Arben Malaj & Dritan Shano: Largimet masive, pasqyrë e ekonomisë!

670
Ekspertët e ekonomisë i shohin me skepticizëm të dhënat e fundit nga Instituti i Statistikave se ekonomia shqiptare shënoi rritje 2,5 përqind në tremujorin e dytë të vitit. Po sipas INSTAT, konsumi i popullatës ka rënë me 3.1 përqind. Sipas studiuesve, kjo rritje numrash prej ndërtimeve në vepra publike nuk do të thotë se shqiptarët po jetojnë më mirë, sepse konsumi i tyre ka rënë më tej dhe nuk janë rritur bujqësia, turizmi dhe prodhimi vendas në tërësi. Profesor Arben Malaj në Universitetin e Tiranës thotë se rritja ekonomike duhet të jetë më e madhe, më e qëndrueshme dhe më e sigurtë. Rritja e deritanishme është e pamjaftueshme, sepse presioni do të jetë më i madh vitin tjetër kur duhet të mbulohet me 5 për qind deficiti buxhetor. Ndërsa eksperti i ekonomisë, Dritan Shano, aktualisht koordinator kombëtar pranë Partisë Demokratike të opozitës thotë se kjo rritje e vogël disamujore tregon më së miri se ekonomia është prej kohësh në stanjacion, madje edhe recesioni është pranë kur konsumi ulet vazhdimisht kundrejt prodhimit jodomethënës.
Ndërtimet frenohen me rregullat e reja
Sipas të dhënave nga INSTAT, sektori që solli rritjen më të madhe ka qenë ndërtimi, por për ekspertët ky është një paradoks, sepse ndërtimet po frenohen me rregullat e reja. Industria, Energjia dhe Uji ndikuan në rritje, ndërsa sektorët e tjerë jetikë janë rritur fare pak ose aspak. Problemi është se, përtej përmirësimit të shifrave në letër, ekonomitë familjare nuk po ndjejnë ndonjë përmirësim dhe shumica e të papunëve, të kualifikuar ose jo, po emigrojnë në vende të tjera. Bashkë me krahun e punës po largohen edhe njerëzit e ditur, thotë zoti Malaj. 
Mungojnë politikat lehtësuese
Studiuesit pohojnë se ekonomia shqiptare ka nevojë për politika lehtësuese ndaj bizneseve private, që ato të punësojnë njerëzit. Nuk është detyrë e qeverisë të punësojë qytetarët, pohojnë ata, por qeveria duhet të ndihmojë firmat private me masa të favorshme që ato të shtojnë investimet, prodhimin dhe punësimin e njerëzve.
Klima mbytëse për biznesin
Sipas zotit Shano, deri tani qeveria nuk e ka bërë këtë, por përkundrazi ka rritur taksat dhe ka krijuar një klimë mbytëse për bizneset. Ekonomia shqiptare nuk arrin të ngrihet më shumë se 3 për qind në dy vitet e fundit, megjithë reformat strukturore dhe mbështetjen e FMN dhe Bankës Botërore. Buxheti dhe rritja ekonomike u rishikuan përsëri me ulje nga parlamenti disa ditë më parë. Një mision i FMN pritet të mbërrijë këto ditë në kryeqytetin shqiptar për të rishikuar gjendjen ndërsa fundi i vitit për të bërë bilancet është shumë pranë dhe ekonomia ka hyrë tashmmë në 3 mujorin e katërt.
Sigal