Arkëtimet e doganave Janar- Qershor, 7,9 miliardë lekë më shumë se në 2013-n

705
Sigal

Administrata Doganore në gjashtëmujorin Janar- Qershor 2014 ka arkëtuar 69 miliardë e 295 milionë lekë nga 69 miliardë e 290 milionë të parashikuara, me një realizim të plotë të planit ambicioz financiar pas marrëveshjes të Qeverisë Shqiptare me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit 2013 janë arkëtuar 7,9 miliard lekë më shumë me një rritje prej 12.9 %.

Veçanërisht muaji Qershor 2014 shënon një rritje të konsiderueshme prej 24.9 %, me një arkëtim prej 13,23 miliard lekë ose 2.6 miliard lekë më shumë se muaji Qershor 2013.

Vërehet një trend pozitiv sa i përket rritjes së eksporteve me 9%, ku kontributin kryesor vazhdon ta ketë rritja e eksporteve nga përpunimi aktiv me 32%. Gjithashtu, si rezultat i një fushate sensibilizuese, informuese dhe parandaluese në fushën e akcizës organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave në bashkëpunim me Crown Agents është konstatuar një rritje e ndjeshme në zbatimin e detyrimeve të parashikuara me ligj si dhe në pagimin e detyrimeve përkatëse nga ana e subjekteve të akcizës.

Muaji Qershor 2014 karakterizohet nga një rritje e ndjeshme e sasive dhe vlerave të mallrave të akcizës krahasuar me Qershorin e vitit 2013 përkatësisht:

Karburante, 40.185 ton përkundrejt 36.693 ton të zhdoganuara në muajin Qershor të vitit paraardhës

Kafe, 538 ton përkundrejt 514 ton të zhdoganuara në muajin Qershor të vitit paraardhës

Cigare, 258 ton përkundrejt 238 ton të zhdoganuara në muajin Qershor të vitit paraardhës

Birrë, 3.055 h/l përkundrejt 2.828 h/l të zhdoganuara në muajin Qershor të vitit paraardhës.

Bashkëpunimi i ngushtë me komunitetin e biznesit, lehtësimi i procesit të zhdoganimit, trajnimi i vazhdueshëm i stafit doganor, fushatat e ndryshme informuese të ndërmarra kanë çuar drejt një trendi në rritje, sa i përket realizimit të të ardhurave.