ARMO-Bankers, miliona euro borxh, rafineria nuk punon

813
Sigal

Konflikti mes ish-ARMO dhe Bankers, pse nuk po punon rafineria; 15.5 milionë euro kredi nga Gunvor

Që prej muajit shtator rafineria e naftës KPTHN Ballsh, që tashmë po shfrytëzohet nga “Tosk Energji”, ka ndalur aktivitetin, pas një konflikti për furnizimin me naftë bruto nga “Bankers Petroleum”, që shfrytëzon me koncesion fushën e Patos Marinzës.“Rafineria ka ndaluar në shtator, sepse prodhuesi dominues i naftës bruto në Shqipëri ka preferuar të eksportojë prodhimin e tij në vend që të ofrojë sasinë e mjaftueshme, me vlerë të drejtë, tek rafineritë vendase. Situata ka vazhduar e pandryshuar për më shumë se një vit dhe ka treguar se do të vazhdojë të përsëritet në vitin 2020”, ka pohuar për Monitor, Marigona Metaj, drejtore ekzekutive e “Tosk Energji”. Ajo sqaron se ARMO nuk është më kompania, e cila operon në rafinerine KPTHN Ballsh. “Operatori aktual nuk ka të bëjë aspak me ARMO”. Këto kompani janë dy persona juridike të ndarë dhe të veçantë nga njeri tjetri, pa asnjë lidhje mes tyre.”Tosk” po e shfrytëzon rafinerinë që nga maji 2018. Sipas burimeve nga kompania, Tosk është furnizuar nga Bankers Petroleum, me 15-30 mijë metrik ton (MT) naftë në muaj. Por, që rafineria të dalë rentabël, duhet të përpunojë të paktën dyfishin e kësaj sasie. “Duhet të përpunojmë nga 50,000 MT ose 1’600-1’700 mt ne dite, duke prezumuar që çmimi i blerjes të reflektojë vlerë të drejtë të tregut ndërkombëtar të naftës bruto”, thotë Metaj. Ajo shton se marrëveshja me Bankers është subjekt i klauzolës së konfidencialitetit. “Bankers është paguar sipas kontratës, dhe nuk ka aktualisht asnjë shumë të papaguar. Garancitë financiare janë ofruar në tejkalim të sasive të dorëzuara”. Metaj pohon se “TOSK Energji” ka paguar detyrimet ndaj administrates publike apo Shtetit Shqiptar, ndërsa shton se nuk i përket Tosk të bëjë komente mbi detyrimet e papaguara që ka ARMO.Metaj thotë që kompania është likuide. “Siç ju tashme e dini, Tosk mbështetet nga një ndër kompanitë më të mëdha të karburanteve në rang global, kompani e cila ka investuar në Shqipëri”.Metaj shton se mosfunksionimi i kompanisë do të kishte pasoja të trishta ekonomike dhe sociale. “Shqipëria meriton të zhvillojë industrinë e saj dhe rrjedhimisht ekonominë”.
Tosk nuk mund të blejë naftë jashtë vendit për çështje të dizenjimit teknik të rafinerisë dhe arsye ekonomike.

Bankers: “Tosk” nuk ka lëshuar letër krediti

“Bankers Petroleum” ka pohuar në një deklarim zyrtar se “Tosk” nuk ka qenë korrekte me pagesat. “‘Bankers’ dhe ‘Tosk Energji’ kanë rënë dakord për Programin e Dorëzimit të naftës bruto në bazë ditore për shtator 2019 dhe vëllimet e dorëzimit për tetor-dhjetor 2019, që në 27 gusht. Në këtë ditë, ‘Tosk Energji” ekzekutoi Amendimin 4 të kontratës për ngarkesat e naftës bruto gjatë Shtator-Dhjetor 2019.Gjatë ditëve të fundit të gushtit, “Bankers” kërkoi nga ‘Tosk Energji’ që të siguronte letër kreditin, por ‘Tosk Energji’ konfirmoi zyrtarisht që për volumet gjatë muajit shtatorit, derisa ata të hapin një letër krediti (siç kanë bërë në të kaluarën), ‘Tosk’ do të tërheqë të gjitha ngarkesat e planifikuara duke bërë parapagime dhe pa shkaktuar ndonjë ndikim në operacionet dhe financat e ‘Bankers’.Në fund të muajit gushtit dhe fillimit të shtatorit, ‘Bankers’ i është drejtuar kompanisë ‘Tosk’ me disa email-e zyrtare duke kërkuar prej tyre hapjen e letër kreditit ose kryerjen e parapagimit për volumet e planifikuara për muajin Shtator. Por gjatë gjithë muajit shtator, ‘Tosk’ bëri vetëm një parapagim në vlerë prej 500 mijë USD dhe ‘Bankers’ dorëzoi në ‘Tosk’ (pikërisht në 1 Shtator) rreth 1.420 Mt bruto që mbulohej nga ky parapagim.Për periudhën 1-10 shtator, ‘Bankers’ iu drejtua sërish disa herë ‘Tosk Energji’, por ajo nuk pagoi, pavarësisht se ‘Bankers’ ishte në dispozicion dhe i ofroi të shesë sasitë e rënë dakord.‘Tosk Energji’ jo vetëm që nuk pagoi / nuk tërhoqi sasitë dhe nuk iu përgjigj ‘Bankers’, por shkoi edhe më tej, duke ndërprerë komunikimin me ne.‘Tosk Energji’ ka shkelur disa herë kontratat e shitjeve të naftës bruto, duke e vendosur ‘Bankers’ në situata të vështira për lëvizjen / shpërndarjen e naftës së prodhuar dhe shumë herë duke shkaktuar kosto shtesë të konsiderueshme.‘Tosk Energji’ ka treguar se nuk ka vullnet të mirë për të bashkëpunuar dhe për më tepër kurrë nuk ka informuar ‘Bankers’ për ndonjë mbyllje të rafinerisë Ballsh për çështje teknike të papritura ose për ndonjë arsye tjetër. Duke qenë në kushte të tilla, ‘Bankers’ nuk kishte asnjë zgjedhje tjetër, veçse të shiste këto volume në eksport”, thuhet në reagimin e “Bankers”.

Tosk” rezulton me humbje; 15.5 milionë euro kredi nga Gunvor

“Tosk Energji” raportoi në bilancin e vitit 2018 të ardhura prej 10.1 miliardë lekësh (82 milionë euro), mëse dyfishim në raport me vitin e kaluar. Pavarësisht rritjes së fortë të të ardhurave, kompania raportoi humbje prej 1 miliard lekësh (rreth 8.3 milionë euro). Në raportin e auditorëve thuhet se shoqëria ka pësuar humbje për shkak të mos-realizimit të volumit të planifikuar të të ardhurave prej mungesës së furnizimit me lëndë të parë. “Mungesa e furnizimit me lëndë të parë përbën një pasiguri materiale për shoqërinë për të vazhduar në vijimësi”, thuhet në raportin e auditorëve.“Një rafineri është ekstremisht sensitive ndaj sasisë së furnizuar dhe blerjes së naftës bruto. Aktiviteti në vitin 2019 është përkeqësuar”, tha Metaj. Ajo shton se kompania duhet të prodhojë më shumë se 50 mijë ton në muaj që të dalë rentabël. Kompania nuk rezulton ndërkohë në bilanc që të ketë detyrime të papaguara ndaj shtetit. Aktiviteti i “Tosk” është mbështetur nga Gunvor, një prej grupeve më të mëdhenj të naftës në botë, me aksionerë rus. Tosk ka një kredi afatgjatë prej 1.9 miliardë lekësh (15.5 milionë euro) ndaj Gunvor. Sipas të dhënave në bilanc, huaja u rrit nga 1 miliardë lekë në 2017-n, në 1.9 miliardë lekë në 2018-n.