Bankat e huaja refuzojnë më shumë aplikime për kredi

592
Banka e Shqipërisë raporton arsyet e refuzimit dhe pse bankierët e huaj janë më skeptikë për ekonominë shqiptare. Rreth 58% e kredisë overdraft
Sigal

Bankat tregtare në Shqipëri kanë ndryshuar kurs, duke refuzuar më shumë kredi. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore “në totalin e aplikimeve të marra në shqyrtim gjatë periudhës, rezulton se rreth 11% e tyre janë refuzuar nga bankat, ndërsa 87% janë miratuar dhe 2% janë në proces shqyrtimi”.

Janë 11% e aplikimeve për kredi që janë refuzuar dhe norma e refuzimit është rritur krahasuar me gjashtëmujorin paraardhës dhe krahasuar me një vit më parë, duke devijuar prirjen rënëse të periudhës 2016-2017. Sipas BSH, rritja e normës së refuzimit gjatë periudhës është më e dukshme për kategoritë e “individëve” dhe të “ndërmarrjeve të tjera”, ndërkohë që për “Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme”, kjo normë ka pasur prirje rënëse.

Për të plotësuar kuadrin e analizave lidhur me ecurinë dhe prirjen e kreditimit bankar në vend ndaj sektorit privat, Departamenti i Stabilitetit Financiar në Bankën e Shqipërisë, ka mbledhur gjatë viteve të fundit të dhëna mbi numrin e aplikimeve për kredi të marra në shqyrtim prej tyre, të klasifikuara sipas statusit të shqyrtimit (aplikime të miratuara, të refuzuara dhe në proces shqyrtimi) dhe sipas llojit të klientelës (ndërmarrje të vogla dhe të mesme, ndërmarrje të tjera dhe individë).

Mbi bazën e të dhënave të bankave mbi numrin e aplikimeve për kredi, është analizuar ecuria e numrit të aplikimeve të bizneseve dhe individëve të marra në shqyrtim nga bankat gjatë periudhave përkatëse, si një tregues që përafron kërkesën e tregut për kredi bankare, si dhe është ndërtuar dhe analizuar norma e refuzimit të kredive (shkurt “norma e refuzimit”) për secilën periudhë, si një tregues i disponueshmërisë së sektorit bankar për t’iu përgjigjur kësaj kërkese. Kjo normë është llogaritur si raport i numrit të aplikimeve për kredi të refuzuara nga banka, ndaj numrit total të aplikimeve të marra në shqyrtim, gjatë periudhës përkatëse. Rritja e normës së refuzimit mund të sinjalizojë rënie të ofertës për kredi dhe shtrëngim të standardeve të kreditimit nga bankat.

Duke e analizuar normën e refuzimit të bankave të ndara në banka vendase dhe të huaja, rezulton se, gjatë viteve të fundit, kjo normë për bankat vendase ka qenë vazhdimisht më e ulët krahasuar me bankat e huaja, për të gjitha kategoritë e klientëve. Për 6-mujorin e dytë 2018, norma totale e refuzimit të aplikimeve për kredi nga bankat e huaja (ndaj totalit tw aplikimeve) ka mbetur e pandryshuar në nivelin 14% krahasuar me një gjashtwmujor më parë dhe disi në rritje krahasuar me një vit më parë. Sipas segmenteve të klientëve, këto banka kanë qenë më refuzuese ndaj aplikimeve për kredi të “individëve” dhe “ndërmarrjeve të tjera”, ndërkohë që kanë qenë më pranuese ndaj “Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme”.

Nga ana tjetër, norma e refuzimit të bankave vendase është rritur gjatë periudhës kundrejt të gjithë segmenteve të klientëve, por më e shprehur kundrejt segmentit të “individëve”. Në përgjithësi, nga analiza e mësipërme mund të arrihet në përfundimin se ecuria e numrit të aplikimeve të shqyrtuara nga bankat, gjatë vitit 2018, është disi më e ulët (2.2%) se ajo e një viti më parë. Preferenca e bankave për të kredituar ka rezultuar përgjithësisht në rënie kundrejt “individëve” dhe “ndërmarrjeve të mëdha”, dhe në rritje ndaj “ndërmarrjeve të tjera”, e diktuar kryesisht nga grupi i bankave të mëdha (G3) dhe atyre të vogla (G1).

Një koment për këtë ndryshim në sjelljen e bankave ndaj kredisë sipas kapitalit, vendas apo të huaj, ka bërë dhe ish-ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj. “Është interesante të shohësh që bankat me kapital shqiptar e kanë rritur kreditimin në masë të konsiderueshme. Bankat me kapital të huaj, e kanë marrë ‘me nge’. Pyetje e kam, por bankat me kapital shqiptar janë më pak të ndërgjegjshme për riskun? Bankat me kapital të huaj, janë më të sofistikuara në përllogaritjen e riskut në Shqipëri? Pyetje e kam, nuk e di, thjesht po ju them shifra që ky është fakti”.

Ulet dhe numri aplikimeve për kredi

Në gjashtëmujorin e dytë 2018 (1 qershor – 30 nëntor, 2018) rezulton se bankat e sistemit kanë marrë në shqyrtim gjithsej 49,426 aplikime për kredi, ku rreth 10% i përkasin sektorit të “ndërmarrjeve” (2,931 aplikime nga “Ndërmarrje të Vogla dhe të Mesme” dhe 1,958 aplikime nga “ndërmarrje të tjera”) dhe 90% i përkasin sektorit të “individëve” (44,537 aplikime).

Një lajm tjetër që tregon ritmin ngadalësues të rritjes ekonomike është rrudhja e numrit të aplikimeve për kredi kryesisht nga bizneset, të cilat kanë ulur ndjeshëm me 8.7% aplikimet. “Numri total i aplikimeve të marra në shqyrtim ka rezultuar në rënie me 3.7% krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar (1 dhjetor 2017 – 31 maj 2018), ardhur si nga segmenti i “ndërmarrjeve” (rënie gjashtëmujore me 8.7%) ashtu dhe nga segmenti i “individëve” (rënie gjashtëmujore me 1.6%)” bëhet e ditur nga BSH në raportin e fundit të stabilitetit financiar.

Në terma vjetorë, pra krahasuar me periudhën 1 qershor – 30 nëntor 2017, numri total i aplikimeve të marra në shqyrtim pothuaj nuk ka ndryshuar (rritje me vetëm 0.2%), ku brenda kategorive është vërejtur rritja e numrit të aplikimeve të individëve me 2.6% dhe rënia e numrit të aplikimeve nga ndërmarrjet me 17.4%. Përkatësisht rënie vjetore me 4% nga “ndërmarrjet e vogla dhe të mesme” dhe rënie vjetore me 31.7% nga “ndërmarrjet e tjera”.
Duke e analizuar normën e refuzimit sipas madhësisë së bankave (grupet bankare G1, G2, G3) dhe kategorive të klientëve, normat më të larta të refuzimit i kanë pasur bankat e vogla (G1) dhe të mesme (G2), për të tre kategoritë e klientëve. Gjithsesi, norma e refuzimit të bankave të mesme (G2) ka shfaqur prirje rënëse, duke u luhatur në vlerat 12-13% për të gjithë kategoritë e klientëve. Nga ana tjetër, norma e refuzimit për bankat e mëdha (grupi G3), është luhatur në vlerat 4-9% për të tre kategoritë e klientëve, duke shfaqur prirje të lehtë rënëse kundrejt dy grupeve të ndërmarrjeve dhe pritje rritëse për segmentin e “individëve”.

Rritet kredia e pambrojtur në valutë

Banka e Shqipërisë bën të ditur se mbiçmimi i kursit të këmbimit të lekut e ka ndikuar negativisht vlerën e raportuar të kredisë së pambrojtur në valutë. Vlerësohet që në mungesë të mbiçmimit të kursit të këmbimit të lekut, kredia e pambrojtur në valutë do të ishte zgjeruar gjatë periudhës afërsisht me 1.6%, krahasuar me tkurrjen prej 0.2%. Kredia e re dhënë nga sektori bankar, gjatë periudhës, shënoi vlerën 136 miliardë lekë, duke qenë 9.5% më shumë në krahasim me gjashtëmujorin e kaluar. Ecuria e kredisë së re është përcaktuar nga ecuria e fluksit të kredisë për bizneset, e cila gjatë periudhës ishte 11 miliardë lekë më e lartë. Rritja në kredinë e re dhënë bizneseve është vërejtur kryesisht në kredinë për blerje pajisjesh, kredinë për çelje biznesi dhe kredinë “overdraft”. Kjo e fundit zë peshën kryesore të kredisë së re për këto subjekte (58%).

Kredia e re për individët ra gjatë periudhës me 1.1%, ndikuar nga pakësimi i kredisë së re për blerje banese. Sipas monedhës dhe afatit të maturimit, kontributin kryesor në zgjerimin e kredisë së re, gjatë periudhës, e dhanë kredia në euro dhe kredia afatmesme. Kredia e re në dollarë amerikanë, e cila zinte 7% të fluksit të përgjithshëm të kredisë së re gjatë periudhës, u zvogëlua me 22%.

Norma e ponderuar e interesit për kreditë e reja të dhëna gjatë periudhës shënoi rritje të lehtë. Në dhjetor 2018, norma mesatare e peshuar e kredive të reja shënoi vlerën 5.7%, duke qenë rreth 0.1 pikë përqindje më e lartë sesa norma për kreditë e reja të dhëna në qershor 2018. Rritja në normat mesatare të interesit u shfaq kryesisht tek kredia në valutë (EUR dhe USD), dhe tek ajo për individët. Sipas monedhave, norma e peshuar e interesit të kredisë së re në lekë që shënoi 6.8% në dhjetor 2018, ishte më e lartë në krahasim me normat e interesit për kredinë e dhëna në euro dhe në dollarë amerikanë, të cilat në fund të vitit ishin përkatësisht 4.4% dhe 5.5%.

Norma e interesit për kredinë e re për individët vijon të mbetet më e lartë në krahasim me atë të kredisë për bizneset. Në muajin dhjetor të vitit 2018, norma e ponderuar e kredisë për individët shënoi vlerën 6.3%, nga 6% në qershor 2018. Në të njëjtën kohë, norma mesatare e kredisë së re për bizneset ishte rreth 5.6%, duke mos shënuar ndryshime ndaj normës mesatare të fundit të gjashtëmujorit të parë të vitit.