Arben Ahmetaj: Ndërtojmë një axhendë pune të 2016

133
Kemi një eksperiencë njëvjeçare bashkë. Unë shumicën prej jush i kam takuar në panaire ndërkombëtare, ku përveçse keni përfaqësuar kompanitë tuaja, keni përfaqësuar dhe Shqipërinë dhe fakti që sivjet ka një rritje dyshifrore të vizitorëve, kur them sivjet po i referohem 2015-ës, është drejtpërsëdrejti falë kontributit tuaj në numra dhe mbi të gjithë në imazh. Kështu që ju falënderoj dhe ju uroj punë të mbarë dhe në 2016-ën. Takimi ka si qëllim, në radhë të parë, të bëjmë një analizë të shkurtër të asaj çfarë bëmë së bashku dhe së bashku gjithashtu të ndërtojmë një axhendë pune për vitin 2016, në mënyrë që administrata, ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe sidomos Agjencia Kombëtare e Turizmit të përgatitet për t’iu mbështetur në iniciativat tuaja të biznesit, për të rritur sërish numrat dhe cilësinë. Kemi një fakt të ri të rëndësishëm për 2016-ën. Ligji i ri i turizmit është aktiv dhe deri në fund të janarit ministria jonë do të ketë paraqitur në Këshillin e Ministrave të gjithë aktet nënligjore që lehtësojnë punën e ministrisë, por mbi të gjitha, lehtësojnë, standardizojnë dhe qartësojnë punën e industrisë. Që nga standardizimi i punës suaj, deri tek guidat turistike apo edhe certifikimi i hoteleve, sigurisht dhe kapitulli shumë i rëndësishëm i investimeve. Thënë kjo, unë do të dua që ndalem në disa momente të rëndësishme të vitit dhe pastaj sigurisht të ndaj dhe me ju dhe lajme të mira për 2016, por dhe ju të ndani me ne lajmë të mira për 2016-ën, që në informacionin tim kanë filluar të materializohen. Disa fjalë të përgjithshme për zhvillimet ekonomike. Viti 2015 është një vit i mirë nga ana e zhvillimit ekonomik. Megjithëse ju e dini po kaq mirë sa dhe unë, që qoftë rajoni, qoftë partnerët tanë kryesorë janë akoma në momente të vështira ekonomike, megjithatë rritja ekonomike në vitin 2015 mendohet të jetë 2.7 për qind, që është e konsiderueshme në krahasim me çfarë e morëm dhe këto nuk janë shifra politike, nuk ndaj me ju politikë por përkundrazi, ndaj me ju një ambient dhe kohë pune për tu përgatitur në 2016-ën. Viti 2015 njohu rritje të konsiderueshme të numrit të vizitorëve, të turistëve. Raporti i fundit i Bankës së Shqipërisë, i cili për mua është raporti më i besueshëm i shifrave, për 9-mujorin, krahasuar me vitin e kaluar, ka një rritje 12 për qind. 6 mujori i parë, nëse e mbani mend, pati një rritje 17 për qind. Pra, janë shifra, të cilat po konsolidojnë Shqipërinë si një destinacion shumë i rëndësishëm turistik. Midis sfidave të shumta që ne kemi janë dy sfida, të cilat bashkë i ndajmë: e para është cilësia e shërbimit dhe ju e kuptoni po kaq mirë sa unë që pa cilësinë e shërbimit numrat mund të rriten deri diku por pastaj reflektimi mund të jetë negativ, pra e kemi sfidë të drejtpërdrejtë cilësinë e shërbimit në territor dhe sigurisht e dyta është kapaciteti. Në qoftë se shërbimi ka të bëjë drejtpërsëdrejti me përmirësimin e kulturës tonë dhe të kuptuarit që në industrinë e mikpritjes, që ju e dini shumë mirë, modestia është A-ja e punës dhe të shërbyerit me përpikmëri dhe me modesti e me cilësi është themeli i rritjes, për sa i përket investimeve kuptohet që ka të bëjë me një kontekst pak më të përgjithshëm për vendin, ka të bëjë mbi të gjitha me sa tërheqës është vendi për investimet e huaja dhe vendas kuptohet, dhe e dyta është se çfarë incentivash i japim ne. Ligji i ri i turizmit ka incentiva serioze. Unë gjej rastin që të ndaj me ju edhe atë pamundësi që patëm këtë vit për të ulur TVSH-në e turizmit. Me gjithë ato reforma që kemi ndërmarrë dhe atë konsolidim fiskal që jemi duke arritur, besoj që 2017 do të jetë një vit i sigurt për atë që ne kemi premtuar. Fatmirësisht lajmet e mira për turizmin dhe për ekonominë na japin besim që 2016-a do të ketë një kërcim qoftë për cilësi dhe qoftë për numra në bizneset tuaja. Elementi tjetër është që Agjencia e Turizmit dhe Ministria sigurisht është e përgatitur qoftë nga ana e projekteve, qoftë nga ana e mbështetjes buxhetore, mbështetjes nga buxheti me financim, të përballojë një fushatë të hershme, duke filluar që nga shkurti, të përmirësimit të imazhit dhe të promovimit të Shqipërisë. Këtu sigurisht që ndihma juaj është e patjetërsueshme. Pra, do të dua që së bashku të krijojmë një grup pune ku ju, si njerëz me shumë eksperiencë, të na ndihmoni dhe të na mësoni, pse jo, se si ta përmirësojmë imazhin e Shqipërisë dhe ku ta promovojmë imazhin e Shqipërisë, në mënyrë që ato para tatimpaguesish që do të harxhojmë për promovimin e Shqipërisë t’i harxhojmë aty ku duhet dhe që të kemi efektivitet numrash mbrapsht dhe sigurisht të ardhurash kombëtare. E mira e 2015-ës është se patëm një ndryshim për mirë të gjeografisë së turizmit. Në qoftë se para disa vitesh gjeografia ishte nga rajoni, kryesisht nga Maqedonia, Kosova, gjeografia e vizitorëve ka ndryshuar konsiderueshëm. Sezonin që lamë pas gjeografia vjen nga Sllovenia, Sllovakia, Çekia, Polonia, Norvegjia, Suedia, Italia, Austria, Danimarka, Gjermania, Franca gjithashtu dhe, e theksova që në momentin e parë që, ka të bëjë drejtpërsëdrejti edhe me punën e tuaj rigoroze për të promovuar Shqipërinë dhe biznesin tuaj në të gjithë këtë territor. Kemi një sfidë për sa i përket gjeografisë së bashku dhe këtu sigurisht që sugjerimet tuaja janë të domosdoshme, për të hapur turizmin me tregun kinez. Janë numra të konsiderueshme në Europë. Ne kemi bërë një liberalizim sezonal për vizat kineze, sidomos për qytetarët kinezë që kanë viza Shengen që të vijnë pa viza në Shqipëri. Besoj që do të duhet që të strukturohemi në marketing dhe në kontaktet me tur operatorët kinezë në mënyrë që të shohim numër në rritje. Elementi tjetër që unë besoj është shumë i rëndësishëm ka të bëjë dhe me përgatitjen e qeverisë për sa i përket infrastrukturës dhe nuk po i referohem thjesht infrastrukturës rrugore dhe sinjalistikës, por po i referohem edhe infrastrukturës së turizmit detar, konkretisht mikpritjes në porte dhe sidomos përcaktimit këtë vit të tre apo katër porte jahtesh, ashtu modeste siç i kemi, në mënyrë që t’i pajisim me elementët e domosdoshëm të pritjes apo të shërbimeve, siç janë doganat dhe policia, në mënyrë që të mos shkohet nga Himara në Vlorë për të marrë vulën dhe për të afruar shërbime më të domosdoshme si furnizimi me karburant apo riparimet modeste fillestare, më të domosdoshme, në tre-katër porte. Së bashku do të përgatitemi për sezonin turistik dhe grupi i punës brenda ministrisë, por edhe grupi ndërministerial, do të duhet të marrë sugjerimet tuaja për të bërë gjënë e duhur dhe besoj që gjatë janarit grupi i punës do t’ju kontaktojë në mënyrë që ju të na jepni sugjerime praktike, në mënyrë që ne t’i bëjmë gjatë shkurtit dhe gjatë marsit, sepse fatmirësisht në Shqipëri dhe jo vetëm në turizmin detar, ka filluar sezoni të zgjatet dhe lajmet e mira janë që sezoni definitivisht fillon në prill dhe mbaron besoj në fund të tetorit, që është dhe një nga synimet për të zgjatur sezonin. E fundit, Shqipëria ka qenë një destinacion në shumë revista, gazeta dhe site prestigjioze të turizmit në të gjithë botën, që e ka ndihmuar jashtëzakonisht imazhin e vendit. Besoj që këtë vit do të duhet që ta kemi përpjekjen të koordinuar me njëri-tjetrin në mënyrë që të jemi shumë më efektivë dhe të fillojmë të përgatitemi, dhe sidomos ne në shërbimin tuaj, për të gjitha ekspozitat apo panairet ndërkombëtare që tani, që në janar, në mënyrë që strukturat tona të bëjnë gjënë e duhur, qoftë nga ana logjistike, qoftë nga ana e informacionit, në shërbimin tuaj, në kohën e duhur. Agjencinë e Turizmit e kemi në dispozicion në shërbimin tuaj, qoftë për të qenë një platformë, ku ne të bashkohemi për të punuar, por dhe si një institucion në shërbimin tuaj të përditshëm për t’iu ndihmuar në çfarëdo lloj elementi apo gjëje që mendoni se duhet t’iu ndihmojmë.

Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf të datës 23.12.2015