“Arratisen” miliarda dollarë nga Shqipëria

740
Sigal

Raporti/ Global Financial Integrity: Shifrat për evazionin fiskal në Shqipëri, në nivel skandali

Nuk është e vërtetë se Shqipëria ka «pompuar» jashtë shumë më pak para ilegale, në krahasim me vendet e tjera të rajonit. Në vlerë absolute ndoshta po, për shkak të raportit të popullsisë. Por nëse sasia e parave që rrjedh jashtë nga evazioni fiskal, kontrabanda dhe korrupsioni pjesëtohet me popullsinë, menjëherë Shqipëria zë ndër vendet e para në botë, ndoshta menjëherë pas Nigerisë, Ganës, Zambias apo Afganistanit. Për këtë arsye, raporti i organizatës Global Financial Integrity (Integriteti Financiar Global) ka qenë sa tronditës për ata që kuptojnë, aq edhe denoncues. Largimi i parave është kryer përmes korrupsionit, evazionit fiskal apo aktiviteteve të tjera ilegale. Paratë nga evazioni fiskal luajnë rolin e luanit. Nxitës, në mos edhe lehtësues të largimit të këtyre parave nga vendi janë pa dyshim politikanët dhe zyrtarët e korruptuar të vendit. Por shkalla e identifikimit, kapjes apo goditjes së tyre nga institucionet luftuese të korrupsionit, si Prokuroria apo ILDKP ka qenë afër zeros. Dhe këta zyrtarë e politikanë në 8 vitet e fundit janë shtuar ndjeshëm, po aq sa dhe janë sofistikuar në abuzimet e tyre. Global Financial Integrity përdor të dhënat e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe shifrat e dhëna nga ajo jo vetëm që janë serioze, por edhe shumë shqetësuese, gati në nivel skandali për evazionin e jashtëzakonshëm fiskal në Shqipëri. Po cilat janë format e tij, saraçineskat që derdhin jashtë vendit dhe në dëm të plotë të qytetarëve shqiptarë para që duhet të ishin publike? Nga një anketim i bërë kohët e fundit, 25 për qind e kompanive të pyetura pranojnë se paguajnë ryshfete. Pra në rang vendi, nga rreth 90 mijë kompani, 20 mijë prej tyre korruptojnë zyrtarë e politikanë. Të ardhurat që inspektorët doganorë dhe tatimorë mbledhin abuzivisht nga tatimpaguesit e pandershëm janë kolosale dhe ato kanalizohen deri në nivelet më të larta të pushtetit. Kuptohet që këto para nuk mund të mbahen në Shqipëri, por kalohen menjëherë jashtë, në formë të llogarive bankare në vende që nuk kërkojnë shumë të dhëna, të vilave dhe tokave të blera jashtë, etj.  Inspektorët tatimorë dhe doganorë të kapur apo dënuar për marrje ryshfetesh numërohen në këto vitet e fundit me gishtat e njërës dorë. Së dyti, një formë-saraçineskë tjetër e shfaqjes së korruptimit është rekrutimi në punë i individëve që kanë mangësi edhe në njohuritë bazë për tatimet doganore, taksat dhe kontabilitetin. Kjo kategori që merr emrin kontrollorë e përqendron inspektimin që kryen në debate joprofesionale për  lapsuse të shifrave etj, se sa në shqyrtimin dhe zbërthimin e gjithë fenomeneve që ndodhin në aktivitetet ekonomike në kompanitë shqiptare shumëformëshe. Këto raporte të kontrollorëve-militantë ngelen jashtë realitetit ekonomik dhe fiskal të vendit, duke mos përcjellë asnjë efekt në biznesin që është objekt i kontrollit. Së treti, saraçineska më e madhe, por dhe më pak e dukshmja, është qëndrimi i qeverisë ndaj nxitjes së inspektorëve doganorë e tatimorë për të qëmtuar e luftuar evazionin fiskal. Autoritetet doganore e tatimore duhet ta bëjnë inspektorin t’i kthejë sytë nga shpërblimi tatimor, si një “ryshfet” i ligjshëm që vjen jo nga falja e gjobave, por si një çmim më i lartë për punën e tij rezultative, për tatimet e taksat që ai mbledh. Qëllimisht nga qeveria ky përafrim është injoruar, duke lejuar inspektorët të “vjelin” pa siklet para abuzive në formë ryshfetesh për veten dhe për drejtuesit që i mbajnë në punë. Vetë qeveria nuk ka qenë e interesuar t’i nxitë inspektorët doganorë e tatimorë drejt të punuarit ndershmërisht. Po të kishte ndodhur, kjo do të ndikonte edhe tek tatimpaguesit e pandershëm për të ulur evazionin që bëjnë. Në të kundërt, ka ndodhur një gjueti sa e shëmtuar aq dhe e dëmshme për të kapur, bërë për vete dhe kthyer në agjentë të bindur për tatimpaguesit e pandershëm ata kontrollorë e inspektorë të lidhur ngushtë me pushtetin, me politikanët më të lartë të shumicës në dhjetëra e dhjetëra mënyra, pse këto kthehen gradualisht në të paprekshëm, në abuzuesit më të mëdhenj, të mbrojtur nga vullneti qeveritar. Kjo situatë mjerane ka qenë pompa më e fuqishme që ka larguar në 5 vitet e fundit shumicën e 1.3 miliardë dollarëve të denoncuar nga Global Financial Integrity. Qeveria re e shtatorit 2013 duhet ta ketë mirë parasysh këtë dukuri shkatërruese për ekonominë e vendit, për të marrë masat e duhura që ajo të zvogëlohet.