Bajram Lamaj/ Taksat Vendore dhe sfidat menaxheriale në zbatimin e reformës administrative

973
Zbatimi i reformës administrative, ku pushteti vendor u organizua në 61 bashki, aktualisht ndeshet me një sërë sfidash menaxheriale, ku ndër më të rëndësishmet është edhe krijimi i burimeve të financimit të nevojave që ka komuniteti për shërbime publike dhe për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm e dobiprurës, ku një rëndësi të veçantë kërkojnë dhe politikat vendore menaxheriale që do përdoren në bashkitë për caktimin, mbledhjen dhe përdorimin e tyre në të mira publike. Krijimi i njësive të mëdha vendore, shumë stafe vendore i gjeti të pa përgatitur dhe pa burimet njerëzore të nevojshme, të cilët nuk kishin njohuritë e duhura menaxheriale të këtyre Njësive të Qeverisjes Vendore (NJQV) me shtrirje të madhe territoriale, llojshmëri aktivitetesh e burimesh dhe me një rritje të dukshme të shpenzimeve e të ardhurave. Vetë reforma administrative, ka patur si qëllim rritjen e zhvillimit ekonomik të këtyre NJQV, nëpërmjet politikave qeveritare, por veçanërisht vendore dhe strategjive afat shkurtra e afatgjata, pra kryetarët e NJQV të punojnë e drejtojnë me mënyra më efikase për të rritur nivelin e shërbimeve ndaj komunitetit të bashkisë tyre. Duke u bazuar në realitetin ekonomiko – financiar të cilin gjenden sot financat e NJQV, ku kryetarët e tyre më shumë presin nga qeverisja qendrore se punojnë për të gjetur burime të ardhurash, nga vënia në eficencë e pasurive që u janë dhënë. Reforma nuk po jep frytet e para pozitive, në drejtim të shtimit të ardhurave dhe në drejtim të mirë menaxhimit të aseteve dhe burimeve ekonomike që u janë vënë në dispozicion, ku dhe vetë sistemi i taksave dhe tarifave kërkon një reformim, si pjesë e rëndësishme e zbatimit të Reformës Administrative. 

Premtimet e fushatës elektorale

Po t’i kthehemi “premtimeve “të fushatës të gjithë kryetarët e zgjedhur premtuan për një ndryshim rrënjësor në menaxhimin e burimeve ekonomike, por rezultatet megjithëse është fillimi, nuk duken premtuese. Kjo u reflektua dhe nga konkluzioni i nxjerrë nga vëzhgimi i bërë nga Autoriteti Lokal pranë KIE, ku veçohet paaftësia e pushtetit vendor për të ngritur një sistem taksash vendore të qëndrueshëm e profesional dhe me mungesë infrastrukturë dhe mbështetje ligjore. Qeverisja vendore ka si objekt të saj legjitim, që të bëjë për komunitetin atë që njerëzit kanë nevojë, por komuniteti nuk mund të bëjë gjithçka për veten e tyre me kapacitet e ndara individuale, prandaj nevojitet që qeverisja vendore të bëjë gjithçka për të siguruar të mira publike me të gjitha rrugët legjitime në hapësirën territoriale të saj. Kjo përveç përkushtimit kërkon aftësi profesionale e menaxheriale të vetë drejtuesve të Bashkive, por njëkohësisht është tepër i nevojshëm decentralizimi. Kuadri ligjor në fuqi përcakton kompetencat e pushtetit vendor për vendosjen e bazës dhe nivelit të taksave vendore, si dhe kompetencat për mbledhjen dhe administrimin e tyre. Aktualisht mbledhja e taksave dhe tarifave vendore është shumë e kushtueshme, kryesisht për arsye të pushtetit vendor shume të fragmentuar. Për të mbledhur çdo vit rreth 15 miliard lekë të ardhurave nga taksat dhe tarifat vendore shpenzohen nga njësitë vendore 1.8 miliardë lekë ose 12% e këtyre të ardhurave. Çdo bashki, duhet që sipas fushave të veprimtarive që menaxhojnë, të fokusohen e të bëjnë identifikimin, evidentimin dhe inkurajimin për ngritjen, funksionimin, mbështetjen dhe menaxhimin e operatorëve të tregut, që lidhen me veprimtaritë e përdorimit dhe vënies në eficencë të resurseve, si: shoqatat e fermerëve, shoqatat e përdorimit të ujit, të blegtorëve, tregtarëve, artizanëve, shoqatat turistike, shoqatat e pylltarisë, shoqatat e përdorimit të pyjeve dhe kullotave, shoqatat e gjuetisë sportive, shoqatat e menaxhimit të peshkimit, shoqata përdorimit dhe ruajtjes së kullotave, etj, të shtrira me aktivitet në NJQV, operatorë të cilët prodhojnë produktet dhe realizojnë të ardhurat nga njëra anë, duke konsumuar shërbimet e bashkisë nga ana tjetër. 

Hartimi i planeve strategjike

Monitorimi i nevojave dhe mundësive që kanë këto operatorë, në raport me resurset e administruara nga zbatimi i Reformës Administrative, lind nevojën e hartimit të planeve strategjike, mbështetur në burimet që zotërojnë, po kështu të hartohen plan veprime afat shkurtra një e disa vjeçare mbi të cilat do të reflektohet e hartohet një buxhet real i bashkisë, pra duhet të përcaktohet qartë në hartimi i deklaratës së vizionit dhe misionit, si dhe i objektivave themelore të NJQV, të cilat aktualisht zotërojnë potenciale të konsiderueshme resurseve natyrore dhe aseteve. Këtu duhet të përqendrohen menaxherët e rinj (kryebashkikaët) dhe të largohen nga skema statike, që kanë dështuar dhe nuk janë bashkëkohore apo të mirë studiuara, po kështu të zhveshin performancat e këtyre NJQV nga formalizmat në dukje, por duhet të përsosin metodologjinë e llogaritjes dhe të gjejnë rrugët efikase që shmangin evazionin fiskal vendor. Sfidë e së ardhmes në menaxhimin e burimeve financiare për NJQV në kuadrin e Reformës Administrative, është decentralizimi fiskal, kërkesë që lind nga zbatimi i Kartës Europiane të Autonomisë Vendore dhe në kuadrin e Integrimit të Shqipërisë në strukturat Euro-Atlantike, nevojë kjo që lind dhe nga zhvillimi i reformave me prirje drejt globalizimit, përparimi i shpejtë teknologjik, ndryshimi i vlerave sociale dhe i presioneve konkurruese, po diktojnë ndryshime thelbësore social-ekonomike. Këto fenomene të reja dhe kjo dinamikë, paraqesin sfida për Qeverinë, pushtetin vendor dhe biznesin dhe taksapaguesit e tjerë vendorë, prandaj është e rëndësishme që në këtë realitet, të dimë dhe të krijojmë hapësirat e nevojshme për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe social. Reforma e decentralizimit të pushtetit vendor, sjell një qëndrueshmëri të sistemit demokratik, rrit efiçensën dhe efektivitetin qeverisës, stimulojnë krijimin e një baze më të qëndrueshme për zhvillimin ekonomik dhe të krijojë një qeverisje më transparente, duke siguruar pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrjen për administrimin e resurseve lokale. Kjo reformë në vendin tonë, megjithëse ka filluar në zgjerimin e autonomisë së qarqeve dhe Bashkive, për shfrytëzimin e burimeve lokale, natyrore dhe njerëzore dhe investimeve private, ecuria është shumë e ngadaltë dhe në disa drejtime po bëhet pengesë mos decentralizimi i plotë, ku decentralizimi fiskal po e pëson më shumë, pasi vetëm mungesa e legjislacionit. Rritja e autonomisë se pushtetit vendor dhe decentralizimi i pushtetit, janë në lidhje të drejtë lineare me decentralizimin fiskal, pra me rritjen e të ardhurave nga taksat dhe tarifat vendore. Sfidat e reja për pushtetin vendor dhe atë qendror, është ajo e thellimit të decentralizmit fiskal, dhënia e kompetencave për pushtetin vendor dhe shkuarja drejt dërgimit pranë bashkive të dy taksave të përbashkëta, TVSH dhe Tatimin e të Ardhurave Personale(TAP) dhe një shpërndarje të tyre sa më të drejtë me kritere të qarta e larg politizimit, duke përdorur metodat që përdoren në shtetet e tjera të Europës. Në teoritë bashkëkohore është vërtetuar se financat publike nuk mbrohen duke i centralizuar, përkundrazi ato janë më të mbrojtura kur decentralizohen dhe ndërtohet një kuadër ligjor efiçent dhe praktik, për përgjegjshmërinë financiare dhe publike ndaj taksapaguesve qoftë kombëtar apo lokal.

Sfidat e kohës për decentralizimin fiskal

Rivlerësimi dhe rishikimi i kuadrit ligjor dhe aplikativ për taksën mbi pasurinë, e cila në vendet e zhvilluara dhe ato në zhvillim është taksa kryesore e të ardhurave për pushtetin vendor, (veçanërisht për bazën e llogaritjes, përgatitja e terrenit për të kaluar nga llogaritja për sipërfaqe në llogaritjen sipas vlerës. Kjo kërkon përgjegjshmëri financiare, pasi është e nevojshme përcaktimi i vlerës për njësi të objekteve mbi të (m2 apo në varësi të sipërfaqes dhe llojit të pasurisë (ndërtesave banimi, objekte tregtare, sociale etj). Kjo kërkon një studim, ndoshta në shkallë vendi, duke përcaktuar zonat dhe vlerën për njësi sipas llojit të pasurisë, duke lënë hapësirë për ndryshime nga Këshillat Bashkiakë sipas kufizimeve ligjore. Në këtë mënyrë do të hiqej një barrë e shtesë për taksapaguesit, pasi siç e dimë vlerësimi i objekteve bëhet me vlerësues privat të liçensuar dhe pagesa e tyre është në varësi të vlerës së pasurisë, pra do ishte një pagesë shtesë e taksapaguesve me një impakt negativ të lartë social e pa mirëpritur nga taksapaguesit vendor. KLSH pasi ka vlerësuar situatën nga auditimet e kryera në NJQV, ka dalë me disa rekomandime, ku mund të përmendim: marrja e masave për hartimin dhe miratimin e instrumenteve të planifikimit në nivel vendore si dhe miratimi i rregulloreve përkatëse. Marrja e masave ligjore për saktësimin dhe korrigjimin, inventarizimin e gjendjes dhe pronësinë e pasurive si dhe vendosjen e tyre në administrim. Çdo bashki duhet të ndërtojë database për asetet, si dhe duhet të kryhet inventari i plotë i fondit pyjor e kullosor dhe objektet ndihmëse. Do ishte shumë me vlerë nëse kjo taksë, me atë përgjegjësi administrative e financiare që mblidhet, me të njëjtën përgjegjësi të shoqërohej me transparencë publike përdorimi i saj. Kjo të bëhet përveç transparencës publike në pasqyrimin e treguesve, duhet të shoqërohet me dëgjesa publike për përdorimin e diferencuar, si nga madhësia e mbledhjes për njësi administrative apo zona, por dhe me konkurrim publik të nevojave që kanë njësitë administrative përbërëse të bashkive.

– Ky konkurrim është një masë tepër pozitive nxitëse dhe rrit transparencën publike, por çfarë është konkurrimi publik për tatimin e pasurisë: Njësive administrative (lagje) me shkallë më të lartë të vjeljes së kësaj takse, i dhurohen fonde për investime kapitale, të cilat do shpenzohen sipas prioriteteve që ka njësia administrative. Kjo kërkon një qasje pro-aktive të Bashkive në analizimin e të dhënave mbi vjeljen e tatimit të pasurisë (pronë) dhe monitorimin rigoroz të procesit të mbledhjes kësaj takse gjatë vitit fiskal në raportet e menaxhimit.
– Investimet në modernizimin e mbledhjes së taksave vendore nëpërmjet programeve dhe softeve të ndryshme është një tjetër sfidë për pushtetin vendor, duke instaluar dhe një sistem të përkujtimit (azhornimit periodik) të borxhit të kësaj takse dhe taksave të tjera. 
– Rishikimi i mjeteve juridike dhe administrative për vjeljen e tatimit të pasurisë (pronë), kjo me ndërmarrje publike siç janë Ujësjellësi, apo me agjent tatimor duke zbatuar kërkesat ligjore dhe pse jo me partneritet publik me njësi publike, jashtë sistemit vendor siç është OSHE, subjekte private me përvojë në këtë fushë, etj. 
– Rritja e transparencës nga Bashkitë në lidhje me vendimmarrjet për vendosjen dhe përdorimin e taksave vendore mbetet një sfidë e rëndësishme e pushtetit vendor në çdo kohë. Dëgjesat publike me komunitetin, janë një mjet shumë i mirë i komunikimit në përdorimin e parave në të mira publike dhe jo të jenë formale.
– Politikat zhvillimore që kryhen në territorin e bashkisë, duhet të lidhen direkt me politikat fiskale vendore , pasi kjo është një nga recetat fiskale më të dobishme për rritjen e bazës së të ardhurave dhe për një zhvillim të qëndrueshëm vendor.
Duke u njohur me problematikat dhe realitetin, me të cilin po përballen bashkitë, veçanërisht në grumbullimin dhe administrimin e taksave vendore, vlerësojmë se është i nevojshëm kontributi i gjithë secilit, pasi siç theksuam më lart, administrimi i taksave vendore në këto madhësi që janë sot , është sfidë për çdo kryetar Bashkie, pasi janë burim shumë i rëndësishëm i rritjes së shërbimeve e investimeve për komunitetin, pra jo çdo gjë pritet nga Qeveria qëndrore (përjashtojmë këtu fondin që krijon Qeveria për investime (Fondi i Zhvillimit të Rajoneve). Kryetarët e NJQV, fillimisht duhet të hartojnë organigramën dhe strukturën e Bashkisë së re, e cila nuk do ketë prioritet veç “pastrimin” dhe “problemet e asfaltit në qendrat e qyteteve kryesore”, por përgjegjësia e tyre menaxheriale është për të gjithë territorin si në qytet dhe fshat dhe nuk është mirë që fshatin ta gënjejmë vetëm me “panaire”, por të kryejmë dëgjesa publike e të njihen me problemet dhe nevojat që kanë për shërbime publike e investime. Kjo kërkon rritjen e përgjegjësisë menaxheriale dhe vënien në punë të administratorëve të emëruar, pasi administratorët janë kthyer në zëvendësues të “kryetarëve të komunave babaxhanë, ku një pjesë e ish kryetarëve janë dhe administratorë të emëruar nga politika) ,të cilët nuk po përçojnë ndonjë frymë të re menaxhimi e administrimi të pasurive të këtyre njësive administrative, shembuj negativ ka kudo, pasi deri tani nuk po shikojmë ose të njihemi me ndonjë strategji të mirëfilltë menaxhimi për taksat vendore, pasi mendoj që jeni në dijeni se viti 2014-2015 mbledhja e taksave vendore ka qenë në nivelet më të ulëta. Deri tani, pas kryerjes së Reformës Administrative, nuk kemi dëgjuar ose parë asnjë përshkrim të mënyrës së funksionimit të administratave që po krijojnë, si do menaxhohen këto njësi bashkiake, deri ku i lejon decentralizimi vendor, po decentralizimi fiskal dhe deri ku shkon bashkëpunimi me Qeverinë, pra ka mungesë transparence publike. Duhet që menjëherë të merren masat dhe të hartohen regjistrat e taksave për tokën dhe asetet e Qëndrueshme, duke pasqyruar ngarkesat, arkëtimet dhe debitorët e pa shlyer nga përdorimi në mënyrë të ligjshme apo paligjshme, pasi janë resurse që sjellin të ardhura. Këto regjistra duhet të hartohen nga të gjithë punonjësit e zyrave të tatimeve dhe administrimit të aseteve, pasi kjo do të përgjegjësonte shumë këta punonjës dhe do ishte një masë paraprake në pengimin e veprimeve abuzuese dhe korruptive. 
Mirëmenazhimi i bashkive të reja

Zhvillimi i politikave të Qeverisë qendrore në drejtim të lehtësimit të barrës fiskale për biznesin e vogël, konkretisht tatimin e thjeshtuar është i mirëpritur, por kjo duhet të shoqërohet me paketë shtesë financimi në pushtetin vendor, pasi kjo taksë cenon drejtpërdrejtë burimet e të ardhurave të bashkive, pra duhet që Qeveria të financojë ato burime të ardhurash që i hiqen NJQV me fonde të tjera për të ushtruar funksionet e përcaktuara me ligj dhe autonomi vendore në përdorimin e burimeve, mos përmbushja e këtij detyrimi cenon decentralizimin fiskal vendor. Është shumë rëndësishme që Kryetarët e Bashkive, menjëherë duhet të ngrenë grup pune për vlerësimin e ligjshmërisë për burimet e të ardhurave, si nga ana juridike dhe administrative, si për kontratat e lidhura me transferimin e pronave apo dhënien e tokave, kullotave me qira, etj., të quajtura kontrata “të dyshimta”, të lidhura rishtazi dhe me shtrirje kohore të madhe, duke i rivlerësuar juridikisht procedurat dhe dokumentacionin përkatës, rast pas rasti për çdo njësi vendore që është shkrirë dhe të konsiderojnë të pavlefshme, duke i anuluar të gjitha ato kontrata, që janë lidhur në kundërshtim me ligjin dhe të vihen para përgjegjësisë ligjore personat që kanë kryer këto veprime. Në mjaft NJQV dhe komuna të shkrira, është konstatuar se nuk janë të regjistruara në kontabilitet detyrimet nga taksat vendore, nuk janë mbartur saktësisht nga viti në vit, të cilat pjesërisht janë mbajtur në format elektronik, pa sisteme dhe pa koeficient sigurie, por thjesht në programe lehtësisht të manipulueshme.

 Edhe pse është bërë falja e detyrimeve deri në fund të vitit 2011, një pjesë e strukturave të ish NJQV, nuk i kanë fshirë/hequr taksat vendore nga kontabiliteti apo formati elektronik, pasi nuk janë kryer aplikime apo rivlerësime periodike. Kemi dhe NJQV, që i kanë fshirë/hequr nga regjistrat detyrimet, por me to mund të abuzohet, në raportet e reja që do të krijohen me subjektet private nga riorganizimi i Drejtorive të Taksave e tarifave vendore në NJQV. Me risk të lartë abuzimi dhe mundësi veprimesh korruptive, është dhe mos pagesa e taksës së tokës në vite të ndryshme, etj., si pasojë e mos hartimit dhe mbajtjes të një regjistri të saktë dhe transparent, si dhe mos azhurnimit të ndryshimeve të fondit të tokës dhe pronarëve të saj ndër vite. Kjo do e vështirësojë punën e drejtuesve, megjithëse është një burim të ardhurash, njohuritë e këtyre Kryetarëve të Bashkive në këtë fushë janë kufizuara, aq më keq që Drejtoritë/Zyrat e Administrimit dhe Menaxhimit të Tokave në Bashki e ish komuna, nuk kanë funksionuar mirë. Nga menaxherët e NJQV, duhet të merren masa të menjëhershme, duke hartuar/krijuar, regjistrat fiskal progresive për ngarkesat dhe arkëtimet për këtë taksë dhe për taksat e tjera vendore, që nga viti 2011 e vazhdim. Mungesa e kapaciteteve të nivelit profesional dhe mënyra e transferimit të detyrimeve për taksat vendore, nga njësitë vendore që janë shkrirë në bashki ka sjellë probleme dhe mos rakordime, pra nevojitet ndjekja e tyre dhe rivlerësimi i detyrimeve për taksat vendore, së bashku me listat përkatëse të subjekteve sipas veprimtarive.
Drejtor i Departamentit të Auditimit të Ardhurave të Buxhetit në KLSH
Sigal