Arben Ahmetaj: Sfidat që kthehen në prioritet tona

697
Shqipëria është një vend i vogël dhe një treg i vogël. Por në sektorin e naftës dhe gazit ne kemi parë shembuj në të gjithë botën që vende shumë të vegjël janë bërë “gjigandë” duke i menaxhuar burimet e tyre në një mënyrë fantastike, në emër të qytetarëve të tyre dhe në emër të zhvillimit ekonomik, duke i shërbyer natyrshëm edhe interesave të kompanive të biznesit që kanë kontribuar në ekonomitë e këtyre vendeve dhe në ekonominë globale gjithashtu. Elementi i parë që dua të theksoj është siguria energjetike. Siguria energjetike, jo thjesht si një koncept politik, por si një koncept politik dhe ekonomik. A jemi duke bërë mjaftueshëm për të garantuar pavarësinë tonë energjetike? Dhe a mund të ketë në fakt pavarësi të vërtetë e të mirëfilltë në energji? Dhe sigurisht që ka shumë elemente ekonomikë dhe politikë. Do ta filloj me elementin politik sepse ai është ngushtësisht i lidhur me rezultatet ekonomike. Nëse shihni të gjithë rrjetet e naftës dhe gazit, tubacionet furnizuese në të gjithë globin në fakt, por unë po fokusohem në rajon dhe në Europë, cila është përpjekja që bëhet sot? Përpjekja është që Europa të jetë e pavarur nga gazi rus. Disa prej jush nuk e thonë në mënyrë eksplicite këtë, unë do ta thoja, sepse është shumë e rëndësishme që në një botë demokratike, furnizimi me naftë dhe gaz nuk duhet të cënojë elementët e demokracisë dhe institucionet demokratike. Kjo është arsyeja pse siguria energjetike në këtë moment në kuadër të zhvillimeve gjeopolitike në Europë dhe më tej, po na tregon se ne duhet të mendojmë në terma politikë dhe ekonomikë, në një mënyrë të guximshme. Projekti TAP është një instrument politik, ekonomik dhe infrastrukturor i sigurisë energjetike. Kur flasim për sigurinë energjetikë në gaz, naftë apo edhe energji elektrike, politikë-bërësit dhe patjetër bizneset, nuk flasin thjesht për sot. Dhe në fakt dëshiroj t’ju sjell një shembull nga përpjekja jonë e vogël por shumë e rëndësishme. Kur flasim për energjinë elektrike, në jemi importues neto. Dhe do të vazhdojmë të jemi importues neto edhe për të paktën një dekadë dhe unë shpresoj që pas një dekade, nëse bëjmë gjënë e duhur sot, ne do të arrijmë të barazojmë importet me eksportet. Sepse vendet apo politikë-bërësit, kur mendojnë për këtë element të sigurisë energjetike, nuk bëjnë një kalkulim se sa është fatura dhe si është bilanci sot. A po e bën Shqipëria këtë? Unë besoj që po. Ne po e bëjmë këtë dhe unë besoj se ne duhet të përmirësojmë përpjekjen tonë në mënyrë që të mund të llogarisim sot se cili do të jetë rezultati në 10 apo 15 vjet. Çfarë dua të them me këtë? A po ndërtojmë ne kapacitete të mjaftueshme në energjinë elektrike? Ndoshta po, ndoshta jo. A po bëjmë kalkulimet e duhura? Politikisht po. Sot ne besojmë se në 10 apo 15 vitet e ardhshme, nëse japim një numër të mirë koncesionesh, me kapacitete të mira dhe me kalkulime të mira mbi tarifat duke menduar jo vetëm për sot, por duke i dhënë incentiva bizneseve që të arrijmë kapacitetet e duhura në 10 apo 15 vite, që bilanci ynë i pagesave të duket ndryshe, që të mos shpenzojmë më 200 apo 300 milionë dollarë për të blerë energji jashtë vendit, por ta blejmë atë nga prodhuesit lokalë. Paraja do të qëndronte në Shqipëri, kapacitetet do të mbeteshin këtu dhe qytetarët do të ishin në gjendje të përfitonin energji me kosto më të lirë sesa sot. Ne flasim gjithashtu për sigurinë energjetike në prodhimin e naftës. Ne besojmë se jemi një vend i pasur në naftë dhe gaz. Dua t’ju sjell në vëmendje një shifër që është shumë domethënëse në fakt, në vitin 1974 Shqipëria prodhonte 2.2 milionë ton naftë bruto. Sot prodhon diku tek 1.4 milionë tonë, pra pak më shumë se gjysma. A jemi duke bërë gjënë e duhur në mënyrë që në 15 vitet e ardhshme të kemi eksploruar të gjithë potencialin tonë me teknologjinë aktuale? Sot po ftojmë kompani të mëdha dhe serioze që të sjellin në Shqipëri teknologji dhe ekspertizë. Ne kemi 13 blloqe të lirë për eksplorim. Kemi bërë gjënë e duhur që i morëm këto blloqe nga administrimi i Albpetrol për t’ia kaluar Ministrisë së Energjisë përmes AKBN. Këto blloqe janë pronë e vendit ndaj është e nevojshme të menaxhohen në një mënyrë fantastike në mënyrë që fëmijët tanë të përfitojnë nga këto burime natyrore që kemi dhe që mund të kemi. 13 blloqe të lira tingëllojnë si një mundësi shume e mirë dhe janë një mundësi shumë e mire. Por për ne janë gjithashtu një sfidë. Së pari ne duhet t’i ofrojmë këto blloqe në treg. Së dyti ne duhet t’i ofrojmë ato shpejt. Së treti ne duhet t’i ofrojmë ato në një mënyrë shumë transparente bazuar në praktikat më të mira. Së katërti, ne duhet t’ua ofrojmë ato kompanive strategjike, kompani që jo vetëm ndajnë të njëjtën kauzë ekonomike me ne por që gjithashtu ndajnë të njëjtët qëllime ekonomiko-politike me Shqipërinë dhe rajonin. Në të njëjtën kohë do të thoja se 54% e territorit që është i paeksploruar duhet të shihet në termat e sigurisë energjetike, dhe unë dua të ndaj një shqetësim që realisht e kam dhe që lidhet me TAP. TAP është një gjë fantastike që i ndodhi rajonit. Por koncepti i sigurisë energjetike duhet të na lejojë që ne të jemi gjithashtu pronarë të pjesshëm të këtij aseti rajonal dhe Shqipëria për fat të keq nuk është ende pjesë e rrjetit të gazit. Çfarë duhet të bëjmë ne që të jemi pjesë e hartës së gazit? Unë mendoj që IAP është një mundësi shumë e mirë që Shqipëria, Mali i Zi, Bosnje – Hercegovina dhe Kroacia të bëhen qendra në rajon, që do të thotë jo vetëm më pak të varur nga gazi rus por gjithashtu një treg i integruar që mund të jetë shumë interesant për secilën nga kompanitë e pranishme sot këtu për investime potenciale. Të mendosh për gazifikimin e Shqipërisë si një projekt i izoluar, nuk funksionon. Të mendosh për Shqipërinë si pjesë e një tregu rajonal gazi në Ballkan jo vetëm që ofron një pikë të mirë ekuilibri mes kostos dhe të ardhurave, por sjell gjithashtu fitim dhe zhvillim ekonomik për vendin dhe rajonin dhe e çon rajonin në nivelin tjetër të konektivitetit dhe infrastrukturës energjetike, të naftës e gazit gjithashtu. Në vitet e fundit kam parë një interes shumë të mirë për tregun shqiptar të naftës dhe gazit. Dua t’i falënderoj kompanitë që janë tashmë prezente në Shqipëri sepse ato kanë kontributin e tyre në promovimin e këtij tregu dhe në përmirësimin e imazhit të vendit. Dhe duke folur për imazhin e vendit, unë e kam konsideruar si reformë strukturore përpjekjen tonë për përmirësimin e imazhit të Shqipërisë dhe kjo tregon sa e rëndësishme është kjo për ne. Përmes teknologjive të reja që përdorni, ju e dini se potenciali i vërtetë i naftës dhe gazit në këtë vend është shumë i lartë. Dhe unë besoj që me punën shumë të mirë që Ministria e Energjisë po bën dhe mbështetjen që e gjithë qeveria po jep, në harkun e dy viteve ne do të ofrojmë për eksplorim përmes konkurrimit apo negociatave direkte tejet transparente, pjesën më të madhe të blloqeve kompanive shumë serioze të cilat në një afat prej 5 vitesh do të na sillnin zbulime potenciale me rëndësi jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin e më gjerë Europën. Si investitorë, dëshiroj të ndaj me ju edhe disa elementë të rëndësishëm. Klima e biznesit është shumë e rëndësishme. Si qeveri kemi punuar shumë në këtë drejtim. Përmirësimi me 40 vende në renditjen e Doing Business është patjetër një zhvillim i rëndësishëm. Jemi duke ndërmarrë disa ndryshime të rëndësishme ligjore dhe lehtësime në procedura që kanë impakt të drejtpërdrejtë në sektorin ku ju operoni. Një nga këto është projektligji për investimet strategjike që fokusohet më së shumti në sigurinë e kontratave, duke i miratuar ato me ligj në Parlament. Është një garanci për investitorin sepse natyrshëm flasim për investime mbi 50 milionë euro që do të sjellin një zhvillim në sektorët strategjikë dhe do të garantojnë punësim.
Sigal