhe shërbimeve. Arsyet që po sjellin këtë rënie të biznesit të lokaleve, mund të shpjegohet me shtimin e konkurrencës nga linjat e bar-kafeve që kanë punuar për krijimin e markës, duke tërhequr klientelën nga lokalet tipike të lagjeve.

Shqiptarët, kampionë të kafeve

Në vitin 2016, Shqipëria, kaloi Spanjën, si vendi me numrin më të lartë të bar-kafeve për banorë në botë, me 592 bar kafe për 100 mijë banorë, ose një bar-kafe për 169 banorë, sipas një studimi të fundit të BE. Në Evropë, pas Spanjës dhe Shqipërisë, për nivel të lartë baresh renditet edhe Qipro, me rreth 470 bare për 100 mijë banorë. Në Itali, sipas FIPE (Federazione Italiana Pubblici Esercizi) ka rreth 250 bar-kafe për 100 mijë banorë, apo gati sa gjysma e Shqipërisë.