Bajram Lamaj*/ Reforma administrative , decentralizimi dhe kontributi i KLSH

706
Sigal

Qeveria duhet të nxjerrë akte administrative për të parandaluar “masakrën” që po bëjnë disa nga drejtuesit vendorë me pyjet e tokat bujqësore   

Në 6 mujorin e dytë të vitit  2013, KLSH përfundoi auditimin e performancës me temë “Ndarja territoriale administrative tokësore në RSH”, duke implementuar për herë të parë një auditim me standardet e reja të auditimit bashkëkohor, nga e cila në fund të auditimit ju paraqit një material tepër profesional e praktik Ministrisë së Pushtetit Vendor, duke dhënë dhe rekomandimet e nevojshëm. Në fillimet e paraqitjes së  Reformës administrativo territoriale (Konferenca Kombëtare në Tetor 2013), ne si KLSH u ftuam dhe me të drejtë kërkuam që materiali i paraqitur të vlerësohej nga Qeveria dhe konkluzionet e rekomandimet tona të bëheshin pjesë e diskutimit nga aktorë të ndryshëm, pra të jepnim kontributin tonë pasi paguhemi nga taksapaguesit shqiptarë. Duam që të sjellim në vëmendje të gjithë aktorëve të kësaj reforme kaq të rëndësishme, se auditimi (studimi) i kryer nga KLSH është bërë në praktik, duke u shtrirë në tre qarqet Tiranë, Kukës dhe Berat, ku metodat e përdoruara janë sipas kërkesave të BE-së. Vetë nevoja e zhvillimit ekonomiko social të Njësive të Qeverisjes Vendore  dhe procesi i decentralizimit të qeverisjes vendore, kërkon domosdoshmërisht një gjithëpërfshirje si të institucioneve, shoqërisë civile, vetë pushtetit vendor dhe më e rëndësishme është përfshirja e publikut (komunitetit vendor), pasi është ky komunitet që do të përfitojë ose jo nga kjo reformë direkt në rritjen e të mirave publike nga një decentralizim transparent dhe i pranueshëm nga të gjithë aktorët politik, administrativ dhe ekonomiko financiar, ndaj gjithpërfshirja është kërkesë imediate e kohës. Shohim aktualisht një vullnet mjaft të mirë të Qeverisë, veçanërisht të Ministrisë, por mos përfshirja e plotë e aktorëve (nënkuptoj drejtuesit vendor të djathtë) dhe përfituesve është problem që duhet zgjidhur, pasi kjo do të cenojë vetë procesin e realizimit të kësaj reforme. Në diskutimet publike që kryhen në konferenca shikohet se në shumë raste ka një prirje për të qenë protagonistë, por do ishte mirë që ky protagonizëm mos të ishte politik, pasi pjesa politike do të zgjidhet me vullnet politik, por kërkohet që të ishte një protagonizëm profesional dhe intelektual, duke shpalosur pozitivitetin e kryerjes së kësaj reforme. Në debatet e kryera deri tani, akoma nuk kemi dëgjuar se si do veprohet  në aspektin e menaxhimit financiar dhe administrimit të aseteve. Nga përvoja që kemi ne çdo gjë e lëmë në fund. Me të drejtë një miku im drejtues vendor më pyeti: “ore reforma do bëhet se është nevojë dhe domosdoshmëri, por me transferimin e aseteve dhe përgjegjësive ekonomiko financiare e ligjore si do bëhet, apo do përsëritet fenomeni i mbylljes së ndërmarrjeve dhe kooperativave, ku likuidatorët u kthyen në pronarë të pronës publike”? Në fillim u mendova dhe fillova të hulumtoj në aktivitetin që po kryhet për reformën, por përgjigje nuk gjeta në asnjë forum apo takim që është bërë deri tani, por me syrin e një specialisti mendoj se duhet të merren masa e të fillojnë përgatitjet për të gjetur zgjidhjet më të mira  dhe të para përgatitet baza ligjore e nevojshme. Në ndjekjen e aktiviteteve që po kryhen në këto muaj, shikojmë dëshirën e mirë të donatorëve për të financuar çdo hap  apo veprim  që ndikon  në qasjen e të mirave të  reformës administrative territoriale, gjë e mirë. Por, konstatohet se deri tani nuk po shohim tek ajo pjesë e pushtetit vendor që janë përfshirë në këtë proces të kryejnë dëgjesa publike me komunitetin, pra nuk po përfshihet  publiku dhe të bëhet e qartë deri ku përputhen interesat e qytetarëve duke evidentuar problematikat që do të paraqesë publiku e duke dhënë mendime teknike e profesionale se si do të zgjidhen ato në të mira të bashkëjetesës së re në komunitet më të madh. Këtu kemi parasysh  përgatitjen e komunitetit për bashkëjetesë komunitare dhe me NJQV, që deri dje kanë mbajtur nën vete dhe konflikte  të pretendimeve kufitare, interesa të tjera publike, etj. Shtrohet pyetja, si do hiqen ato, si do shpërndahen të mirat publike që do vijnë nga përdorimi i tyre, administrimi dhe ruajtja e vlerave të tyre mjedisore dhe të traditës krahinore të veprimtarive bujqësore e blegtorale. Komuniteti është mësuar me qeverisjen afër banimit, por me bashkimin e disa njësive koncepti i qeverisjes lokale merr kuptim më të gjerë, përgjegjshmëria e menaxhimit të çështjeve  të një njësie të re më të madhe nuk është e kufizuar si në një territor të vogël, tani ka territor më të madh e rrjedhimisht vlerësimi i menaxhimit bëhet duke vlerësuar një shumëllojshmëri interesash me natyra të ndryshme. Në vendimmarrje do të kërkohet pjesëmarrje nëpërmjet transparencës nga shumë subjekte me interesat e tyre si: komuniteti më i madh në numër, organizatat e shoqërisë civile të bazuara në komunitet. Të gjitha këto do vijnë si rrjedhojë e kryerjes së reformës territoriale, nevojës dhe  nga qasja e përvojave evropiane në pjesëmarrjen e publikut në vendimmarrje.  Për këtë nevojiten trajnime dhe seminare nga institucionet qeveritare, shoqatat e drejtuesve vendor, shoqëria civile, etj., por dhe tek KLSH, të gjithë të interesuarit mund të kërkojnë raportin përfundimtar të auditimit të performancës për ndarjen territoriale dhe mund të njihen me problematikat e evidentuara nga pyetësorët e kryera dhe auditimit të dokumenteve të disponuara, ku për çdo problem do shikoni mënyrën e trajtimit dhe rekomandimet për zgjidhjen e tyre. Pa dashur të cenohet askush nga drejtuesit vendor, por duhet ta pranojmë se shumë prej tyre kanë njohuri të kufizuara në menaxhimin financiar dhe administrimin e aseteve e vënien e tyre në përdorim për të krijuar të mira publike për komunitetin. Këtë ne e kemi dhe të evidentuar, pasi po ti referohemi vetëm ligjit për Menaxhimin financiar, Kontrollit dhe Udhëzimin nr. 30, datë 27.12.2011”Për menaxhimin e Aktiveve në Njësitë e Sektorit Publik” të  nxjerrë nga Ministria e Financave, pjesa më e madhe e drejtuesve vendorë akoma nuk e kanë implementuar, por kjo do sjellë pasoja të pariparueshme në mirë administrimin e aseteve të njësisë publike që drejtojnë. Është shumë imperative që nga Qeveria duhet të nxirren akte administrative për të parandaluar “masakrën” që po bëjnë disa nga drejtuesit vendorë, duke transferuar prona si pyje e tokë bujqësore  me sipërfaqe të mëdha në duar të njerëzve me interesa korruptive, me pretendimin se i japin me qira ose në përdorim me një afat 30 deri 99 vjet, pa kryer procedura ligjore, fenomen ky që po shoqërohet dhe me regjistrimin e tyre në ZVRPP e rretheve, në kundërshtim me ligjin vetëm e vetëm që këta drejtues të përfitojnë në mënyrë të paligjshme, pra Qeveria duhet ti bllokojë këto veprime menjëherë në ZVRPP-të  e rretheve. Ne si KLSH, kemi dërguar kryetar komune të papërgjegjshëm në Prokurori, por ky fenomen nuk mund të ndalohet nga ne, pasi KLSH vetëm  nuk mund ta ndalojë këtë fenomen, pasi pasojat do jenë të pa riparueshme dhe do hapin konflikte sociale, kjo kërkon ndërhyrjen dhe  përgjegjshmërinë e Prefektëve e Kryetarëve të Këshillave të Qarqeve, si dhe bashkëpunimin e tyre me zyrën qendrore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme dhe ZVRPP-ve në rrethe. Reforma administrative territoriale ndikon drejtpërdrejt në përshpejtimin e procesit të decentralizimit, si bazë e qeverisjes së mirë vendore dhe mundësimin e zhvillimit ekonomik, efektivitetin e ofrimit të shërbimeve publike si dhe për të kënaqur kërkesat e komunitetit. Procesi i decentralizimit është i orientuar në mirëqeverisje duke u bazuar në tre tregues: Politik, financiar dhe administrativo funksional. Siç e dimë transferimi i autoritetit politik është kryer, duke kaluar pushtetin  nga sistemi thellësisht i centralizuar në sistemin demokratik. Po kështu dhe decentralizimi administrativ është kryer pjesërisht, duke transferuar përgjegjësitë për administrimin e disa funksioneve, kompetencave publike qendrore te njësitë vendore, kjo filloi në vitin 2000 me daljen e ligjit e ligjit organik i cili  u ndryshua më vonë, por kjo nuk ndikoi në ndërgjegjësimin dhe kryerjen e reformës territoriale, pavarësisht se kishte të përcaktuara qartësisht  objektin, misionin, parimet, të drejtat dhe funksionet që do realizoheshin nga organet e qeverisjes vendore, për të përmirësuar akoma më tej nivelin e shërbimit ndaj banorëve në juridiksionin e tyre. Decentralizimi financiar është kryer jo i plotë, kjo jo vetëm për mbajtjen e disa kompetencave nga qeveria, por të gjithë pranojmë se kjo ka ardhur dhe nga paaftësia e drejtuesve lokal, për të zbatuar me përgjegjësi kompetencat dhe detyrimet ligjore, veçanërisht në fushën ekonomiko financiare, ku siç rezulton nga auditimet e kryera për vitin 2013 nga KLSH dhe të bëra publike, shkeljet financiare janë të mëdha, kryesisht në paaftësinë për të grumbulluar të ardhurat dhe në keqpërdorimin e tyre. Pa efektivitet deri në veprime korruptive dhe një mos administrim  të rregullt financiar të burimeve të krijimit të të ardhurave lokale. Për të pasur një decentralizim të suksesshëm duhet të realizohet një ndarje e re administrative – territoriale e cila të sjellë demokratizimin e qeverisjes vendore, eficencën në ofrimin e shërbimeve për qytetarët, rritjen e zhvillimit lokal nëpërmjet projekteve strategjike dhe thithjen e fondeve nga BE me projekte të besueshme  e dobiprurëse për përmirësimin e të mirave publike të qytetarëve, si dhe zhdukjen e pabarazive dhe një të qëndrueshëm rajonal, nëpërmjet qeverisjes me shumë nivele e pjesëmarrjen e publikut me përfaqësimet e tyre në institucionet dhe organizatat e shoqërisë civile, pra më tepër demokraci në qeverisjen lokale. Për të pasur një ndarje administrativo-territoriale të pranueshme e të qëndrueshme, kërkohet respektimi i disa kërkesave dhe kritereve që duhen plotësuar duke argumentuar çdo propozim për ndryshim, duke përfshirë detyrimisht interesat ekonomiko – sociale, traditat, kultura, lidhjet tradicionale, etj. Në këtë fushatë performimi të modeleve të  ndarjes territoriale, është shumë e domosdoshme që alternativa apo forma që do zgjidhet duhet të bazohet në analiza hapësinore, social ekonomike dhe konsensus politik, pra me gjithëpërfshirje dhe e pranueshme. Në  themel të decentralizimit qëndron parimi i subsidiaritetit, i cili kupton kryerjen e funksioneve dhe ushtrimit të kompetencave në një nivel qeverisje sa më pranë shtetasve (publikut), për të garantuar prosperitet dhe mirëqenie. E gjithë kjo paraqitje e problematikave të trajtuara më lart kanë një qëllim, që kjo reformë të krijojë një qasje pozitive për partneritet shumë të rëndësishëm, pasi jemi në prag të integrimit europian dhe kërkesat dhe konvergjencat e politikave tona të brendshme duhet të konvergojnë dhe të jenë në kohezion me politikën e BE-së, nevojë për një qasje të pranueshme nga komuniteti ndërkombëtar. Nën këtë vështrim nga të gjithë aktorët dhe protagonistët  kërkohet shumë transparencë e vullnet si politik dhe një vullnet dashamirës nga të gjithë aktorët, për të bërë më të mirën për forcimin e demokracisë lokale dhe zhvillimin e vendit.

*Drejtor i Departamentit të Auditimit të Buxhetit të Pushtetit Vendor, Kontrollit të Territorit , administrimit të Aseteve të Qëndrueshme në Kontrollin e Lartë të  Shtetit

“SOM” Në diskutimet publike që kryhen në konferenca shikohet se në shumë raste ka një prirje për të qenë protagonistë, por do ishte mirë që ky protagonizëm mos të ishte politik, pasi pjesa politike do të zgjidhet me vullnet politik, por kërkohet që të ishte një protagonizëm profesional dhe intelektual, duke shpalosur pozitivitetin e kryerjes së kësaj reforme.