Bajram Lamaj/ Menaxhimi i cilësisë në auditim rrit besueshmërinë e KLSH-së

818
Sigal

* KLSH

 Në planin strategjik të KLSH-së për periudhën 2013-2017, zhvillimi i kontrollit të cilësisë në auditim konsiderohet si jetik për kryerjen e misionit të tij, për imazhin dhe besueshmërinë e institucionit te publiku, njësitë publike dhe Kuvendi. Puna që po kryhet në këtë institucion për ngritjen e një sistemi të Menaxhimit të Cilësisë, po zbatohet nëpërmjet politikave, procedurave, instrumenteve dhe masave të tjera, që sigurojnë se KLSH po prodhon punë e raporte (opinione) të një cilësie sa më të lartë, për ligjvënësit dhe publikun. Zbatimi në vijimësi i një sistemi efikas e rezultativ, ka filluar që të garantojë besimin e përdoruesve të raporteve të auditimit për cilësi të lartë e të qëndrueshme të auditimeve dhe nivel sa më të lartë të pranimit të zbulimeve, konkluzioneve dhe rekomandimeve të raporteve të auditimit si produkte të punës së tij. Kjo vlerë e shtuar e KLSH-së është pasqyruar në rezultatet e vetë KLSH-së, rritjen e ndjeshmërisë dhe interesit publik dhe të njësive publike që auditohen në pranimin e konkluzioneve dhe rekomandimeve, duke rritur shkallën e zbatimit të tyre dhe ndikuar drejtpërsëdrejti në rritjen e përgjegjësisë menaxheriale të menaxherëve dhe drejtuesve të këtyre njësive publike.

 Auditimi i buxhetit të pushtetit vendor

Po t’i referohemi treguesve të punës së Departamentit të Auditimit të Buxhetit të Pushtetit Vendor, Kontrollit të Territorit dhe Administrimit të Aseteve të Qëndrueshme, ku për 9-mujorin e vitit 2014 në 46 auditime të kryera, kemi rekomanduar: Masa zhdëmtimi në vlerë 1,289,423 mijë lekë, masa disiplinore për 586 persona dhe masa organizative janë dhënë 722, për të cilat nga korrespondencat që kemi janë pranuar dhe niveli i zbatimit të tyre është në masën 67 %, nga 40 % që ka qenë para dy viteve. Po kështu, për shkeljet e rënda ligjore janë bërë 14 kallëzime penale për personat përgjegjës dhe vazhdojnë hetimet nga organet përkatëse.

 Takimet këshilluese të KLSH-së

Në vlerësim të zbatimit të rekomandimeve, kanë ndikuar pozitivisht edhe takimet këshilluese të herëpashershme me subjektet e audituara dhe seminari i organizuar me Shoqatën e Bashkive të Shqipërisë, ku nëpërmjet ekspertëve të KLSH-së, janë diskutuar e sqaruar shumë paqartësi e probleme që kishin me raportin e auditimit dhe me rekomandimet, duke i bërë ata të vetëdijshëm se qëllimi i këtij raporti auditimi ka qenë vlerësimi (opinioni) për atë subjekt, nëse veprimtaria e tij është kryer në përputhje me legjislacionin dhe rregullat, si dhe në se burimet në dispozicion janë përdorur në mënyrën më të mirë të mundshme, apo informacioni financiar është i besueshëm. Sigurisht që cilësia e raportit të auditimit dhe rekomandimet nuk japin zgjidhje konkrete të çështjeve, pasi kjo është përgjegjësi e menaxhimit, por i nxitin menaxherët/drejtuesit të japin zgjidhjet e duhura me qëllim që objektivat të arrihen me kosto efektive. E gjithë puna që ka kryer Departamenti i cituar më sipër ka ardhur nga menaxhimi i mirë i cilësisë, duke krijuar një mjedis të brendshëm i cili ka kontribuar për një cilësi të qëndrueshme të lartë dhe përmirësimit të vazhdueshëm të performancës së Departamentit dhe KLSH-së.

 Menaxhimi i cilësisë në auditim

Vetë rezultatet e punës së evidentuar të këtij departamenti, kanë ardhur nga një punë e madhe dhe e kujdesshme e të gjithë audituesve dhe drejtuesve, duke ngritur një sistem menaxhimi cilësie brenda departamentit shumë praktik e efikas. Ne kemi vlerësuar se llogaridhënia dhe transparenca janë dy elementë të rëndësishëm të qeverisjes së mirë dhe nuk mund të ndahen lehtë: Ato të dyja përfshijnë shumë prej veprimeve të njëjta, për shembull, raportimin publik. Koncepti i përgjegjësisë së menaxhimit të cilësisë në departament i është referuar kuadrit ligjor dhe strukturës së raportimit; organizative, strategjive, procedurave dhe veprime që kanë ndihmuar dhe siguruar se Departamenti ka përmbushur detyrimet e tij ligjore në lidhje me mandatin e auditimit dhe të raportimit dhe ndjekjen e mbikëqyrjen e punës audituese. Nocioni i transparencës së një departamenti të auditimit të jashtëm publik i referohet dhënies së një raporti auditimi të besueshëm, të qartë dhe të rëndësishëm brenda kompetencave ligjore, mandatit, strategjive, aktiviteteve, menaxhimin financiar dhe performancës. Po kështu është përfshirë dhe detyrimi i raportimit publik mbi gjetjet dhe konkluzionet e auditimit dhe të publikimit të raporteve të auditimit e njoftimet e tjera në mjetet e informimit publik.

Puna e mirë ka konsistuar dhe në ngritjen profesionale të audituesve në Departament nëpërmjet trajnimeve, ku një auditues vetëm për vitin 2014 ka kryer 25 ditë trajnimi pa cenuar procesin auditues, si dhe ndiqen trajnime online si në organizata ndërkombëtare dhe në ato vendase.

 Kërkesat themelore për një auditim cilësor

Mendoj, se është e nevojshme për lexuesin, por dhe për transparencë publike, të trajtojmë se Auditimi i jashtëm publik dhe rezultatet e tij, konsiderohen se janë të një cilësie të lartë, nëse zbulimet, konkluzionet dhe rekomandimet e paraqitura në raportin e auditimit, përmbushin kërkesat themelore si:

– Domethënia, kur objekti i auditimit ka rëndësi e peshë të mjaftueshme, si në fushën financiare dhe në fushat e tjera të mbuluara me auditim, që ka njësia publike apo zbatimi i politikave të saj. Besueshmëria, shprehet në përmbushjen e programit të auditimit dhe paraqitja, nëpërmjet zbulimeve dhe konkluzioneve (opinioneve), të një panorame të vërtetë e aktuale të njësisë publike, aktivitetit dhe mbështetjen në prova e dëshmi të mjaftueshme e të vlefshme.

– Raporti (opinioni) i auditimit duhet të jetë objektiv, i drejtë e pa paragjykime i mbështetur në dispozita të qarta ligjore e nënligjore, të mbulojë të gjitha çështjet dhe brenda afateve të caktuara. Zbulimet, konkluzionet (opinionet) dhe rekomandimet duhet të jenë paraqitur në mënyrë të qartë dhe të drejtpërdrejtë e të jenë lehtësisht të kuptueshme jo vetëm për specialistët e fushës, por edhe për anëtarët e Kuvendit, apo publikun, që jo gjithmonë mund të jenë ekspertë të këtyre fushave.

– Një ndër hapat më rezultative ka qenë monitorimi i cilësisë (shqyrtime të “nxehta”), ku kemi përfshirë monitorimin e cilësisë të auditimeve të veçanta në fazat e planifikimit, punës në terren dhe raportimit, kjo përcakton verifikimet e brendshme të pavarura nga funksionet e auditimit, të cilat janë ushtruar në fazat e rëndësishme të procesit të auditimit për të siguruar që procedurat e kontrollit të cilësisë janë zbatuar si duhet.

– Hapi i dytë i rëndësishëm është sigurimi i cilësisë (shqyrtime të “ftohta”), por kjo nuk është kryer nga Departamenti, pasi kërkon burime njerëzore shtesë, por kryhet në bashkëpunim me Departamentin e Sigurimit dhe është përqendruar në sigurimin e cilësisë, nëpërmjet vlerësimit periodik të brendshëm dhe të jashtëm për procedurat e kontrollit të cilësisë të vendosura dhe nivelin e zbatimit të tyre.

 Cilësia e auditimeve, edhe falë menaxhimit cilësor të burimeve njerëzore

KLSH, ka krijuar brenda strukturave të saj, por duke angazhuar dhe ekspertë të jashtëm sipas nevojës, një sistem të Menaxhimit të Cilësisë, ku ka përfshirë të gjithë politikat, sistemet, proceset, procedurat dhe burimet e institucionit që janë të domosdoshme për orientimin drejt një niveli të lartë cilësie të aktivitetit drejtues dhe zbatues të KLSH-së, duke e shtrirë atë dhe në departamentet e auditimit. Një problem shqetësues dhe që është vlerësuar maksimalisht është krijimi i një mjedisi pune që i shërben përmbushjes cilësore të kritereve profesionale, menaxhimin e burimeve njerëzore, menaxhimin e rreziqeve institucionale, planifikimin strategjik, komunikimi dhe marrëdhëniet me të tretët dhe mësimin nga përvoja. Këtu si institucion kemi konsistuar në krijimin e një mjedisi pozitiv të punës, duke i dhënë një ton të moralshëm, duke këshilluar për përmbushje të rregullave të etikës dhe vendosjen e disiplinës atje ku është e përshtatshme, sigurimi që të gjithë audituesit kanë dhe ruajnë një nivel të përshtatshëm profesional për kryerjen e detyrave të tyre, përkufizimi i qartë i fushave kryesore të autoritetit dhe përgjegjësisë dhe formulimi i politikave dhe procedurave të menaxhimit e të kontrollit, të cilat janë të bazuara në analizën e rrezikut. Element i rëndësishëm për një cilësi të lartë është vlerësuar dhe menaxhimi i burimeve njerëzore, i cili është realizuar nëpërmjet strategjive, politikave dhe rregullave të qarta për: rekrutimin, formimin vijues profesional, zhvillimin e karrierës dhe zbatimin e standardeve të etikës. Formimi dhe trajnimi vijues profesional u ka shërbyer audituesve për rritjen e cilësisë nëpërmjet formimit teknik, duke i aftësuar audituesit me metodologjinë, njohuritë dhe aftësitë për të planifikuar, zbatuar dhe raportuar, lidhur me tipe të veçanta të auditimit të jashtëm publik, në mënyrë efikase dhe të një cilësie të lartë. Nga KLSH , është krijuar traditë që formimi fillestar kryhet nëpërmjet burimeve të brendshme të KLSH-së, ndërsa ai teknik dhe ai menaxherial, në varësi të mundësive janë kryer përmes ofrimit nga organizatat profesionale apo institucionet akademike. Sistemi i vlerësimit të punës që kryhet çdo vit sipas linjës hierarkike të ndarjes së detyrave, është i rëndësishëm në sigurimin e cilësisë, aq sa rekrutimi transparent, konkurrues, i drejtë e objektiv dhe formimi vijues profesional. Motivimi i audituesve për përparimin në karrierë, është mbështetur në kombinimin e vlerësimeve periodike të punës, testimit të njohurive të përftuara nga formimi vijues profesional dhe testimeve specifike për pozicionet e synuara