Autoriteti i Konkurrencës gjobit azerët e ARMO-s

690
Sigal

Autoriteti i Konkurrencës ka gjobitur kompaninë Heaney Assets Corporation, aksionarin kryesor të sipërmarrjes së rafinimit të naftës ARMO, me 1% të xhiros, për mosdhënie informacioni. Autoriteti i Konkurrencës sqaron se me anë të shkresës nr. 316 prot, datë 03.09.2013, është njoftuar për përqendrimin me objekt shitblerjen e pjesshme të konsorciumit AMRA Oil SHA (e cila përbëhet nga aksionet e shoqërisë Anika Enterprises S.A) shoqërisë Armo SHA (indirekt) dhe shoqërisë Europetrol SHA (Europetrol) nga shoqëria Heaney Assets Corp. Ky transaksion, i cili ndryshon cilësinë e kontrollit në shoqëritë e sipërpërmendura në formën e përftimit të kontrollit direkt dhe indirekt, përbën një përqendrim në bazë të nenit 10 pika 1) , shkronja b) e Ligjit nr. 9121, datë 28.7.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, i ndryshuar. Për të vlerësuar nëse ky përqendrim duhet të autorizohet nga Komisioni i Konkurrencës duhet të plotësohen kriteret e xhiros, parashikuar në nenin 12 të Ligjit për ndërmarrjet pjesëmarrëse në përqendrim. Pala njoftuese ka depozituar të dhënat mbi xhirot për ndërmarrjet pjesëmarrëse (Heaney Assets Corp, AMRA Oil SHA, Europetrol SHA), ndërkohë që me gjithë kërkesat e përsëritura shkresat nr. 316/3 prot, datë 30.09.2013, nr. 316/6 prot, datë 25.10.2013 dhe nr. 316/8 prot, datë 28.11.2013 si dhe shtyrjen e afatit që me shkresë nr. 316/10, 29.01.2014, të Autoritetit të Konkurrencës, ajo nuk ka arritur të vendosë në dispozicion të Autoritetit pasqyrat financiare të shoqërisë Anika Enterprises për vitin 2012. Komisioni ka marrë Vendim nr. 311, datë 17.04.2014 “Kërkesë për sigurimin e të dhënave financiare të shoqërisë Anika Enterprises S.A”, duke vënë afatin 15 ditor për depozitimin e tyre nga pala njoftuese. Shoqëria, edhe pas përfundimit të afatit të përcaktuar në Vendimin e Komisionit nuk ka dërguar pranë Autoritetit të Konkurrencës të dhënat financiare të shoqërisë Anika Enterprises S.A.

Sjellja e shoqërisë Heaney Assets Corporation në lidhje mossigurimin e informacionit të plotë brenda afatit kohor të përcaktuar në Vendimin e Komisionit të Konkurrencës nr. 311, datë 17.04.2014, cilësohet si shkelje e lehtë në bazë te nenit 73, pika1, gërma a), për rrjedhojë është e dënueshme me gjobë në masën jo më shumë se 1 % të xhiros totale të vitit financiar paraardhës. Për rrjedhojë, Autoriteti ka vendosur të gjobisë në vlerën 100.000 (njëqind mijë) Lekë ndërmarrjen Heaney Assets Corporation përfituese e kontrollit të shoqërive AMRA Oil SHA, Armo SHA dhe shoqërisë Europetrol SHA, për mosdhënie të dhënash brenda afatit kohor të përcaktuar në Vendimin e Komisionit të Konkurrencës nr. 311, datë 17.04.2014. Ndërkohë, ARMO ka rezultuar me një aktivitet tepër të dobët për vitin 2013.