Auditimi kombëtar duhet të vihet në shërbim të qeverisjes kombëtare

716
Sigal

KLSH organizon Konferencën Shkencore 2013

Konferenca Shkencore vjetore e Kontrollit të Lartë të Shtetit “Roli i Institucionit Suprem të Auditimit për një Menaxhim Publik të Përgjegjshëm në sfidat e sotme”, u zhvillua në datat 12-13 dhjetor 2013. Ajo ishte e dyta, pas Konferencës së Parë Shkencore të KLSH, në dhjetor 2012, të titulluar “77 vjet KLSH në 100 vite Shtet Shqiptar”, e cila u përqendrua në historikun dhe vlerat e shpalosura në kohë të institucionit kushtetues të KLSH.

E veçanta e kësaj Konference ishte tema e saj, që përbën kryefjalën e menaxhimit publik në ditët tona, dhe që kërkon shëndoshjen dhe rritjen e përgjegjësisë së financave publike. Në këtë Konferencë morën pjesë përfaqësues të lartë të institucioneve supreme të auditimit të Polonisë, Turqisë, Suedisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Bosnje-Hercegovinës, si dhe z. Robert Gielisse, Drejtor Drejtorie në Drejtorinë e Përgjithshme të Buxhetit të Komisionit Evropian, përfaqësuesi i lartë i Gjykatës Europiane të Audituesve dhe Këshilltarë të lartë të SIGMA.

Konferencën e përshëndeti Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta. Në fjalën e tij, Meta tha se, përmirësimi i sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës në Shqipëri është i kushtëzuar dhe nga progresi dhe suksesi i institucioneve themelore kushtetuese te vendit, ndër të cilat është edhe KLSH. “Askush nuk është i imunizuar nga shkeljet ligjore dhe abuzimet me pronën e shtetit”, tha Meta.”Aq më tepër vetë pushteti”. Kryetari i Kuvendit premtoi rishikim të shpejtë nga Parlamenti të draftit të ri ligjor me amendime, që KLSH ka dërguar një vit më parë.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryetari i KLSH Bujar Leskaj theksoi se rëndësia e aktiviteteve të tilla shkencore për komunitetin auditues të vendit dhe më gjerë buron nga standardet INTOSAI, nga Deklarata e Limës, nga standardi ISSAI 20, parimet 7 dhe 8, si dhe nga Drejtimi Strategjik i Dytë i INTOSAI-t për ndërtimin institucional të kapaciteteve. Institucionet supreme të auditimit(SAI-t) kanë nevojë të shkëmbejnë mendime për gjetjet e auditimeve të tyre, të ndajnë metodologjitë e përparuara dhe të përfitojnë nga inovacioni në teknikat dhe përafrimet audituese të njeri-tjetrit. Kërkimi i aplikuar shkencor në auditimin publik e ndihmon pikërisht këtë nevojë të SAI-ve për progres dhe efikasitet të shtuar.

Gjatë ditës së parë të Konferencës, ndër punimet qendrore ishin kumtesat e përfaqësuesit të Drejtorisë së Përgjithshme të Buxhetit të Komisionit Evropian për “Përgjegjshmërinë menaxheriale si parakusht për qeverisje të mirë dhe lehtësuesen kryesore për ofruesit e sigurimit të përdorimit të fondeve publike” dhe të përfaqësuesit të Gjykatës Evropiane të Audituesve për “Rëndësinë e rritjes së rolit mbikëqyrës mbi financat shtetërore të auditimit publik, në kontekstin e krizës ekonomike botërore”. Z. Gielisse, përfaqësuesi i DG-Budget, theksoi se llogaridhënia menaxheriale, si përbërës thelbësor i mirëqeverisjes mund të sigurohet vetëm nëpërmjet transparencës së plotë të veprimtarisë menaxheriale, delegimit të kompetencave dhe marrjes së informacionit në këmbim.

Z. Jacek Jezierski, ish-President i Zyrës Kombëtare të Auditimit(NIK) të Polonisë, nënvizoi në kumtesën e tij se thellimi në analizën e riskut, në planin vjetor të auditimeve dhe marrja e informacionit nga burime të ndryshme, përfshirë dhe shoqërinë civile dhe mediat, ndihmon në përzgjedhjen efikase të subjekteve dhe tematikave për auditimin vjetor.

U vlerësuan shumë nga të pranishmit edhe kumtesat e përfaqësuesve nga SAI-t partnerë të Gjykatës së Llogarive të Turqisë, të Zyrës Kombëtare të Auditimit-NIK të Polonisë, të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë, të Zyrës së Audituesit të Përgjithshëm të Kosovës, të Zyrës Shtetërore të Auditimit të Maqedonisë, si dhe të përfaqësuesve të SIGMA, për rolin e standardeve ISSAI në përmbushjen e misionit të SAI-ve, për auditimin e rregullave fiskalë, për dobitë dhe modalitetet e bashkëpunimit mes audituesve të brendshëm dhe të jashtëm të sektorit publik, për metodën e re të kampionimit në auditimin e fondeve të BE, etj.

Gjatë ditës së dytë, ide dhe sugjerime të vlefshme për mbikëqyrjen e financave publike u dhanë nga kumtesat e përfaqësuesve të Institutit të Ekspertëve Kontabël të Autorizuar, Këshillit Kombëtar të Kontablitetit, botës akademike, profesoratit shqiptar dhe shoqërisë civile.

Konkluzionet e Konferencës u dhanë në fund të saj nga tre bashkëdrejtuesit, nga z. Joop Vrolijk, Këshilltar i Lartë i SIGMA-s, z. Jacez Jezierski, ish-President i NIK dhe nga z. Bujar Leskaj, Kryetar i KLSH. Mesazhi më i rëndësishëm që Konferenca përçoi ishte që auditimi kombëtar duhet të vihet në shërbim të qeverisjes kombëtare, për përmirësimin e menaxhimit publik financiar të vendit.