Azili, në 10 vite, 178 mijë Shqiptarë pushtojnë Evropën

602
Sigal

Në 10 vitet e fundit 178 mijë qytetarë nga Shqipëria aplikuan për azil. Ja shtetet me më shumë kërkesa

Azilantët shqiptarë “pushtojnë” Evropën

Në dekadën e fundit kryefjala e fenomenit të emigracionit në vendin tonë ka qenë largimi i qytetarëve nëpërmjet azilkërkimit në vendet e Evropës, kryesisht në Gjermani, Francë e Britani. Numri i lartë i qytetarëve që janë larguar përgjatë 10-vjeçarit të fundit është parë si një eksod i radhës i popullsisë shqiptare pas atyre të fillimit të demokracisë dhe vitit 97. Kushtet e vështira ekonomike e sociale dhe mundësia për një jetë më të mirë kanë shtyrë me mijëra shtetas shqiptarë që të braktisin vendin. Në fakt, duke iu referuar shifrave zyrtare të Institutin Evropian të Statistikave, për periudhën 2009-2018, kanë qenë plot 178.515 mijë shqiptarë që kanë aplikuar për herë të parë për azil, duke u renditur të parët në Evropë për numrin e lartë të azilantëve. Viti që shënoi numrin më të lartë të aplikimeve ishte 2015-a me 69 mijë të tilla. Ndërkaq, në raport me popullsinë Shqipëria renditet e para në botë për numrin më të lartë të aplikimeve për azil në BE, duke kaluar edhe popujt që ikin nga vendet në luftë.

Vendet e preferuara të azilantëve shqiptarë

Sipas të dhënave të Eurostat, tre shtetet me flukse më të larta të azilkërkuesve shqiptare janë Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe. Gjermania ishte fillimisht vendi “i artë” për azilkërkuesit nga vendi ynë, ku përgjatë 10 viteve raportohet se kanë bërë kërkesa për azil plot 84 mijë shqiptarë, ose 47% e totalit të aplikimeve në dekadën e fundit. Numri më i lartë i aplikimeve ishte në 2015-n, me 54,760 kërkesa. Pas këtij bumi lëvizjesh drejt Gjermanisë, shteti atje vendosi kritere më të forta për pranimin e azilantëve që kërkonin azil ekonomik, duke i dhënë prioritet kryesor të ikurve nga vendet e luftës, një mënyrë kjo edhe për të frenuar ardhjet nga vende të cilësuara të sigurta siç ishte dhe vendi ynë. Kështu, në vitin 2018 kishte vetëm 1875 aplikime nga Shqipëria. Për sa i përket Francës, janë rreth 41 mijë shqiptarë që kanë aplikuar për azil që prej 2009-s, duke u renditur vendi i dytë pas Gjermanisë me numrin më të lartë të azilkërkuesve, ose 23% e totalit të aplikimeve në 10-vjeçarin 2009-2018, gjithnjë sipas Eurostat. Aplikimet janë rritur vitet e fundit, duke u bërë dhe vendi më i preferuar për të aplikuar si azilant për shkak të lehtësive që ofronte shteti francez, sidomos për familjet me fëmijë të vegjël. Aplikimet në Mbretërinë e Bashkuar kanë dukshëm diferencë me Gjermaninë dhe Francën. Prej 2009-s atje aplikuan rreth 13,600 shqiptarë, rreth 8% e totalit të aplikimeve. Greqia është e katërta në renditje, ku në 10 vitet e fundit ka pasur rreth 9,500 aplikime. Pas saj, e ndjekur nga Suedia me rreth 9,245. Megjithatë, pavarësisht numrit të lartë të aplikimeve, Shqipëria konsiderohet si vend i sigurt dhe azilantët e saj nuk shihen me shumë prioritet, ndaj pjesa më e madhe e tyre nuk pranohen nga shtetet pritëse dhe kthehen mbrapsht.