Azili, në çdo 1000 banorë, 7 kërkesa për të ikur

588
Sigal

19 mijë shqiptarë aplikuan në 2018-n, numri më i lartë në raport me popullsinë

Shqipëria, vendi i parë në botë me kërkesat për azil në BE

Eurostat: Për çdo 1000 banorë, 6.6 kërkesa

Pavarësisht uljes së tendencave për azilkërkimin në periudhat e fundit, sërish qytetarët shqiptarë janë populli me kërkesa më të larta për azil në botë, në raport me popullsinë. Shqipëria lë pas edhe vendet që janë në luftë, teksa vetëm gjatë vitit të kaluar ka pasur 19 mijë kërkesa nga qytetarët shqiptarë për azil në një nga vendet e Bashkimit Evropian. Të dhënat janë raportuar nga Instituti Evropian i Statistikave që e rendit Shqipërinë në vendin e nëntë për nga numri i azilkërkuesve në vlerë absolute, pas Sirisë, Afganistanit, Irakut, Pakistanit, Iranit, Nigerisë, Turqisë, Venezuelës. Megjithatë, në raport me popullsinë, të dhënat për numrin e azilantëve shqiptarë, për 1,000 banorë rezultojnë se aplikuan 6.6 persona, duke u renditur të parët në botë për nga numri i aplikimeve në raport me popullsinë. Në vend të parë në vlerë absolute, është Iraku, me rreth 81 mijë aplikime. Në raport me vitet e kaluara numri i azilantëve shqiptarë ka rënë. Rekordi u arrit në 2015-n, kur kishte rreth 69 mijë aplikime, për të zbritur në rreth 33 mijë në 2016-n, dhe 26 mijë në 2017-n .. Në vend të dytë janë gjeorgjianët, me 4.6 aplikime për 1000 banorë, të ndjekur nga sirianët, me 4.4 aplikime. Në total, sipas Eurostat, në vitin 2018, 580 800 azilkërkues për herë të parë kanë aplikuar për mbrojtje ndërkombëtare në Shtetet Anëtare të Bashkimit Evropian (BE), duke rënë me 11% krahasuar me 2017 (654 600) dhe më pak se gjysma e numrit të regjistruar në vitin e pikut 2015 kur janë regjistruar 125646 aplikantët për azil të parakohshëm.