Banka Botërore: Borxhi publik në Shqipëri, me mundësi rreziku

171

Sipas raportit të Bankës Botërore Ballkani Perëndimor është në një mjedis të paqartë ekonomik dhe recensioni vazhdon

Shumica e ekonomive në rajonin e Europës dhe Azisë Qendrore (EAQ) u rritën në vitin 2012 dhe pritet që të rriten në vitin 2013 me një përqindje pak më të lartë prej rreth 2.9 për qind, thanë zyrtarët e bankës Botërore në një informim të shtypit gjatë Takimeve të Pranverës 2013 të Bankës Botërore/FMN. Ringritja në EAQ do të vazhdojë të jetë më e ngadalta krahasuar me rajonet e tjera në botë dhe do të ketë shpejtësi të ndryshme, ku pjesa perëndimore e rajonit do të rritet me një ritëm shumë më të ngadaltë se pjesa lindore. Recesioni i zgjatur dhe ringritja e ngadaltë e rritjes ekonomike e përkeqësojnë më tej papunësinë e vazhdueshme në disa pjesë të rajonit, gjë që nga ana e saj ka pasoja afatgjata për konkurrueshmërinë dhe përfshirjen sociale në rajon.

Një mjedis i paqartë dhe recesioni i vazhduar në zonën e Euros paraqesin sfida për rajonin e EAQ nëpërmjet tre kanaleve: financave, tregtisë dhe remitancave të punëtorëve. Evropa Qendrore dhe Lindore (EQL) dhe Ballkani Perëndimor, të cilat kanë lidhjet më të afërta me zonën e Euros po mbeten shumë mbrapa Turqisë dhe Bashkësisë së Shteteve të Pavarura (CIS). Sipas parashikimeve të Bankës Botërore për vitin 2013, vendet e CIS pritet të rriten me rreth 3.5 për qind dhe Turqia me rreth 4 për qind, ndërkohë që në EQL dhe Ballkanin Perëndimor rritja ekonomike do të mbetet anemike me rreth 1.2 për qind, gjë që është vetëm pak më e lartë se rritja prej 0.9 për qind në vitin 2012. Deficitet buxhetore janë tkurrur, por masat për të kryer këtë rregullim fiskal janë bërë gjithnjë e më të vështira. Disa nga këto rregullime u bënë të mundura falë eficencës së përmirësuar dhe targetimit më të mirë të shpenzimeve të mbrojtjes sociale, të cilat ndihmuan gjithashtu në parandalimin e një rritjeje të varfërisë në shumicën e vendeve. Që nga koha e krizës, nivelet e borxhit publik janë rritur në shumicën e zonave të rajonit, përveç Turqisë. Borxhi mesatar publik për EQL dhe Ballkanin Perëndimor është rritur nga 28.3 për qind në vitin 2008 në 45.5 për qind në vitin 2012. Borxhi publik është në nivele me mundësi rreziku në disa vende në rajon (Hungaria – 76 për qind, Shqipëria – 62 për qind, Polonia– 56 për qind, Serbia – 54 për qind, Kroacia dhe Sllovenia – 53 për qind), dhe paraqet një barrë të rëndë mbi financat publike. Sektori financiar në EQL dhe Ballkanin Perëndimor është dobësuar nëpërmjet kufizimit të kreditimit dhe rritjes së kredive të këqija (NPL). Kufizimi i kreditimit u përshpejtua përsëri në vitin 2012 pas një lloj ngadalësimi në vitin 2011, veçanërisht në vendet si Estonia, Hungaria, Sllovenia, Kroacia, Letonia dhe Serbia. NPL-të u ulën në vendet e CIS dhe Turqi, por vazhduan të rriten në Ballkanin Perëndimore, Bullgari dhe Rumani. Në këto kushte, dhënia e kredive për sektorin privat ka vazhduar të ulet në vendet Balltike dhe ka qëndruar në vend në pjesën tjetër të Evropës Qendrore, Ballkanin Perëndimor, Turqi dhe gjithashtu në Bjellorusi dhe Ukrainë.

Krijimi i vendeve të punës ka qenë i ngadaltë në rimëkëmbjen ekonomike të rajonit pas krizës. Papunësia mbetet me kokëfortësi në nivele të larta në EQL dhe vazhdon të rritet në Ballkanin Perëndimor, ndërkohë që po ulet pak në CIS dhe Turqi.  Për të krijuar vende pune në EQL, Banka rekomandon veprime në tre fusha kryesore të politikave:

•Rifillimi i rritjes ekonomike të qëndrueshme: duke siguruar faktorët themelorë makro për ringritjen ekonomike dhe duke rimarrë shpejtësinë e reformave përpara krizës.

•Mundësimi i krijimit të vendeve të punës të udhëhequr nga sektori privat: duke eliminuar pengesat ndaj zgjerimit të biznesit dhe sipërmarrjes.

•Përgatitja e punëtorëve për vende të reja pune: duke ndihmuar punëtorët të fitojnë aftësi për vendet moderne të punës dhe duke bërë pagesën formale të punës nëpërmjet heqjes së faktorëve shkurajues dhe barrierave ndaj punës.