Aristotel PANO dhe Anastas ANGJELI tronditin mendimin ekonomik shqiptar

184
Dy nga personalitetet më të fuqishme në fushën e ekonomisë vijnë para publikut shqiptar me monografinë e tyre të re “NDËRHYRJA E SHTETIT NË EKONOMI”. Monografia është shkruar nga Profesor Aristotel PANO dhe Profesor Anastas ANGJELI, i pari ka qenë një nga studiuesit, pedagogët dhe ekonomistët më të mirë të para viteve 1990. Edhe sot, pavarësisht ndryshimit të sistemit ka mbetur i tillë, krijues vital e dinjitoz, pavarësisht moshës së thyer që mban mbi supe. I dyti, profesor dhe dy herë akademik. I vetmi shqiptar që është anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe anëtar i Akademisë së Shkencave Europiane. Është e vështirë që të shkruash dhe të japësh mendime mbi punën e bërë nga autorët dhe mendimet guximtare e origjinale të hedhura në këtë libër. Të bësh këtë duhet të jesh një njohës i mirë i ekonomisë si në teori po ashtu duhet të kesh ndjekur në vazhdimësi ecurinë e ekonomisë shqiptare gjatë këtyre 25 vjetëve. Është kjo arsye që pak njerëz, njohës të fushës mund të japin konsiderata mbi risitë dhe konkluzionet e nxjerra. Libri është shkruar për një auditor të zgjedhur, për studentët e ekonomikut sepse ka trajtime teorike, të mbështetura në të dhëna të ekonomisë shqiptare, për pedagogët dhe studiuesit e ekonomisë, për qeveritarët dhe bankierët. Monografia bën përjashtim nga retorikët boshe që dëgjojmë çdo natë në televizor nga të ashtuquajturit ekspertë të ekonomisë. Këta të ashtuquajtur ekspertë në 25 vjet nuk kanë dhënë asnjë nga mendimet dhe propozimet që dy profesorët e nderuar kanë dhënë në materialin e tyre. Këto konkluzione duhet t’i shërbejnë në radhë të parë shtetit dhe qeverisë që të shikojnë me sy kritik punën e tyre të deritanishme dhe të marrin masa për të ardhmen. Ja çfarë vlerësimi i bën monografisë Profesor Sulo Hadëri, Dekan i Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin e Tiranës: “…Monografia është produkt i përkushtimit të vazhdueshëm të spikatur të tyre, për të trajtuar me guxim zhvillimet e vrullshme dhe transformimin e ekonomisë shqiptare në tranzicionin e saj drejt një ekonomie funksionale tregu dhe formësimin e institucioneve qeverisëse publike që realizojnë funksione dhe luajnë rol të domosdoshëm në funksionimin efecient të tregut dhe korrigjimin e atyre që njihen si “dështime të tregut”. Monografia është nga të paktat në llojin e saj që cek konkretisht, rolin dhe rëndësinë e ndërhyrjes së shtetit në ekonomi, duke u fokusuara në ekonominë shqiptare të pas viteve 1990. “NDËRHYRJA E SHTETIT NË EKONOMI” nuk merret thjesht me ndërhyrjen e Qeverisë në ekonomi, por ajo e shtrin analizën e saj në të katër shtyllat e politikave ekonomike, në politikat fiskale, politikat monetare, politikat tregtare dhe politikat e konkurrencës. Në këtë mënyrë fjala shtet merr formën e plotë të ndërhyrjes nëpërmjet institucioneve të pavarura. Këto politika ekonomike janë analizuar duke marrë në konsideratë instrumentet përkatëse, të veçanta të ndërhyrjes në ekonomi, me synim realizimin e treguesve makroekonomikë. Në këtë mënyrë Monografia e ka ngritur strukturën e saj duke pasur në themel treguesit makroekonomikë dhe politikat për realizimin e tyre sipas institucioneve përkatëse. Për këtë janë analizuar politikat fiskale të qeverisë dhe politikat monetare të Bankës Qendrore. Janë analizuar institucionet e pavarura si Autoriteti Konkurrencës, Enti Rregullator i Energjisë, Autoriteti Mbikëqyrjes Financiare etj, roli i tyre në treg, dhe në ruajtjen e konkurrencës së ndershme me synim rritjen ekonomike. Në material, krahas trajtimeve teorike, kemi më së shumti analiza konkrete të treguesve makroekonomikë që janë të shoqëruara me dhjetëra tabela dhe grafike të cilat ndihmojnë lexuesit për të kuptuar sa më mirë konkluzionet e nxjerra. Vëllimi i problemeve të prekura dhe i këndvështrimit të tyre, analiza ekonomike duke përdorur aparatin e ekonometrisë kanë dhënë rezultate të pritshme dhe tepër interesante. 

Politikat fiskale
Në material analizohen politikat fiskale të cilat nuk kanë dhënë efektet e pritura në rritjen e ekonomisë dhe në treguesit e tjerë makroekonomikë. Ky konkluzion është nxjerrë duke analizuar treguesin e Papunësisë i cili nuk ka rënie por ka qëndruar thuajse i pa ndryshueshëm në një kohë që për çdo vit prej qeverive është deklaruar rritje ekonomike. Këtu janë cekur edhe arsyet e kësaj mos rritje ku njëri nga më kryesorët ka qenë diversifikimi jo normal i shpenzimeve për investime. Kalimi më së shumti i tyre në sektorët jo produktive, në infrastrukturë, etj. Papunësia është theksuar si “thembra e Akilit” për ekonominë shqiptare. E vërteta e këtij konstatimi është eksodi i vitit të fundit. Në material do të përqendrohemi në analizën e Kapitullit të 5, i cili është edhe një nga kapitujt më interesant, ku flitet për politikat monetare:
– Politikat monetare nuk e kanë dhënë efektin e tyre në rritjen e treguesve makroekonomikë dhe në realizimin e objektivit themelorë të Bankës Qendrore. Kjo sepse ka munguar efekti i transmisionit prej Bankës Qendrore në Bankat e Nivelit të Dytë (Bankat Tregtare). Për këtë dështim janë dhënë edhe arsyet përkatëse duke i provuar ato në dinamikë dhe në strukturë. Si dobësi e sistemit bankar është parë futja e euros dhe dollarit në rolin e monedhës shtetërore, kurset e këmbimit, etj. -Autorët e fillojnë analizë duke cituar disa nga objektivat e një banke qendrore, duke u fokusuar te FED-i amerikan dhe BQ e Europës. Një vështrim japin edhe për objektivin e BQ-së së Kinës. Shënjeshtrimi i politikës monetare behet nga Banka Qendrore e çdo shteti e cila mund të shënjestroj politikën e saj sipas rastit në një nga keto tre objektiva: 1-në atë të kontrollit e të ruajtjes të stabilitetit të çmimeve (d.m.th të nivelit të inflacionit):-2- në atë të sigurimit të rritjes ekonomike dhe të punësimit më të mirë, d.m.th në kontrollin e nivelit të papunësisë, -3- dhe e treta në objektivin e kontrollit e të ruajtjes të kursit të monedhës kombëtare karshi monedhave të huaja d.m.th të kursit valutor. 
Në kohën e sotme
Në kohën e sotme më të përhapura në praktikë dallohen dy lloje shënjestrimi të politikës monetare sipas përzgjedhjes të objektivit të saj kryesor: ajo e SHBA ku politika monetare e Bankës Qendrore (Fed-i) shënjestrohet në arritjen e nivelit të duhur të papunësisë dhe të rritjes ekonomike dhe ajo e Bankës Qendrore Evropiane(BQE) qe shënjestrohet në radhë të parë në sigurimin e stabilitetit të çmimeve d.m.th në arritjen e nivelit të dëshiruar të inflacionit. Ekziston sigurisht edhe lloji i tretë i shënjestrimit të politikes monetare, ajo që përzgjedh si objektiv ruajtjen e kursit të dëshiruar fiks të monedhës së saj ndaj monedhave të huaja, por ajo ndeshet në më pak vende dhe ka për qëllim më tepër rritjen e eksporteve të veta siç ndodh sot në Kinë e cila mban monedhën e saj kombëtare të lidhur me një kurs fiks ndaj dollarit amerikan”.
Analiza e politikës monetare
Analiza e politikës monetare është ndarë nga autorët në tre periudha kohe.“Për mendimin tonë nga pikëpamja e qëllimeve, e instrumenteve dhe e rezultateve të arritura ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë në ekonomin gjatë viteve 1991-2013 mund të ndahet në tre etapa kryesore. Në etapën e parë të 1991-1999, në etapën e dytë të viteve 2000-2009 dhe në etapën e tretë të viteve 2009-2013. Në vitet 1991-1999 objektivi kryesor i ndërhyrjes me anën e politikës monetare ka qenë përballimi i inflacionit të lartë që karakterizoi kalimin në ekonomin e lirë të tregut. Instrumentet kryesore të ndërhyrjes të BQSH në atë periudhë kanë qenë: kontrolli i deficitit buxhetor të financuar, shtrëngimi i i kufirit të kreditimit jo vetëm për totalin e bankave të nivelit të dytë por edhe për secilën prej tyre, caktimi i një norme të lartë interesi për financimin me likuiditetet e nevojshme bankat e nivelit të dytë, kontrollin e depozitave të detyrueshme të bankave tregtare në bankën qendrore dhe përcaktimin e përqindjes së normës së interesit të bankave shtetërore për depozitat me afat 6 mujor”.
Karakteristikat dhe rezultatet kryesore të politikes monetare 2000-2009
Në vitet 2000-2009. “Si karakteristika dhe rezultate kryesore të politikes monetare të Shqipërisë gjatë këtyre viteve mund të veçohen: a) Vazhdimi i shënjestrimit të politikës monetare me objektivin kryesor të etapës së mëparshme d.m.th në stabilitetin e çmimeve gjatë gjithë viteve megjithëse inflacioni kishte arritur nivele normale e të qëndrueshme, kurse papunësia vazhdonte të ishte shumë më shqetësuese. b) Plotësimi i mekanizmit monetar të ndërhyrjeve me të gjitha instrumentet bashkëkohore të politikes monetare dhe përmirësimi i përdorimit të tyre. Si përfundim, mund të themi se përdorimi kompleks i instrumenteve të politikës monetare nga ana e BQ-së gjatë etapës së dytë 2000-2009, të periudhës së tranzicionit nga pikëpamje e arritjes së objektivit kryesor ka qenë i suksesshëm megjithëse problemi i punësimit nuk ka patur pothuajse asnjë përmirësim”. Në vitet 2010-2014.“Po të merreshin parasysh problemet e mëdha qe krijoheshin me rritjen e madhe të popullsisë të papunësuar, ndoshta në etapën e tretë të periudhës së tranzicionit pas vitit 2010 mund të ishte ndryshuar objektivi kryesor i politikës monetare nga objektivi i normës së inflacionit në objektivin e shkalles së punësimit e të uljes së papunësisë siç kemi përmendur dhe në paragrafin e mëparshëm. Duke vazhduar ndjekjen si objektiv kryesor uljen e mëtejshme të normës së inflacionit në kushtet e keqësimit të shkalles së punësimit në vitet e fundit ekonomia shqiptare filloi të tregoi shenja deflacioiniste dhe rënie të theksuara të ritmeve të rritjes ekonomike. Të gjitha të dhënat (e mësipërme) tregojnë qartë se në ketë etapë të tretë të periudhës së tranzicionit, duke vazhduar me objektivin kryesor të politikes monetare stabilitetin e çmimeve, u arrit me të gjitha instrumentet e përdorura në nivelin më të ulët të inflacionit prej 1,9-2%, të shoqëruar njëkohësisht me një ulje të madhe të ritmeve të rritjes ekonomike nga 7,5% qe ishte para vitit 2000 në më pakë se 3% në vitet 2012 -2013 dhe në një rënie të nivelit të punësimit të forcave të afta për punë në që ishte në vitin 2013 rreth 13.3% Përpjekjet për uljen e normës bazë e interesit me sa duket nuk ndikuan në kohen dhe në masën e duhur në gjallërimin në ekonomisë. Rritja e agregatit M1 ka qenë me ritmet më të ulëta së në të gjitha periudhat e tjera, por edhe në agregatet e tjera, kështu që ritmet e shtimit të kreditimit me një normë interesit prej mbi 15% për kredit me afat 1-3 vjet nuk mund të stimulonin sa duhet investimet prodhuese të sektorit privat. Përveç kësaj, sinjalet e uljes të normës bazë të interesit me një shtesë kaq të ulët të agregateve monetarë nuk janë transmetuar në masën e duhur në nivelet e llojeve të tjera të interesit. Norma e interesit për kredi 6-12 muaj mbeten në një nivel 2-3 herë më të larta se norma bazë e interesit, kurse diferenca ndërmjet interesave të depozitave me afat dhe të kredive me të njëjtin afat ka mbetur në nivelin 5,46%(10,58%-5,17%) në favor të fitimeve të bankave gjë që nuk lehtësonte zgjerimin e veprimtarive ekonomike. Të gjitha këto tregojnë se duke vazhduar në të njëjtën rrugë ekonomia jonë mund të bjerrë në vazhdim në një gjendje deflacioni qe mund të dëmtojë akoma më shumë si nivelin e ritmit të rritjes ekonomike, ashtu dhe nivelin e punësimit qe siç kemi theksuar disa herë po behet për ditë e më i vështirë për zgjidhjen e duhur. Një ndikim të madh në ushtrimin e politikes monetare nga pikëpamja e ritmeve të zhvillimit dhe e punësimit luan edhe regjimi i këmbimeve valutore e i kursit të monedhës kombëtare me monedhat e vendeve të huaja”.
Teoritë moderne të trajtimit të kursit të këmbimit
Më poshtë autorët iu bëjnë një paraqitje teorive moderne të trajtimit të kursit të këmbimit. “Duke mos marrë përsipër shpjegimin e hollësishëm të teorive dhe të modeleve matematikore te sotme të përcaktimit të nivelit e të ndryshimeve të kurseve valutore po përmendim këtu thelbin e dy teorive më të përhapura për ketë problem qe janë “Teoria e pariteteve të fuqive blerëse”, (The Theory of Purchasing Poŵer Parity e njohur me inicialet PPP theory) dhe “Teoria e paritetit të normave të interesit” (Interes Rate Parity Theory= IRP Theory). Përsa u përket modeleve të ndryshme ekonomike matematikore të përcaktimit të ndikimit të shumë faktorëve në ndryshimin e nivelit të kurseve valutore ato konsistojnë jo vetëm në marrjen parasysh të treguesve qe nënvizojnë këto dy teori dhe variantet e tyre, por dhe modelimin e ndikimeve të bilancit të pagesave, të rrisqeve të ndryshme dhe disa faktorëve të tjerë. 
Thelbi i teorisë të Paritetit të fuqive blerëse është formuluar për herë të parë qe në vitin 1918 nga ekonomisti suedez Gustav Casel dhe zhvilluar më tej nga shumë autorë të tjerë. Sipas kësaj teorie në një ekonomi ku vepron konkurrenca perfekte si në tregjet e brendshme ashtu dhe në ato të jashtme, kursi valutor i monedhave të ndryshme duhet të jetë baras me fuqinë blerëse të monedhave përkatëse për madhwsinw dhe strukturën e njëjtë të mallrave. Vitet e fundit, Kina, kursin e jashtëm të monedhës së vet e ka lidhur me dollarin amerikan, për të lehtësuar kështu eksportin e mallrave kineze në SHBA që kanë një rëndësi të madhe për rritjen e prodhimit në sektorët e ekonomisë kineze qe prodhojnë për eksport. Në ketë rast kontrolli i politikës monetare orientohet në mbajtjen e kursit fiks të monedhës kombëtare kineze ndaj dollarit amerikan nëpërmjet mbajtjes të rezervave të mëdha në dollar. Nuk është e rastit qe Banka Qendrore e Kinës siç theksuam edhe më përpara mban një përqindje shumë të lartë depozitash të detyrueshme si në monedhë kombëtare, ashtu dhe në valuta të huaja. Në ndryshim nga të gjitha këto Shqipëria gjatë gjithë periudhës së tranzicionit qe nga viti 1993 e deri sot ruan lëvizjen e lirë të kursit të lekut ndaj monedhave të huaja sipas ofertës dhe kërkesës së tregut.
Analiza e kurseve të këmbimit
Pas analizës teorike dhe referimeve të ekonomive më të fuqishme të botës autorët kalojnë në analizën e kurseve të këmbimit pas vitit 1993. “Që në fund të vitit 1993 u vendos lëvizja e lirë e kurseve të valutave të huaja ndaj lekut dhe kështu kurset përcaktoheshin nëpërmjet ballafaqimit të kërkesës dhe të ofertës së tyre. Krahas këtyre ngjarjeve Banka Qendrore përgatiti për aprovim Ligjin mbi Bankën e Shqipërisë, Ligjin mbi sistemin bankar në Shqipëri si dhe ligjet mbi kambialin, premtim pagesën dhe mbi letrat me vlerë etj”. Në Shqipëri u fut dollari në qarkullimin masiv dhe sipas autorëve: ”Pikërisht nga ky rol i dollarit amerikan në ekonomin shqiptare gjatë viteve 90 të shekullit 20 vjen dhe karakterizimi i saj si një ekonomi e dollarizuar, sepse krahas monedhës kombëtare të lekut qarkullonte dhe përdoreshe në të gjitha veprimet edhe fizikisht dollari në rolin e një standardi bazë, ndërsa kurset e monedhave të tjera të konvertueshme në lek përcaktoheshin sipas raportit të tyre me dollarin amerikan.
Në këto kushte ishte e natyrshme që objektivi kryesor i politikës monetare të Shqipërisë të ishte pak a shumë i njëjtë me atë të objektivit të BQE-së. Kështu gjatë gjithë periudhës 1991-2000 në Shqipëri kurset valutore të monedhës kombëtare (të Lekut) ndaj valutave të huaja kanë lëvizur lirisht sipas kërkesës dhe ofertës së tregut. Faktorët kryesorë qe i dhanë mundësi Shqipërisë të përballojë me politiken e saj monetare vështirësi e kësaj periudhe të tranzicionit kanë qenë nga ana e burimeve valutore:
a) Në radhë të parë sakrificat e emigranteve shqiptarë që me anën e dërgesave të tyre ndihmuan jo vetëm për mbajtjen nga ana financiare të familjeve të tyre, por dhe për rritjen e burimeve valutore të vendit me të cilat u përballua një pjese e madhe e deficiteve të bilancit tregtar, u financua një pjesë e deficiteve buxhetore dhe u ndal zhvlerësimi i mëtejshëm i lekut.
b) Fillimi dhe shtimi i investimeve të huaja direkte në Shqipëri;
c) Ndihma e madhe financiare dhe profesionale e institucioneve ndërkombëtare, e FMN, Bankës Botërore, të SHBA e të vendeve të BE, për ekonomin shqiptare në përgjithësi dhe sistemin e saj bankar në veçanti. Në mënyrë të përmbledhur pjesa me e madhe e këtyre burimeve të huajtura mund të paraqiten me anën e shtimit të borxhit të jashtëm të Shqipërisë në vitet përkatëse. Pikërisht me këto arritje të ndërhyrjes monetare në fushën e valutës Banka Qendrore mbasi sfidoi me sukses inflacionin e viteve 90 të shekullit 20, hyri në periudhën e viteve 2000- 2013 me të njëjtin objektiv atë të ruajtjes të stabilitetit të çmimeve, duke siguruar në kushtet e reja të dy valutave kryesore të dollarit amerikan dhe të Euros të eurozonës, nivelet e kurseve mesatare vjetore të lekut karshi tyre me rivlerësimet ose zhvlerësimet përkatëse.