Auditimi i shtetit midis lupës së investiguesit, gardianit të pasurisë publike dhe hostenit për cilësinë e qeverisjes

767
Gjurmime të zhvillimeve historike të auditimit para themelimit te shtetit shqiptar.
Trajektorja e zhvillimeve shekullore në mbrojtje të pasurisë dhe parasë publike, apo zotërimeve të sundimtarëve a kishave, nga vjedhja dhe shpërdorimi, është sa e vjetër, aq dhe e koklavitur. Në një rrugëtim kronologjik midis befasive dokumentare dhe fondeve arkivore, të krijohet bindja se fillesa apo faza embrionale të akteve e praktikave të auditimit dhe kontrolleve mbi financat, hasen në vendin tonë qysh përpara Mesjetës. Që në periudhat e sundimit të Perandorit Justinian, (shek.V-VI), për veprimet korruptive të zyrtarëve që prireshin e tërhiqeshin nga fitimet e mëdha, por të dënueshme në punët shtetërore, lëshoheshin akte të përgjithshme represive për ndëshkimin dhe dënimin e pёrgjegjёsve. Mungesa e imunitetit ndaj abuzimeve dhe përvetësimit të të hollave, shpallej përmes urdhëresash, ku shpesh herё zinte vend dhe porosia morale e mёposhtme: “…sundimtarët e provincave që kanë drejtimin civil, të ruajnë duart e tyre të pastra dhe të përmbahen nga çdo interes, duke u kënaqur vetëm me atë që u jepet atyre nga thesari i shtetit…Nga fjalët hyjnore më e çuditshmja dhe më e drejta është kjo, se dëshira për argjend është nëna e gjithë të këqijave dhe veçanërisht kur ajo bën folenë jo në shpirtërat e qytetarëve të veçantë, por në atë të sundimtarёve. Dhe ne nuk do të ishim në gjendje as të vërenim, as të tregonim se sa gjёra të këqija ndodhin për shkak të vjedhjes së sundimtarëve të provincave, meqenëse askush nuk guxon haptazi ti dënojë, pasi ata menjëherë shfajësohen me faktin se ofiqet janë të blera…” .
Letrat dhe dokumentat arkivore
Edhe shekuj më vonë, letrat dhe dokumentet arkivore dëshmojnë qartazi se, nën pushtimin venedikas të Shqipërisë, nuk kanë munguar episode të abuzimit apo cënimit të arkës shtetërore. Madje, vetë shteti venedikas i bënte ato raste publike, në procese gjyqësore të veçanta. Nëpërmjet këtij gjesti, duke vendosur nën akt-akuzë disa ish-zyrtarë e qeveritarë, shteti venedikas me anë të levës së kontrollit mbi arkën e vet, synonte të ruante prestigjin para popullsisë vendase dhe të siguronte vjeljen e të ardhurave nga taksat. Në shekullin e XV fakte mbi cënimin e arkës së shtetit hasen rëndom, ku mund të përmendim ndëshkimin e qeveritarëve të Drishtit (Andrea Lauredano), qeveritarëve të Durrësit (bajli Mateo Gradoniko) në shkurt të vitit 1419 , etj. Vendosja e rregjimit tё ri të taksës doganore 1,5 % mbi mallrat që tregtoheshin në vitin 1408, nga ana e Komunёs sё Durrësit, u shoqёrua me forcimin e administrimit si dhe pёrmirёsimin e inventarizimit dhe ruajtjes. Madje, “kërkohej nga shteti që këto të ardhura të mbaheshin në nje arkë me tre çelsa të ndryshëm, nga të cilët, vetëm njërin ta mbante qeveritari venedikas, ndërsa të tjerët ti mbanin dy nga qytetarët e Durrësit, që durrsakët ti zgjidhnin nga këshilli i tyre” (po aty, faqe 125). Korpusi i mbikëqyrjeve dhe kontrolleve të qeverisë përmblidhte asokohe si inspektimet e zakonshme e të jashtëzakonshme, ashtu dhe revizorët (sindikët) apo komisionet e detyrueshme të inspektimit. Të gjithë këto kontrolle ndikonin në reduktimin e abuzimit me funksionet dhe pasurinë e shtetit. Për të sqaruar më mirë këto tregues kontrolli (periodicitetin e realizimit të kontrolleve, kuadrin e udhëzimeve të rrepta të një pushteti ndërshkimor), le t’i referohemi At Giuseppe Valentinit: “Është folur më parë për ’revizorët’ apo inspektorët që me periodicitet të rregullt, apo në mënyre jo të zakontë dërgoheshin me udhëzime të rrepta për të vënë në lëvizje masa drejtësie kundër rektorëve dhe zyrtarëve. E nëse nuk mjaftonte kjo, ngriheshin edhe forma të tjera inspektimi …Zakonisht më pas përfshiheshin dhe ’komisionet’ apo udhëzimet e rektorëve të qyteteve të tjera, llogarisim se kjo ishte bërë një normë e përbashkët”.
Komisionet qarkulluese të rekrorëve
Si masë mbrojtëse e integritetit, konsiderohen komisionet qarkulluese të rektorëve, që mbulonin me inspektime e kontroll njësi të mëdha territoriale. Dallojmë jo vetëm rotacionin e rektorëve në komisionet dhe grupet e udhëzimeve, por dhe rishikimin e punës së revizorëve përmes ri-revizionimit të detyrueshëm nga rektori i ri i emëruar. Citojmë:
”Inspektimi i zakonshëm iu hoq këtyre rektorëve dhe iu besua rektorëve pasues: rektori i ri në gjashtë ditët e para të mbërritjes së tij, duhej ashtu si revizorët e zakonshëm ’të reviziononte’ veprimet e funksionarëve të rektorit të mëparshëm duke shqyrtuar ankesat përkatëse dhe të pёrgatiste procesin për t’ia përcjellë Avogatori de Comun, gjykatësve të cilëve u ishin besuar çështjet e abuzimeve në administratën shtetërore, prandaj pasi ishte larguar rektori i shkarkuar, funksionarët e tij duhet të ndaleshin në Durrës, pothuaj gjashtë ditë, për të paraqitur kartat e tyre, nese jo procedohej në mungesë dhe ata ngarkoheshin me gjobë”.
Meriton konsiderim të posaçëm fakti që, “në shtetin e Skenderbeut kishte organe të larta të administratës shtetërore me funksionarë të ngarkuar në punët e drejtësisë dhe të financave të shtetit, siç nënvizon studiuesi V. Meksi. Mund të nxirret përfundimi se në shtetin e Skenderbeut ka patur një farë ndarje të të ardhurave personale nga ato shtetërore…”Rregulli sundonte nën mbretërinë e Skënderbeut”, thotë bashkëkohësi i vet Dh. Frangu. (Shih, Konferenca e II e Studimeve Albanologjike,Tiranë 1968, faqe 619). Mё konkretisht, në këtë aparat financiar vërejmë dukuri që paraqesin interes shkencor: ekzistonte ndarja e qartë e funksioneve ekzekutive të sektorit financiar (përfaqësuar nga logethi Ninc Vukosaliq), nga funksionet mbikёqyrëse e supervizuese, (që i ishin besuar Pal Gassullit). Kështu, burimet thonë se, Pal Gassulli u bë “ambasador i Skënderbeut dhe supervizor (mbikëqyrës) i depozitave financiare që kishte kryekapedani shqiptar në Bankën e Komunës së Raguzës”. (K.Frashëri “Gjergj Kastrioti-Skenderbeu”, Tiranë 2002, faqe 203). Norma dhe rregulla kontrolluese bëhet prezente në dokumente, bujurdi, dëftesa dhe dekrete të Sulltanit gjatë sundimit otoman në vendin tonë, por që mjaftohen vetëm më vjeljen e taksave dhe kuadrimin e arkave. Në vitin 1700, ndër të tjera, dekreti i Sulltanit drejtuar Mitropolisë së Beratit, urdhëronte qё, “mbas këtij raportimi, të kontrollohen gjithë rregjistrat qё ruhen nё arkivin mbretnor…” . 
Po kёshtu, koleksionet e ndryshme të korespondencave, që lidhnin Sanxhakbeun e Shkodrës me Valiun, nё vitet 1700-1703, ndriçojnë plot raste, teksa ky i fundit tërhiqte verejtje per dorëzimin mangut të taksave te sanxhakut, etj. Në vitin 1840 një bujurulldi e lëshuar nga zyrtarët e Sheries së Beratit, bënte fjalë për fallsifikime dhe shtypje monedhash të reja; në v.1842 disa fermane flasin për abuzimet në mbledhjen e taksës së xhizjes (Shih, AQSH, F.128,D-55); në 1845 ndeshim raportin e të dërguarit të Valiut të Janinës, lëshuar për kontrollin e llogarive të Kazasë së Beratit (F.128,D-99), kurse në 1866 bilancin e nënshkuar tё Detpublikut të Obotit mbi kontrollin e gjendjes së arkës në muajin mars 1866 (F. 878,D-9). Gjithashtu dokumentimi i veprimeve në rregjistra dhe zbardhja e gjёndjes së arkës nga istitucionet eprore haset më shpesh. Të këtilla janë kontrollet e gjendjes së arkës nga ana e Financës së Elbasanit në vitin 1869, korespondencat e Ministrisë së Financave me Sanxhakbeun e Dibrës dhe Kazanë e Elbasanit për gjendjen e arkës gjatë periudhës 1870-1871 (F.113,D 8-26), me Vilajetin e Manastirit, Snxhakbeun e Shkupit, etj. mbi kontrollin e gjendjes së arkës dhe buxhetin konsuntiv të llogarive të këtij qyteti (F.113, D 8-34 të AQSH); 
Kontrolli i administrimit në objektet e kultit
Si teknika të kontrollit, në Mesjetë ndeshen kryesisht inventarizimi dhe inspektimi fizik i sendeve dhe aseteve kishtare. Këtë teknikë vërtetimi e përmend në relacionin e datës 20 tetor 1637, arqipeshkvi i Tivarit Gjergj Bardhi, kur shkruan: ”Kemi gjetë inventarin e të tretit paraardhës tonë për sendet e kishës dhe argjendarinë”. (Burimi: I. Zamputi, “Relacione mbi gjendjen e Shqipërisë Veriore e të Mesme në shekullin e XVII”, Tiranë 1965, faqe 93). Përballë gjëndjeve të amullisë dhe mosdokumentimit, inspektorët apostolikë jepnin sygjerime për rregullimet vijuese, që “gjithë ordinarët, t’i detyronin famulltarët të vërtetojnë me aq sa është e mundur, gjendjen reale të veprave ekzistuese…duke përpiluar nga nevoja, sipas normave kanunore, dy inventare, njërin për zyrën e famullisë dhe tjetrin për ordinaritetin”. Ky përcaktim detyrues, që ngarkon njësitë e shërbimit klerikal bazë me përgatitjen e dy inventareve dhe dorëzimin e kopjeve në strukturat eprore, shënon progres në planin kontrollues, aq më tepër që kjo si normë e administrimit kishtar ka ekzistuar shumë kohë më parë. Këndvështrimi tjetër interesant i mbikqyrjeve të dioqezave dhe famullive katolike, lidhet me caktimin e përgjegjësive të dorëzimit të detyrës, njëherësh me dorëzimin e inventarit të pasurisë (ku përfshihej dhe gjendja e arkës). Ja si trajtohet ky konstatim në një fragment të raportit zyrtar:
”E metë tjetër që ndikon në keqadministrimin e pasurive fetare, është se në rastin e transferimit të famulltarëve, nuk bëhet asnjëherë pranim – dorëzimi i detyrës tek famulltari tjetër. Famulltarët kur largohen nga famullitë, nuk u lënë pothuajse kurrë pasardhësve tregues të plotë lidhur me pasuritë e kishave, për të ardhurat, për të dhjetën, borxhet e kreditë, shërbyesit, etj. Kështu që, pasuesi, i cili me forcë duhet të marrë administrimin, e ka të vështirë t’ia dalë në krye. Me këtë, është e lehtë të kuptohet se sa abuzimeve u hapet shteg duke dëmtuar vetë veprat, ndoshta dhe ndërgjegjen e administratorëve përkatës të tyre e duke skandalizuar besimtarët”. Përndryshe nga pjesa qendrore dhe veriore e Shqipërisë, në gjurmën e Kodikёve të Korçës dhe Selasforit, të cilët mendohet të jenë themeluar nga viti 1676, në këto treva e rajone hasen praktika dhe simbolika tipike të kontrollit të llogarive. Duhet nёnvizuar se nё këto kodikë pasqyrohen jo vetëm testamente, rregjistrime të popullsisë, akteve e shёrbesave tё shenjta kishtare, por dhe shqyrtimet e akteve financiare. Kodiku i Korçës dhe Selasforit disiplinonte marrёdheniet e besimtarëve të komunitetit orthodoks dhe shpjegon një nivel familjarizimi me rregullat e administrimit brenda këtij komuniteti. Në një pjesë të mirë të tij janë rregjistruar zëra të shpenzimeve dhe të ardhurave kishtare. Regjesti i materialeve të Kodikut tё ballafaqon sa me testamente të ndarjes së pasurisë mes familjeve, me marrjen në ngarkim të pjesës së trashëgimisë, me vlerën e dhuratave të përshpirtshme në të holla, me sipërfaqet e tokës së bukës a vreshtave që i përkasin kishës, objektet kishtare, etj. Në numra të veçantë të tij, faqe të ndryshme tё regjestit inkudroheshin llogaritë e kujdestarëve të kishave të ndryshme. Kështu p.sh “Llogaritë e epitropit (kujdestarit) të kishës, Vasil Markos” janë vendosur në dokumentin 59F, 20 janar 1830; “Llogaritë e epitropit të kishës, Kristos” në dokumentin 50, dhjetor 1811; “Llogaritë e epitropit të kishave, Haritos” në dokumentin 55, janar 1815, etj. (Për hollësi shiko: ”Materiale dokumentare për Shqipërinë Juglindore”, Tiranë 1981, faqe 1).
Pozitat e kontrollorit e të inspektorit në këto kodikë janë të sintetizuara në funksionin e emërtuar “Këqyrës të llogarive të Epitropëve”. Akte të veçanta të kodikut shpjegojnë se, këqyrja dhe vërtetimi i llogarive të kishёs kryhej nga njohёs tё zot të llogarive sipas procedurave tё shpallura qё mё parё. Fillimisht verifikohej rregullshmëria e rregjistrimit të të ardhurave dhe shpenzimeve, testamenteve, dhuratave nga epitropet, etj. Në mjaft raste niveli i mbikëqyrjes, tenton shqyrtimet analitike, si pjesë e analizës së kontrollit të arkave. Duke renditur e referuar disa dokumente të Kodikut të Korçës dhe Selasforit, duam tё ilustrojmë stadin e këqyrjes së llogarive tё arkave dhe pasurive kishtare tё mitropolisё:
– Dokumenti nr. 98 i Kodikut, i datёs 19 maj 1840 prezanton komisionet qё verifikonin gjёndjen e pasurisё sё kishave tё Korçёs.
– Nё vitin 1848, nё bazё tё kanonizmёs sё Kishёs u vendos tё transkriptohen (shpallen) nё Kodik dёftesat zyrtare tё shlyerjeve, akt-marrёveshjet, akt-shitjet dhe tё tjera akte qё pёrgatiten nё mitropolinё e qytetit.
– Njё tjetër dokument i kёtij kodiku pёrcakton se, kisha kёrcёnonte me mallkim ata epitropё qё duke patur nё dorё administrimin e pasurive tё mitropolisё, bёnin abuzime, fakt ky qё nuk ishte i rrallё.
– Rregjistrat e Gjykatёs sё Sheries sё Korçёs listonin jo pak vendime tё ashpra ndaj epitropёve dhe mytevelinjve, qё nuk e pёrmbushnin detyrёn sipas porosive tё kanonikut. Pёrmbajtja e njё shkrese ndёrshkimi ёshtё kjo:
“Dekret me tё cilin pushohet myteveliu i vakёfit tё Iljaz Beut Mirahorit, sepse tё ardhurat e vakёfit i ka pёrdorur e i ka shpenzuar keq dhe nё vend tё tij emёrohet mё i madhi, mё i miri dhe mё i pjekuri i familjes se Iljaz Beut, Sali Beu, me konditё qё t’i shtrohet kontrollit tё zyrёs sё vakёfit dhe çdo mot tё paraqesё nё mёnyrё tё rregullt pasqyrat e llogarisё”. (AQSH, Fondi Gjykata e Sheries së Korçёs, rregjistri numёr 8). Pёrgjithёsisht nё komunitetin ortodoks me administrimin e pasurise ngarkoheshin epitropёt, tё cilёt zgjidheshin nga mbledhja e pёrgjithshme e qytetarёve. Kanonizma qё ato detyroheshin tё respektojnё, bazohej mbi kёto proncipe:
 Epitropёt derdhnin çdo muaj nё arkёn e llasos (arka popullore e komunitetit) tё gjithё tё ardhurat e kishёs, kundrejtё dёftesёs sё arkёtarit.
 Epitropёt s’duhet tё bёjnё asnjё shpenzim, pёrveç pagesёs sё rrogёs sё psaltit, dhe pёr çdo shpenzim tjetёr gjatё muajit duhet vendimi i pёrbashkёt i katёr epitropёve.
 Epitropët duhej detyrimisht “tё mbanin llogari tё rregullta tё ardhurash dhe shpenzimesh tё kishave, nё njё libёr zyrtar, tё posaçёm pёr kёtё punё”, dhe sipas plotёsimeve vijuese ”nё libra me faqe tё numёruara dhe tё bёra zyrtare me anё tё nёnshkrimit tё epitropёve dhe tё vёrtetimit tё arkiereut” .
Administrata mbështetёse kishtare reduktohej nё postet e arkёtarit, pёrgjegjёsit tё inventarit tё kishave, tё kujdestarit dhe sekretarit që mbante llogaritё mujore. Nё nenin 15 tё rregullores sё Kanonizimit tё Kishave pёrcaktohej tekstualisht: “Tё dielën, fill pas 30 janarit, epitropёt i nёnshtrohen dhёnies sё llogarisё, duke dorёzuar para disa ditёve librat nё komisionin kontrollues, dhe, pas dhёnies sё llogarisё, lënë librat dhe çelësat mbi tryezёn e ndodhur në mes të sallës së mbledhjes sё pergjithshme”. Pas ballafaqimit tё tё dhёnave, autoritetet kishtare shpallnin pёrfundimet pёr vlerёn dhe saktёsinё e pasurisё sё dokumentuar. Konkretisht, sipas verifikimeve tё kryera mё 29.12.1811 nga Joasifi i Korçёs, rezultoi: 
“orienditë e kishës kishin mbetur të sakta dhe ndaj rregjistrohen: kandila të argjendtë 3, kurora të argjendta të ikonave të shenjta 27, temjanicë e argjendtë 1, ungjill i shenjtë i argjendtë 1, kryq i vogël i argjendtë 1, kryq i vogël i argjendtë i vjetër 1, petrail 1, fellone 2, potire të argjendta 2 etj…” . Njё dёshmi tjetёr nga kontrolli i llogarisё sё epitropit tё kishёs, Harito pёr 6 vjetёt e kujdestarisё sё tij (deri mё 1811), fakton se shuma e shpenzuar pёr kishёn dhe hanin, hajatin, dyqanin e arat ishte 12, 644 grosh. Sentenca pёrmbyllёse e kёtij dokumenti tё nёnshkruar nga autoriteti i Joasifit tё Korçёs, ka formёn e njё akti dёshmues por dhe konkluziv: ”U kёqyr llogaria e sipёrme e epitrop Haritos pёr 6 vjetёt e epitropllёkut tё tij , siç u shtrua mё sipёr, dhe u shlye deri nё fund”.
Procedura e zbardhjes sё llogarive dhe rakordimit pёrfundimtar (me shlyerjen justifikuese e deri nё vendosjen e llogarisё sё mbyllur si pjesё tё kodikut), ёshtё kryer nё mёnyrё solemne nga Joasifi ose Meleti i Korçёs. Le tё argumentojmё kёtё fakt: “18 janar 1828. U kёqyr llogaria e kishёs sё epitropllёkut tё Vaso Kosta Markos, qysh nga koha qё u emёrua, d.m.th nga 15 mars 1820 gjer mё sot 18 janar 1828 dhe nuk mbeti as tё japё as tё marrё, as dhe njё obol. U kёqyr pёrpara tё gjithёhirshmit, dhespotit tonё dhe parisё sё qytetit, dhe emёruan pёrsёri kёtё epitrop qё tani e tutje. Meleti i Korçёs verteton” (po aty, faqe 133). Tё gjithё kёto akte e situacione tё shpenzimeve e tё ardhurave sё bashku me shkresёn e kёqyrjes skedoheshin si pjesё e kodikut tё Korçёs. Karakteristikё tjetёr dalluese ёshtё se, nё administrimin e llasos (arka e mirёbёrёsve pёr institucionet arsimore dhe kulturore), ushtrohej rregull e disiplinё rigoroze financiare. Porosia e shkruar kishtare mbi llason, nё kapitullin e saj tё katёrt shpalos rregullat e administrimit tё saj. Me rёndёsi nё kёndvёshtrimin tonё studimor, ёshtё dokumenti i datёs 12 nёntor 1876, i quajtur “Kanonizimi i arkёs popullore “llasos” tё Varoshit tё Korçёs”, pasi nё gërmёn “h” specifikonte se: “Pesёmbёdhjetё ditё para mbarimit tё vitit, efortёt …., duke mbyllur llogaritё, duhet tё dorёzojnё librat nё komisionin kontrollues”. Gjithashtu, nё dokumentin kishtar nr. 1939, datё 12.11.1876 “Kanonizimi i shkollave”, kapitulli IV, germa “dh” fiksohej se: ”Efortёt duhet tё mbajnё proces-verbale tё punimeve tё tyre dhe llogari tё rregullta tё shpenzimeve tё shkollave nё libra zyrtare: para mbarimit tё vitit t’i dorёzojnё librat nё Komisionin Kontrollues” . Kёto dokumente jane fillesat funksionale tё Komisioneve Kontrolluese, qё vepronin sipas njё fizionomie tё percaktuar nё gjysmёn e dytё tё shekullit tё 19-tё. Pas viteve 1800-1834, nё Tiranё vёrehet pёrmirёsimi i bazёs sё regjistrimeve nё funksion tё administrimit kishtar dhe vlerёsimeve tё pavarura. Kёsisoj, kalohet nga rregjistrimi nё katastik tё thjeshtë që ishte përdorur deri në atë kohë, nё formën e kodikut me emrin “Kodik i Kishës së dëshmorit të madh Shën Prokop të Tiranës, që do të përmbajë gjithë llogaritë kishtare”. Pjesë përbërëse e tij janë inventarizimet e pasurive të kishave dhe dioqezës, gjendja e parave (të hollave), procesverbalet e mbledhjeve të përgjithshme të bashkësisë me tematikë shqyrtimin e të ardhurave dhe shpenzimeve, etj. Në disa proces verbale gjenden emra e nënshkrime të shoqëruara me titullin “llogotet”, që ka kuptimin e përgjegjësit të sektorit të llogarisë dhe që zakonisht u jepej njerëzve me një farë kulture . Në kodik ka mjaftë të dhëna që tregojnë shtimin gradual të inventarit të kishës nga dhuratat e ndryshme të besimtarëve. P.sh në shënime lexohet: 1828. U gjendën ikona të kishës së Shën Prokopit: të mëdha 2, të vogla 9 dhe një ikonë e veshur me serm. Duke filluar nga viti 1818, gjendja e arkës në të holla, huadhëniet afatshkurtra dhe gjendja e mallit në magazinë shënoheshin rregullisht në kodikun e kësaj kishe. Kështu, janё pasqyruar rezultatet e shqyrtimit tё llogarisё sё vitit 1818, si më poshtë:
16 shkurt 1819. U gjetën të hollat e kishës, të cilat u numëruan dhe janë: groshë 541”. Shënime të këtij karakteri hasen gjer në vitin 1834, kur hartoheshin procesverbale të rregullta mbi zbardhjen e gjendjes së arkave dhe mbledhjet e veçanta që përcaktonin përgjegjësinë për diferencat.
6 mars 1829. Personat që kanë marrë hua me senet nga arka e kishës: Kujunxhinjtë, kanë marrë hua me senet 864 groshë. Në proces-verbalin e parë të rregullt të Kodikut, i cili është mbajtur me 30 janar 1834 me rastin e dhënies së llogarisë për vitin 1833 dhe të zgjedhjeve të reja për anëtarët e të dy këshillave ekzekutive të Bashkësisë, për dhimogjerondinë dhe epitropinë, shënohet tekstualisht sa më poshtë lidhur me rolin numrin e esnafeve: “…Pra, si u bë llogaria e kishës, u emëruan epitropë e kontrollorë të kishës nga dy e tre prej çdo esnafi, domethënë nga esnafi i kujunxhinjve Nikolla Gugushi dhe Busho Papakosta, nga esnafi i kazanxhinjve Haxhi Naum Stamati dhe Petro Janku, nga esnafi i mejhanexhinjve Haxhi Nasto Voilla,Vasil Voilla etj”. 
Edhe konsultimi me librat e Dioqezёs sё Shkodrës tregon stad tё avancuar rregjistrimesh e kontrolli, ku bie nё sy fakti se gjithçka i ёshtё nёnshtruar besimit dhe ekzaminimit tё rregullt, mishёruar nёn peshёn e frazёs “të gjithë në paqe”…: 
“Beltojë, 1 nëntor 1777: Librat e Famullisë u panë. Shënimet e meshave u kontrolluan, por dr. Marku u gjet borxhli për 100 mesha dhe për këtë u urdhërua t’i bëjë. Shqetësime, skandale ose kundërshtime – asnjë. Të gjithë në paqe. Famullitar d. Mark Sheldia, nxënës i Misionarëve, 51 vjeç, në famulli 25 vjet. Të ardhura të famullitarëve 21 masa misër e pak grurë, djathë: 4 okë”. Si pёrfundim, tё dhёna dhe aspekte tё tilla tё rёndёsishme si:
 evidentimi i shpenzimeve dhe tё ardhurave nё rregjistra tё njohur, qё ruhen pёrjetёsisht (kodikё);
 barazimi i detyrueshёm i llogarive nё tё holla me shumat e pёrdoruara, pёrkundrejt justifikimit me proces-verbal dhe duke i dorёzuar pёrfundimisht para njё trupe ekspertёsh tё zotё;
 caktimi i personave pёrgjegjёs pёr hartimin e llogarisё (bilancit kishtar) dhe riemёrimi i epitropёve vetёm nё rast se puna e tij aprovohet dhe llogaritё vlerёsohen si tё rregullta nga kёqyrёsit e llogarive;
 zgjedhja nё mёnyrё solemne, me propozim tё fshehtё dhe procedurё tё shpallur, e njё komisioni kontrollues (me tre antarё) nga mbledhja e pёrgjithshme pёr kontrollin e llogarive tё eçdo institucioni,etj., janё argumente bindёse e shterruese pёr tezёn se rrёnjёt teoriko-praktike dhe mendimi kontrollues janё tё hershёm nё Shqipёri. Pavarёsisht qёmtimit tё formave tё ndryshme tё stadeve dhe fenofazave tё zhvillimit tё kontrollit dhe auditimit, institucionet shtetёrore nё kёtё fushё u ngritёn vetёm pas themelimit tё shtetit shqiptar. 
Sigal