Bankat të shqetësuara për rrezikun politik, përkeqësimin e ekonomisë dhe kursin e këmbimit

497
Sigal

Ekspertët e Bankës së Shqipërisë, gjatë prezantimit të Raportit të Stabilitetit Financiar 6-mujori i parë i 2019-s, e kanë vënë theksin në ngadalësimin e ekonomisë vendase. Sipas të dhënave të mëparshme të INSTAT, ekonomia u rrit në 6 mujorin e parë të vitit me 2. 2-2. 3%, nga mbi 4% në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Përgjysmimi i rritjes ekonomike shton rrezikun për sistemin bankar, vlerëson Banka. Ngadalësimi i rritjes shton rreziqet e tregut dhe për rrjedhojë mund të ndikojë në përkeqësimin e treguesit të kredisë me probleme. Nga ana tjetër, edhe rreziku i biznesit është rritur lehtë. Ndërsa vetë bankat janë të shqetësuar lidhur me rrezikun politik dhe atë të zhvillimit të ekonomisë së vendit. “Situata ende e paqartë politike është reflektuar në rritjen e nivelit të përgjithshëm të vlerësimit për rrezikun politik dhe rritjen e rrezikut të përkeqësimit të ekonomisë së brendshme nga niveli mesatar në 6 mujorin e parë 2018 në nivelin e lartë”, thuhet në raportin e bankës. Edhe rreziku i lidhur me luhatjet e kursit të këmbimit vijon të renditet midis rreziqeve kryesore sistemike (rritja e presioneve mbiçmuese të lekut kundrejt euros në fund të vitit 2018), por perceptimi mbi të është zbutur gjatë periudhës, duke u klasifikuar në nivelin i ulët. Megjithatë, sipas vlerësimeve të BSH, sektori bankar e ka zhvilluar veprimtarinë në mënyrë të qëndrueshme, rreziqet kanë qenë të kontrolluar dhe rezistenca financiare mbetet e mirë. Zhvillimet ekonomike ndërkombëtare janë më të pafavorshme dhe pritjet janë më më pesimiste, ndërkohë që dhe rritja ekonomike në vend është ngadalësuar. Tregjet financiare shfaqen pa ndryshime të rëndësishme, teksa normat e interesit mbeten të ulëta dhe kanë pasur tendencë në rënie. Cilësia e kredisë nuk ka ndryshuar gjatë periudhës. Raporti i kredive me probleme ra në 11. 2% nga 13. 6% që ishte në qershor të një viti më parë. Banka e Shqipërisë ndërkohë ka rishikuar rregulloren për fshirjen e kredive me probleme, ku tashmë ky proces do të realizohet kur kredia nuk kthehet për më shumë se 2 vite, jo tre vite siç ishte më parë. Shlyerjet dhe fshirjet kanë ndikuar me rënien në 45% të peshës së kredive të humbura në totalin e kredive me probleme. Pakësimi i stokut të kredive të humbura ka rezultuar në një rënie proporcionalisht më të lartë të fondit proviogjioneve (nga 64. 4% më ’06/18 në 62%) dhe mbulimit me kapital të KP neto; BSH vlerëson që procesi i fshirjeve mbetet i nevojshëm për të ulur më tej nivelin e kredive me probleme dhe për të çliruar burimet për kreditim. Për këtë qëllim BSH miratoi së fundmi kërkesën për fshirjen e kredive të humbura të klasifikuara si të tilla për më shumë se 2 vjet. Në tërësi, pavarësisht, prirjes pozitive të rënies së kredive me probleme, BSH vlerëson se bankat duhet të ruajnë fokusin në procesin e fshirjes së tyre.

 Sektori bankar me rezistencë të fortë ndaj rreziqeve

Banka e Shqipërisë vlerëson se rreziku i likuiditetit vlerësohet i ulët, ndërsa rezistenca financiare e sektorit bankar ndaj rreziqeve vlerësohet e fortë. Nga ana tjetër rreziku i tregut ka nevojë për monitorim të vazhdueshëm. Sistemi bankar vijon të ketë përfitueshmëri të lartë. Rezultati financiar (RF) ishte pozitiv (10. 5 mld lekë) dhe konsiderohet i lartë pavarësisht rënies në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rënia e fitimeve është ndikuar nga rënia nga rënia në të ardhurat neto nga interesat, që reflekton rënien në të ardhurat nga interesat. Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit mbetet i lartë (18. 5%) pavarësisht një rënieje të lehtë nga niveli prej 18. 7% në fund të vitit 2018. Rezistenca e sektorit bankar ndaj rreziqeve provohet edhe nga ushtrimet e provës së rezistencës, vlerëson banka.

Po qarkullon shumë valutë

Rreziku i likuiditetit në veprimtarinë e bankave mbetet i ulët, vlerëson banka. Raportet e aktiveve likuide në lekë dhe valutë ndaj detyrimeve a.sh. janë ndjeshëm mbi nivelet e kërkuara. Burimi kryesor i financimit mbeten depozitat që zënë mbi 80% të detyrimeve dhe mbulojnë rreth dy herë kredinë. Diferencat negative në afatin e maturimit midis aktiveve dhe detyrimeve në afatin e shkurtër, të ardhurat e konsiderueshme nga pesha e llogarive rrjedhëse dhe depozitat pa afat mbulohen në nivele të mira nga aktivet likuide të sistemit bankar. Prania e lartë e valutës në veprimtarinë e Sistemit Bankar, pavarësisht efektit pozitiv të thyerjes strukturore, tregon nevojën për monitorim të ecurisë së treguesve të rrezikut dhe për identifikimin e masave të tjera korrigjuese. Nga ana tjetër, kjo ecuri reflekton përdorimin e gjerë të valutës në ekonominë reale dhe përforcon nevojën për një angazhim konkret të autoriteteve të tjera publike në adresimin e këtij fenomeni, vlerëson banka