Arben Ahmetaj: Merr fund abuzimi ndaj gjobave!

674
Sigal

“Do të anulohen të gjitha gjobat e vendosura gjatë periudhës paraelektorale”, kështu është shprehur  ditën e djeshme në një konferencë shtypi ministri i Ekonomisë z.Arben Ahmetaj. Ai kërkoi në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, për kalimin e projektligjit, “Për faljen e Dënimeve Administrative në formën e gjobave të vëna në bazë të kontrolleve dhe verifikimeve tatimore të periudhës 1 Mars deri në 31 Gusht, 2013”. Ndër të tjera ai u shpreh se, “me anë të këtij projektligji do të anulohen të gjitha gjobat e vendosura gjatë periudhës në fjalë, pra periudhës para-elektorale dhe elektorale, kur gjobat përdoreshin si ndëshkim për të pabindurit dhe ato të abuzimit masiv në periudhën pas elektorale. Ashtu siç kishim premtuar, ne po e shpëtojmë biznesin nga të gjitha ndëshkimet dhe presionet parazgjedhore, pasi në themel të marrëdhënies së re ne vendosim besimin”.  Sipas z.Ahmetaj, është abuzuar shumë me gjobat, por kjo nuk ka për t’u përsëritur më dhe se ky është një hap tjetër në kthesën e madhe ekonomike të Shqipërisë, të ndryshimit të modelit ekonomik dhe të çlirimit të potencialit ekonomik. “Kemi premtuar se do ta ndryshojmë për mirë klimën e biznesit e do t’i ngremë marrëdhëniet me sipërmarrjen. Sot qeveria e mbajti këtë premtim. Ky vendim është një tjetër hap në drejtimin e duhur, një provë e angazhimit tonë afatgjatë në gjithë përpjekjen për të krijuar një rritje të stabilizuar dhe të qëndrueshme”, ka përfunduar ai.