Banka Botërore: Në 2015 presim që ekonomia shqiptare të rritet 3%

728
Sigal

Përfaqësuesja e Bankës Botërore në Shqipëri, Tahseen Sayed, është  shprehur se, viti 2015 pritet të sjellë përfitime pozitive për ekonominë në Shqipëri.

Sipas lajmit të publikuar në revistën “Monitor”, Sayed, vë në dukje se “gjatë muajve të fundit të 2014, rritja ekonomike është gjallëruar si rezultat i përmirësimit të kreditimit, pagesës së detyrimeve të prapambetura nga ana e qeverisë, si dhe rritjes së besimit të biznesit”. Treguesit e anketimeve më të fundit flasin për një një rimëkëmbje të kërkesës së brendshme private me bazë të gjëre. Edhe investimet private që kanë ndikuar negativisht në rritjen ekonomike në të shkuarën, po fillojnë të rriten .

“Ne presim që rritja për 2015 në Shqipëri të jetë rreth 3 përqind, nëse kahja pozitive do të vazhdojë dhe nëse rritja do të ndihmohet nga projekte të mëdha të investimeve të huaja që lidhen me gazsjellesin trans-adriatik (TAP-in) dhe investime në sektorin energjitik.”-shprehet përfaqësuesja e Bankës Botërore në Shqipëri.

SIpas saj, ndikimi ekonomik i konsolidimit fiskal, i cili është elementi kyc për forcimin e perspektives makro-fiskale të Shqipërisë dhe që e vendos vendin në një bazë të shëndoshë të rritjes afatgjatë, do të ndihmohet edhe nga reformat në vazhdim për përmirësimin e klimës së biznesit. Gjithashtu shlyerja e detyrimeve të prapambetura ndaj biznesit pritet të ndihmoje me tej rritjen e besimit të biznesit si dhe të mbështesë rritjen e investimeve të sektorit privat, te munguara në vitet e kaluara.

Për të rritur përfitimet ekonomike që vijnë nga politikat fiskale të qeverisë, është shumë e rëndesishme që konsolidimi fiskal të jetë sa më “i zgjuar” përmes shmangies së shpenzimeve publike joeficiente, kryerjes së investimeve publike që mbështesin prioritetet e vendit si dhe mbështetjen e politikes fiskale nga reformat për përmirësimin e klimes së biznesit.