Arben Ahmetaj/ Për një model të ri ekonomik

809
Sigal

Ministri Ahmetaj në ditën e Bashkëpunimit Shqiptar-Gjerman për Zhvillim ishte pjesë e panelit: “Fit for Europe through jobs, skills and innovation”

*Ministër i MZHETS

 Viti i kaluar 2013, shënoi rekord në thithjen e investimeve të huaja direkte, gati 1.27 miliardë dollarë, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, jo të dhënave të ministrisë së Ekonomisë apo të ndonjë ministrie tjetër. Ndërsa në tremujorin e parë të këtij viti investimet e huaja shënonin 226 milionë euro, rreth 300 milionë dollarë dhe bëhet fjalë vetëm për tremujorin e parë. Kjo do të thotë se deri në fund të vitit 2014 ne mund të kemi deri në 1.3 apo 1.4 miliardë dollarë investime të huaja. Pra, me këtë dua të them se disa referenca për gjoja rënie të investimeve nuk është i vërtetë dhe më tepër se kaq është me qëllime jo të mira. Megjithatë, klima e biznesit është një proces dinamik dhe duhet të përmirësohet ditë pas dite. Por le t’i kthehemi sfidave të ekonomisë dhe bashkëpunimi me Gjermaninë. Sfidat e ekonomisë nuk pushojnë kurrë. Aty ku ne jemi sot, momentit kur i referohemi modelit të ri ekonomik, ka të bëjë me dy elementë, me një krizë dhe me një nisje.

Cila është pjesa e krizës?

– Në vite, remitancat kanë rënë në mënyrë drastike. Ish gjeneratori i ekonomisë, ndërtimi, nuk është më. Po të shohim statistikat e vitit 2014 sektorët që janë me më shumë rritje ekonomike janë bujqësia, e cila garanton për rritje ekonomike. Është tregtia që tregon se tregu shqiptar është i hapur. Janë shërbimet që tregojnë se ka filluar modestisht një sofistikim i ekonomisë. Manifaktura tregon se ka modeli i ri ekonomik ka filluar të funksionojë, nga import vetëm në prodhim vendas dhe eksport. Jemi duke folur për një proces akoma të brishtë, jo të konsoliduar. Ekonomia ka rritje, por rritja është e pamjaftueshme, 2 për qind është tani. A mund t’u japësh qytetarëve shqiptarë atë që kërkojnë me 2 për qind rritje ekonomike? Jo, sepse 2 përqindëshi nuk absorbohet në mirëqenie në tryezat e qytetarëve as dhe në vende pune. Dhe qeveria, duke qenë e ndërgjegjshme që nuk i bën dot të gjitha, atëherë fillon dhe forcon sektorët, ata sektorë ku mendohet që mund të ketë një kërcim të zhvillimit ekonomik. Dhe inovacioni nuk është një ekonomi në vetvete, një industri ne vetvete. Inovacioni është një instrument për të krijuar këtë kërcim ekonomik në sektorët që folëm. – Po marr bujqësinë. Ne jemi fokusuar aty dhe bujqësia ka dhënë rritje të konsiderueshme të eksportit dhe paketa për bujqësinë do të krijojë kërcimin ekonomik që po flasim. Ku? Te produktiviteti. Te ekonomia e shkallës. – Marrim manifakturën. Para nëntë muajsh shumë kush ishte skeptik. Çfarë bëmë? Me një grup ndërministror hartuam një paketë për mbështetjen e manifakturës. Në modelin e ri ekonomik lehtësitë fiskale nuk janë. U fokusuam te produktiviteti. Çfarë ndodhi. Vetëm në nëntë muaj kemi 111 milionë dollarë më shumë eksport se e njëjta periudhë e një viti më parë dhe kemi punësim, vetëm në fason, rreth 4300 vende të reja pune. Ka një debat për lehtësitë fiskale. Ju thoni çfarë bën ministria e Ekonomisë ? Ministria e Ekonomisë është një ministri ndihmëse e sektorit të ekonomisë.

Po ju them çfarë jemi duke bërë sot dhe po ju marr një shembull fare të thjeshtë që ta kuptojmë të gjithë se bashku. Nëse ju si ministër keni 100 projekte që janë të domosdoshme, për buxhetin mbështet vetëm pesë, sepse ky është kapaciteti. Atëherë çfarë ndodh me 95 projektet e tjera?

Ka dy alternativa:

E para, ose do t’i lësh të vdesin ose t’i furnizojmë, t’i aktivizojmë me një instrument të ri, i cili është: “public private partnership”. Ministria e Ekonomisë, qeveria, është duke punuar me ligjin e koncesioneve, për ta bërë shumë më fleksibël. E dyta, në bashkëpunim me ministritë, po liston listën e shërbimeve për t’i dhënë me PPP apo me koncesion. Një krahasim me Serbinë. Kanë bërë lehtësitë fiskale. Ama çfarë ndodhi me Serbinë? Jo vetëm që nuk funksionoi, por tani është kthyer në të kundërt, janë ulur pagat dhe po ulen dhe pensionet. Ndërsa, inovacioni në krizë do të thotë stabilitet dhe sfida jonë është që të kemi stabilitet dhe transparencë. Ndajë në këtë ditë të veçantë gjej rastin të falënderoj qeverinë gjermane përzemërsisht dhe GIZ një partner fantastik. Gjermania është vendi i parë si kontributor në zhvillimin e ekonomisë me mbështetje financiare. GIZ ka qenë me ministrinë e Ekonomisë, na vazhdimësi, një partner për zhvillimin ekonomik. Vë në dukje se, në konferencën e Berlinit ne folëm për konektivitetin fizik të Ballkanit, që është një element, pjesë e inovacionit të një ekonomie, e cila nuk mund të rrijë kaq e vogël dhe e fragmentuar qoftë në rajon, qoftë në raport me Bashkimin Europian.