“Arratisen” 177 sipërmarrje të huaja/ Bizeneset më të mëdha nga vendet e BE-së i “vënë drynin” aktiviteteve në Shqipëri. Edhe austriakët paralajmërojnë

469
Sigal

Sipërmarrjet e huaja ia “mbathin” nga vendi ynë, 177 subjekte u mbyllën në 2018-n

 

Bizneset e mëdha nga vendet e BE-së i “vënë drynin” aktiviteteve në Shqipëri

 

Bizneset e huaja që operojnë në vendin tonë pësuan rënie gjatë vitit të kaluar. Të shumtë ishin investitorët evropianë nga vendet e Bashkimit Evropian që mbyllën aktivitetet e tyre duke u larguar nga Shqipëria. Sipas Regjistrit të Ndërmarrjeve të bërë publik nga Instituti i Statistikave, mbyllja e sipërmarrjeve të huaja është reflektuar si te bizneset me shumë të punësuar, ashtu edhe te bizneset me kapital nga vendet e BE-së. Sipas INSTAT në fund të vitit 2018, në total, numri i bizneseve aktive me pronësi të huaj ishte 6,259, nga të cilat 4,056 ishin nga vendet e Bashkimit Evropian dhe 2,203 ishin nga shtete të tjera. Në 2017-n, numri i bizneseve të huaja që operonin në Shqipëri ishte 6,295. Ajo çka vihet re në stokun në fund të 2018-s është se numri i bizneseve me kapital nga vendet e Bashkimit Evropian ka shënuar rënie me 141 subjekte, ndërsa bizneset nga vendet jo BE janë rritur, me rreth 100 më shumë. Sipas sektorëve, rënia më e madhe u shënua te prodhuesit e të mirave, ku në fund të 2018-s operonin rreth 170 biznese më pak. Rreth 154 biznese më pak operonin në industri dhe 16 më pak në ndërtim.

Bizneset e huaja në Shqipëri

 

Investitorët e huaj në Shqipëri kanë kryesisht 1-4 punonjës dhe operojnë në sektorin e tregtisë. Ndërkohë ndërmarrjet me mbi 50 të punësuar zënë një peshë shumë të vogël në ekonominë tonë.

Të dhënat INSTAT raportojnë se në fund të vitit që lamë pas, kishte 73 biznese më pak, për sa i përket atyre që punësonin mbi 50 persona. Me rreth 20% janë pakësuar edhe bizneset me 10-49 të punësuar, ku 100 prej tyre mbyllën ndërmarrjet që operonin në Shqipëri. Rënie kanë shënuar edhe ndërmarrjet me 5-9 të punësuar, me 39 ndërmarrje më pak në fund të vitit. Kryesisht bizneset evropiane janë nga dy vendet fqinje Greqia dhe Italia. Këto ndërmarrje me pronësi italiane dhe greke përfaqësojnë 52,8 % të ndërmarrjeve të huaja e të përbashkëta gjithsej. Për sa i përket prodhuesve të shërbimeve, numri i tyre u rrit në fund të 2018-s, ku numëroheshin rreth 132 biznese më shumë. Sektori i tregtisë, pjesë e prodhuesve të shërbimeve, nuk ndryshoi sepse në vitin që lamë pas stoku shënoi 1721 biznese, pa ndryshuar në raport me një vit më parë. Rënie pësuan bizneset që operonin në akomodim dhe shërbim shëndetësor, ku u regjistruan 33 biznese më pak. Aktiviteti i bizneseve të huaja sipas sektorëve është i ngjashëm me strukturën e përgjithshme të sipërmarrjes në Shqipëri dhe shumica janë të angazhuara në sektorët e shërbimeve. Rreth 76% e bizneseve të huaja punojnë në shërbime, ndërsa ato ndërmarrje që punojnë në prodhim kryesisht janë të angazhuara në industri dhe në ndërtim. Raporti i 2019-s do të jetë edhe më tronditës, sepse oligarkët e lidhur me qeverinë po godasin, me porosi, kompanitë austriake.