Avokati i Popullit: Pronarët të kompensohen me toka shtetërore

539
Sigal

Avokati i Popullit: 26 mijë subjekte po mbahen peng për kompensimin dhe kthimin e pronave

“Qeveria t’i kompensojë pronarët me mijëra hektarë tokë shtetërore që zotëron”

Çështja e trajtimit të pronave vijon të paraqesë problematika për sa i përket zgjidhjes së procedurave për kompensimin e tyre. Institucioni i Avokatit të Popullin vlerëson në një analizë të tij, të zbardhur nga televizioni SCAN, se shteti i ka të gjitha mundësitë t’i kompensojë pronarët falë mijërave hektarë tokë që ka në pronësi, por që nga ana e qeverisë është zgjedhur kompensimi financiar. Sipas Avokatit të Popullit, çështja e trajtimit të pronave po mban peng 26 mijë subjekte që presin kompensimin ose kthimin e pronës. “Edhe pse janë të evidentuara mijëra hektarë tokë me regjim juridik “Shtet”, të mjaftueshme për zgjidhjen e çështjes së kompensimit në natyrë, kjo çështje sipas Ligjit nr.133/2015, është adresuar kryesisht për t’u zgjidhur me anë të kompensimit financiar. Mosekzekutimi deri më sot i 26 mijë vendimeve me të drejtë kompensimi, të dhëna ndër vite prej Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ish Pronarëve (AKKP), sot Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP), ka bërë që ky proces të mbetet ende në kuadrin deklarativ”, theksohet në analizën e Avokatit të Popullit, në të cilën gjithashtu shprehen rezerva të forta edhe për mungesën e vullnetit për të ekzekutuar vendimet e njohura për kthim kompensimin e pronarëve. “Çështja e moszbatimit të vendimeve të gjykatave si dhe i vendimeve administrative, në lidhje me kthimin dhe/ose kompensimin e pronarëve ka qenë dhe mbetet një problem sistematik. ATP-ja edhe pse është urdhëruar të përmbushë detyrimin në të holla sikurse është vendosur nga gjykata, zvarrit pa shkak ekzekutimin e tyre”- vëren Avokati i Popullit. E njëjta situatë vërehet dhe në procesin e ekzekutimit të vendimeve të dhëna prej Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, me palë shtetin shqiptar, i cili duhet të përmbushë detyrimet e vendosura në këto vendime, brenda afateve të përcaktuara. Sipas Avokatit të popullit, detyrimi i parashikuar në pikën 1, të nenit 34, të Ligjit nr.133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, për përfundimin e procesit të shqyrtimit të dosjeve që janë aplikuar para hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe që kanë qenë në proces shqyrtimi pranë ATP-së, brenda një afati 3 vjeçar nga hyrja në fuqi e ligjit, nuk është përmbushur nga ana e ATP-së. “Parashikimi i kryer në ligjin 133/2015, për detyrimin e ATP-së për të mos trajtuar me vendim kërkesat që mbështeten vetëm në një vendim gjyqësor të vërtetimit të faktit juridik të pronës, neni 27/3 i Ligjit 133/2015, vlerësojmë se nuk vjen në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurave Administrative, si dhe nuk respekton të drejtën për një proces të rregullt ligjor, apo edhe të drejtën e pronës.”- paraqitet nga Avokati i Popullit.