Teksa bankat dhe shoqëritë e mëdha të sigurimit dyshohet se po mundësojnë që klientët të sigurojnë jetën për huatë ose pronën vetëm në një vend, duke pasur sjellje abuzive me klientët, Autoriteti i Konkurrencës ka hapur procedurën e Hetimit Paraprak në tregun e ndërmjetësimit në sigurime nga bankat e nivelit të dytë. Vendimi ka ardhur pas informacionit nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, nëpërmjet shkresës nr. 1789 datë 18.05.2018 “Mbi inspektimin të ndërmjetësit në sigurime”, i cili konstaton se, kontratat e sigurimit të ndërmjetësuara nga Raiffeisen Bank SHA si ndërmjetës në sigurime gjatë vitit 2017 dhe 3 mujorit te parë të vitit 2018 janë lëshuar vetëm nga një shoqëri për sigurimin e jetës. Edhe një kompani, emri i të cilës nuk bëhet i ditur nga Konkurrenca, pretendon se një shoqëri e sigurimit të jetës “refuzon të transmetojë tek klientët e tyre edhe produktin e sigurimit të jetës për hua të shoqërisë XX SHA” duke mos i dhënë mundësi shoqërisë për të qenë konkurrues në produktet e sigurimit të jetës për huatë. Në zbatim të nenit 204, pika 5 e ligjit nr. 52/2014 “Për veprimtarinë e sigurimit dhe risigurimit”, AMF ka licencuar 4 banka në rolin e ndërmjetësit në sigurime; Raiffeisen Bank SHA, BKT SHA, Alpha Bank SHA. Tre bankat kryesore ne sektorin bankar, RB, BKT dhe BC, te cilat janë edhe ndërmjetës në sigurime, zotërojnë rreth XX % të vlerës së portofolit të kredisë për vitin 2017, duke qenë kredituesit më të mëdhenj të sistemit bankar. Dy prej tyre, Raiffeisen Bank  dhe BKT janë gjithashtu bankat të cilat janë objekt dyshimi dhe ankese për sjellje anti-konkurruese. Në produktin e sigurimit të jetës së debitorit, Raiffeisen Bank ka ndërmjetësuar rreth XX % të kontratave të nënshkruara me ndërmjetësimin e bankave, ndërkohë që BKT ka ndërmjetësuar  XX % të këtij shërbimi. Shoqëritë e sigurimit të jetës tek e cila Raiffeisen bank ka ndërmjetësuar kontratat e sigurimit është shoqëria më e madhe në tregun e sigurimit të jetës tek BKT  zotërojnë përqindje të mëdha të tregut të sigurimit të jetës sipas vlerës së kontratave. Këto shoqëri zotërojnë pjesën më të madhe të tregut të sigurimit të pronës nga zjarri dhe forcat e natyre duke zënë rreth XX % te tij. “Nga sa me sipër, jemi përpara dyshimit të arsyeshëm që dy nga bankat më të mëdha në tregut e kredidhënies mund të paraqesin sjellje abuzive në lidhje me zbatimin e kushteve të ndryshme për veprime të njëjta tregtare me palët në shërbimin e ndërmjetësimit në sigurimin e jetës dhe jo jetës”, thuhet në njoftimin e Konkurrencës. Për këtë arsye, Konkurrenca vendosi Hapjen e Hetimit Paraprak në tregun e ndërmjetësimit në sigurime nga bankat e nivelit të dytë .  Hetimi paraprak të përfshijë periudhën kohore nga 1 janar 2016 deri në 31 maj 2018.

Bregdeti “në sitë”, Tatimet: 58% e bizneseve të verifikuara janë me shkelje

Drejtoria e Hetimit Tatimor Rajoni Qendror po ushtron kontrolle të detajuara ndaj subjekteve, që kanë veprimtari ekonomike në zonat turistike të Qarkut të Durrësit dhe Korçës, përkatësisht nga Gjiri i Lalëzit në Spille dhe nga Pogradeci, në Dardhë e Voskopojë. Duke filluar nga data 22 qershor, strukturat e specializuara hetimore të kësaj drejtorie kanë verifikuar në total 680 subjekte. Nga këto, për 397 subjekte janë marrë masa me një vlerë prej rreth 12.6 milionë lekësh. Në çdo dhjetë biznese që kanë qenë subjekt kontrolli nga Tatimet, 6 kanë rezultuar me shkelje. Më konkretisht: “për moslëshim kuponi hera parë” janë konstatuar 101 shkelje; për “moslëshim kuponi hera dytë”, janë konstatuar 3 shkelje, për të cilët është marrë edhe masa e bllokimit 30 ditë; për “punonjës të padeklaruar” janë konstatuar 59 shkelje; për “mall pa faturë tatimore” (rivlerësim dhe ndryshim përgjegjësie) janë konstatuar 87 shkelje, ndërsa 33 subjekte kanë rezultuar të paregjistruara në organet tatimore. Drejtoria e Hetimit Tatimor Rajoni Qendror, ju bën thirrje tatimpaguesve, të ushtrojnë aktivitet ekonomik konform ligjit, për të siguruar më tej mbarëvajtjen e sezonit turistik.

Uji: 37 shoqëri subvencionohen nga shteti, gjendja në përkeqësim

Nga 58 shoqëri të Ujësjellës-Kanalizimeve, të paktën 37 prej tyre subvencionohen nga shteti në mënyrë që të vijojnë të ofrojnë shërbimin për qytetarët. Kjo konstatohet në raportin e performancës të Entit Rregullator të Ujit, për vitin 2017. Gjendja financiare e Ndërmarrjeve të Ujësjellës-Kanalizimeve nuk është surprizë për situatën problematike që ka trashëguar vit pas viti, por në 2017-n vihet re se ajo është përkeqësuar. “Gjendja financiare e sektorit gjatë vitit 2017 është përkeqësuar në krahasim me vitin 2016. Në total, deficiti i mbulimit të kostove të O&M me të ardhurat për sektorin është rreth 1,250 milionë lekë (rreth 10 milionë euro), nga të cilat rreth 38% të kësaj vlere e përbën deficiti i shoqërive UK Durrës dhe UK Vlorë, ndërsa 85% e totalit u përket vetëm 13 shoqërive UK nga 58 që është numri total i tyre”, – thuhet në raport. Por qeverisja qendrore, nga ana tjetër, ka subvencionuar për shoqëritë e ujësjellësve një vlerë rreth 8 milionë euro.

 Shoqëritë, të mbingarkuara me staf

 Në buxhetet e Shoqërive të Ujësjellës-Kanalizimeve, pagat dhe energjia elektrike janë dy nga arsyet e kërcimit të shpenzimeve të paktën te kostot e operimit. “Treguesi i performancës së Eficencës së Stafit (mesatarisht 5,5 staf/1000 lidhje) është përkeqësuar dhe në përgjithësi sektori është i mbingarkuar me staf. Shoqëritë UK, edhe gjatë vitit 2017, vazhduan të shtojnë numrin e punonjësve në mënyrë të pajustifikuar. Krahas marrjes në punë të një personeli mbi nevojat reale për operimin e shoqërive UK, këtë tregues e rëndon edhe numri i madh i punonjësve shtesë si roje objektesh për operimin e depove të ujit, si dhe të puseve dhe stacioneve të pompimit”, – thuhet në raportin e performancës. i njëjti vlerëson se rritja “artificiale” e stafit përmes rojeve është kërkesë ligjore, në mënyrë që të garantohet siguria për diçka sensitive siç është uji, por që ka nevojë për të kryer një studim në mënyrë që, aty ku ka mundësi, të ndërhyhet me logjistikë, ose masa teknike.