Banka e Shqipërisë: Kredia hyn sërish në krizë, rënie me 1.2 për qind në gusht

212
Kredia për ekonominë u rikthye sërish në territor negativ, për herë të parë nga korriku i vitit të kaluar, duke zbehur shpresat për daljen nga ngërçi në të cilin ndodhet prej gati tre vjetësh. Të dhënat e fundit zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në gusht kredia për ekonominë ishte 1.2 për qind më e ulët se sa e njëta periudhë e një viti më parë. 
Përkatësisht, nga 556.8 miliardë lekë që ishte në gushtin e vitit të kaluar, stoku total i huave që bankat kanë dhënë për ekonominë zbriti në 550.18 miliardë lekë këtë vit. Sipas bankës, nga fillimi i vitit kredia është rritur vetëm në dy muaj, mars edhe maj, ndërkohë që në gjashtë muajt e tjerë ka ardhur duke u ulur. 
Të dhënat tregojnë se rrudhja ka ardhur tërësisht nga kredia për biznesin, e cila në terma vjetorë është ulur me mbi 3.7 për qind, ose gati 100 milionë dollarë.  Zhvillimet e tregut bankar këtë vit kanë rrëzuar pritshmëritë e Bankës së Shqipërisë për një rigjallërim të kreditimit, pas një periudhe të gjatë ngërçi. Ndryshe nga parashikimet, të dhënat faktojnë se kredia mbetet në krizë duke frenuar potencialin e ekonomisë për t’u rritur më shpejtë. 
Vetë BSH ka përllogaritur se ecuria e kredisë është një faktor përcaktues në rritjen ekonomike. Një sërë studimesh të saj kanë dalë në përfundimin se kur kredia zgjerohet, rritja ekonomike përfiton një shtesë deri në 1.5 pikë përqindje.