Ashpërsohen masat antiduhan – Ndalohen paketat e vogla dhe cigaret elektronike me ngrohje

540
Sigal

Ministria e Shëndetësisë, ka përpiluar një projektligj të ri që synon ashpërsimin e rregullave për sa i përket pirjes të duhanit në vendin tonë, me qëllim uljen e konsumit nga qytetarët. Ndër pikat kryesore të projektligjit të ri, parashikohet ndalimi i prodhimit e tregtimit të të paketave me 10 cigare. Gjithashtu synohet ndalimi i përdorimit të të cigares elektronike dhe duhanit me ngrohje në ambientet e mbyllura. “Ndalimi i shitjes së paketave me numër të reduktuar cigaresh apo me alterim të shijeve pritet të reduktojë blerjen e këtyre produkteve nga konsumatorë që nuk e përballojnë dot çmimin e një pakete të plotë apo nga konsumatorë për të cilët shija karakteristike e duhanit është një element i pakënaqshëm i duhanpirjes dhe në mungesë të shijeve alternative do zgjidhnin të mos konsumonin produktin konvencional. Ndërsa ndalimi i përdorimit të cigares elektronike dhe duhanit me ngrohje në ambiente të mbyllura duke aplikuar për të, të njëjtat rregulla si për format konvencionale të duhanpirjes synon mbrojtjen nga ekspozimi i pavullnetshëm ndaj produkteve të duhanit.”- thuhet në relacionin e projektligjit, i cili parashikon gjithashtu edhe ashpërsimin e masave ndëshkuese. Në rastet kur do të gjenden ambiente publike ku konsumohet duhan, gjoba do të përshkallëzohet duke arritur deri në 10 fish të saj në rastet e përsëritjes dhe pezullim të aktivitetit deri në shlyerjen e masave të gjobës.