Banka Botërore ndihmon Shqipërinë për të përmirësuar burimet ujore dhe ujitjen

692
Sigal

Nga projekti pritet të përfitojnë mbi 80.000 fermerë, duke përfshirë edhe mbi 5.000 gra

 Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Botërore ka miratuar dje një projekt të ri për të ndihmuar Shqipërinë që të përmirësojë administrimin e burimeve ujore dhe të ujitjes. Huaja prej 31 milionë euro e Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim dhe një granti nga Qeveria e Suedisë, prej 3,88 milionë euro, kanë për synim vendosjen e kuadrit strategjik për të menaxhuar burimet ujore në nivel kombëtar dhe në zonat ujëmbledhëse të Drinit – Bunës dhe të Semanit si dhe të përmirësojnë në mënyrë të qëndrueshme performancën e sistemeve të ujitjes në zonën e projektit. Nga ky projekt pritet të përfitojnë drejtpërdrejt mbi 80.000 fermerë, duke përfshirë edhe mbi 5.000 gra. Ky projekt i ri do ta përmirësojë administrimin e burimeve ujore dhe të ujitjes përmes (i) rehabilitimit dhe modernizimit të digave dhe sistemeve të përzgjedhura të ujitjes; (ii) përmirësimit të performancës së organizatave që ofrojnë shërbimet e ujitjes dhe të kullimit, duke përfshirë edhe rekrutimin e subjekteve private në skemat pilote të ujitjes; (iii) përgatitjes së Strategjisë Kombëtare për Administrimin e integruar të Burimeve Ujore dhe përgatitjes së planeve të administrimit të zonave ujëmbledhëse të Drin-Bunës dhe Semanit, dhe (iv) ngritjes së bazës kombëtare të të dhënave për burimet ujore. Pjesa e fundit do të financohet përmes grantit suedez. “Projekti i ri synon të hedhë themelet për një administrim më racional dhe llogaridhënës të burimeve ujore, dhe për të përmirësuar performancën dhe rentabilitetin financiar të ujitjes dhe kullimit,” thotë  Jsbrand H. de Jong, Drejtues i Ekipit të Projektit. “Kjo do ta ndihmojë Shqipërinë të përmbushë kërkesat që lidhen me anëtarësimin në BE dhe të eliminojë disa prej pengesave të rritjes. Kjo është gjithashtu urgjente, duke qenë se ndryshimet klimatike do të kërkojnë një drejtim të fuqishëm sektorial për të siguruar një shpërndarje racionale të burimeve të kufizuara ujore dhe për të pakësuar përmbytjet, sepse siguria e digave rrezikon ta pengojë qëndrueshmërinë në kohë të sektorit të ujitjes.” Në të shkuarën, Banka ka financuar tri projekte investimesh në ujitje në Shqipëri. Këto projekte kanë siguruar investime për rehabilitimin e skemave të ujitjes, i kanë forcuar kapacitetet dhe kanë zbatuar reforma institucionale. Mësimet e nxjerra gjatë zbatimit të këtyre projekteve janë marrë parasysh në përgatitjen e projektit të tanishëm në mënyrë që të përmirësohet cilësia e burimeve ujore dhe realizimi i shërbimeve të ujitjes, duke përfshirë edhe nevojën (i) për të punuar me organizatat e përdoruesve të ujit, njësitë e pushtetit vendor dhe sektorin privat, (ii) për të trajtuar shqetësimet në lidhje me sigurinë e digave dhe (iii) për të miratuar një kuadër më të gjithanshëm dhe strategjik për trajtimin e administrimit të burimeve ujore në nivel të basenit lumor.