Andrea Petromilo/ Politikat e munguara për turizmin shqiptar

745
A është një vërtetësi zhvillimi i turizmit në vendin tonë apo mbetet vetëm një nocion, madje një nocion flu? Nëse turizmi shikohet në sferën ekonomike, duhet të pranohet se është një burim i mirë të ardhurash dhe që ndikon ndjeshëm në rritjen e mirëqënies së popullsisë (jo të qeverisë!) së një vendi. Përvoja sot në krejt botën (Greqinë e afërt e deri në Filipine!) është një libër i hapur, që mund të lexohet nga kushdo dhe pasi të “studiohet” mendoj se, pa asnjë lloj vështirësie, krijonë premisa përshatjeje në bazë të kushteve konkrete. (Po të kesh aftësi për njohje, dëshirë e dashuri). Them premisa, pasi ndërvaret nga mendësia, nga intelekti, instikti intelektual të atij që e drejton qoftë ekonominë e qoftë vendin dhe më pas dëshira për ta përshtatur… Domethënë, një mendësi është se “mirë e bukur jam kështu, kur xhepat e mi i kam plot(!), kur nuk më mungojnë mjetet e transpotit modern, tepër të kushtueshme dhe në vilat e mia, që janë të shpërndara aty e këtu, shkoj pa u lodhur, pa mu ngjitur balta në këpucë e kur më teket”. Paçka se të tjerët, jashtë rrobës së tij marrin bukën me listë(!) Mos u nisni nga të varfërit! Po nga kush!?)… Një mijë e një mendësi mund të ketë, kur xhepat e drejtuesve nuk mbushen! Dhe po t’u referohesh statistikave, që kush e di se si dalin e nga dalin në ajër, duket sikur zhvillimi i turizmit në vendin tonë nga viti në vit ka rritje, madje shkojmë drejt përqasjes me shifrat konkuruese të vendeve të zhvilluara në ketë degë. Ndoshta? Kurrë e kurrës në realitet! Përse e them këtë? Sepse egziston një Ministri e Turizmit, një institucion, një dikaster, me një administratë, sigurisht. Por çfarë po bëhet për një hop, që edhe populli ynë, edhe vendi ynë të dali nga kolapsi i skamjes? (Secili sipas mundësisë të ndihmojë). Mendoj se punonjësit, nuk besoj se gaboj, aplikojnë avazin e gjinkallës: Dimrit flenë, (ngrohtë nëpër zyrat –populli paguan energjinë!), kurse beharit këndojnë. Konkretisht, kur kjo periudhë (turistike sezonale!) afron (praktikë nëpër vite!) atëhere kujtohen të lëvizin, (koha e vezës!) 

Turizmi gjithëvjetor

Së pari: Po ta shtrijmë vështrimin jashtë kufijve tanë, turizmi nuk ka sezonalitet (e nuk duhet të ketë!) vendi ynë ka kushte ideale në këtë drejtim! Turizmi gjithëvjetor e bënë të efktshme këtë degë. Ku jemi ne me këtë? Puna, thotë populli, nis qysh në mëngjes. E që ta realizosh këtë duhet të mendosh gjithë ato elementë, që, po t’i bashkangjiten mrekullisë natyrore që ka vendi ynë, krijon atë që turistin e huaj jo ta shikosh si peshkun torollak që bie në rrjetë, por si mund ta kënaqësh më shumë, me kulturën tënde turistike. Vetëm kështu ai nesër do tërheqi pas vetes të tjerë. Përvoja botërore, që ndoshta nuk i ka kushtet tona, e ka vërtetuar këtë. E ku ke vend në botë, që të ketë kaq shumë ditë me diell si Shqipëria? Atëhere vendet nordike a nuk do ta preferonin? Këtu nuk do ta kërkonin rrezen e diellit si gjilpërën në kashtë? Një harmonizim i faktorëve gjeografikë (male, fusha, rrafshnalta, lugina) me një peisazh mahnitës dhe në një distancë kaq të afërt, udhëtime jo shumë të largta e drobitëse, ku e gjen turisti? Dhe jo harxhime marramendëse! Malet e lartë në prani të detit dhe në thellësi të vendit janë mundësi për zhvillimin e turizmit veror e dimëror. Por le të mos analizojmë këta faktorë. Pyesim: Sa është impenjimi e autoriteteve që u është varur këmbora, por që s’po e tundin, ose nga paaftësia, (sigurisht!) dhe nga që u prishet rehatia. (Zogu le të shpërthejë prej guackës nëse i do qejfi). Nëse shikojmë Vlorën sot, (bën përpjekje të mira kryebashkiaku i ri, por nga çorapja e shqepur çfarë do arnojë më parë) e le të vazhdojmë deri në Sarandë, “gjethi” s’po lëviz nga puhiza turistike, që po afron. Turisti nuk vjen vetëm të shikojë se ç’bukuri ka natyra shqiptare, por ç’ka bërë dora e njeriut për ta përsosur këtë? (Shiko bregun Dalmat!) E ku mund të vijë turisti në Vlorë kur rrugët janë copë – copë, kur nuk gjen lagje e vend që të ketë asfaltin të pastër, ku lluca dimrit e pluhuri verës të mbyt? 

Përvoja perëndimore

Ndërsa bota e ka asfaltin pasqyrë deri në skajin më të largët të një fshati, e jo më të një qyteti. Shkoni në malet Tirolej, në Sefeeld, në Alpet e Austrisë, një fshat që dikur ka qënë i humbur, që, veç blektorëve (blektori ekstensive!), nuk ka pas shkelur këmbë njeriu. Por, ama, kush e di prej sa e sa vitesh ata kanë ecur kaq përpara sa, jo vetëm që rruga e asfaltuar u shkon skaj më skaj livadheve, por aty u zhvillua turizmi malor, me psita për ski, po u ngritën hotelet, ku në mjedistet e tyre jashtë sipas traditës vendosen kazanet ku zien vera e turisti, pa asnjë llojë detyrimi monetar po (…..) e kënaqet… (Shteti pranë!) Së dyti: Po për turizmin malor përse s’mendohet? Kush ka shkuar në Mullet të Mirditës e nuk është mahnitur me rrafshnaltën e Mullit apo të Valmorit? Në malet e Prenjasit ku gjënden mjaft pika si objete historike si “shkalla e Skënderbeut”, “Sheshi i Damjanit”, “Shkëmbi i Vajes”, në Gramsh, lart në Lenie me liqenet e mrekullueshme malor…? (Eh, mjerë vendi, që vuan e lukunia ende s’po gjen gjuhën! E pastaj të mendojnë se çfarë do bëhet me Shqipërinë?! Sa objekte historike ka në Vlorë e në Bregun e Detit gjithashtu, që mund të shpaloset historia e këtij populli, që la kockat maleve për liri? Por që të frekuentoj ato turistit duhet t’i dali shpirti. Veç asaj asnjë objekt nuk është mirëmbajtur,nuk është evidentuar, s’është vënë një tabelë… Ka shpella, kala, rrugë më kalldërëm, shtëpi karakteristik, po rruga nuk të çon askund. Psh, në afërsi të malit të Çikës, është një shpellë e madhe, e hershme, që kur turku bëri një ofensivë për të shuar popullin. Gratë, ashtu si në Sulin e trimave, u hodhën me gjithë fëmijtë nga shkëmbi në humnerë. Por, ama, askush nuk ka shkruar apo kujtuar ndonjëherë. Por kush mund ta bëjë këtë? 

Trashëgimia e lashtë

Në anë të detit, tek Palestia e vjetër, qytetin e njëmijë Marive, dikur ka zbarkuar Jul Qesari…Të paktën një turisti a nuk do t’i bëjë përshtypje për ta vizituar? E, pra, një tabelë nuk ka që tregojë faktin historik. Në Borsh është kalaja e Sopotit, ashtu siç ka shumë shpella e vende arkeologjike në Lumin e Vlorës. Për “tryezën e perëndive” në malin e Çikës, për shpellën e të “Ajio Parashqevisë” e të Lonidhës nuk ka njohje, ashtu siç nuk dinë për qytetin e lashtë të Aulonës, për pusin e Kavalonës, për manastirin e Zvërnecit, për sheshin e Jul Qesarit në qafë të Llogorasë, për shtëpinë e njeriut të madh të penës shqiptare Petro Markos në Dhërmi dhe plot të tjera. Njëmijë e një objekte historike e kulturore. Po kush, kush do ta bëjë këtë? Ata që ngrohen zyrave? A kanë hartuar një plan organizativ për periudhën turistike (sezonale e jo sezonale!) për krejt vendin? Mungesë fondesh?! Justifim?! A kanë evidentuar për çdo trevë objektet, që ngjallin interes për turstin? Se çfarë shijesh ka turisti? Që të joshet turisti, meqë shpenzon diçka e jo pak, duhet të ketë dhe një plazh të pastër pa lloj- lloj mbeturinash, me kanaçe pijesh freskuese e deri tek shishet e birës, qelqe të thyera e deri tek copra të panumërta pjesësh plastike, dërrasash, që nga rreckat e deri tek amballazhet e kartonit; kalojnë tragetet dhe derdhin ujrat e pista (tmerr!)… Askund nuk gjen kosha mbeturinash ashtu siç nuk gjen qendra të informatikës, një internet apo një bankë në zona të mundshme për një shërbim sa më të mirë. Sapo nis periudha turistike, nis dhe aksioni i hapjes së njësive tregëtare sezonale. 

Njësitë e vogla akomoduese

A mund të më thoni në se ka një plan studimi mbi vendosjen pikërisht të këtyre njësive të domozdoshme tregtare sezonale? Turisti, qoftë i brendshmi dhe i jashtmi, nuk kërkon të hajë vetëm në restorantet që të përcëllojnë xhepin, por kërkon dhe diçka të shpejtë nga fastfood-et. Por çndodh? Për lejet pritet urdhëri nga lart, mandej vështirësi të pamata për të nxjerrë lejet (premisë korruptive!). Pyesim: Kjo praktikë është e përvitshme, si nuk u ka shkuar ndërmend drejtuesve (që nga ministri e deri tek ai, më i thjeshti në administratë) që të organizojë pika të veçanta për furnizimin me ujë e energji elektrike të këtij biznesi sezonal, dimrit le të jenë të mbyllura, por e kanë lënë në dorë të fatit? Të interesuarit, për një aktivitet tregtar sezonal përse të mos e kenë të zgjidhur përmes një kërkese dhe shtetit t’i derdhin detyrimin përkatës? Por kush ta bëjë këtë? E kujt mund t’i shkojë mendja? Ata dinë vetëm të raportojnë shifra fiktive, që nuk janë gjë tjetër veç mashtrim, pra, e ngopin popullin me lugë të zbrazët ,ndërsa mirëqënia e tij shkon “si zogjtëe e korbit duke u nxirë nga dita në ditë”! Të të mungojë kultura profesionale do të thotë të vegjetosh, por kur mungon dhe dëshira e dashuria për atë punë që bënë dhe të mos kuptosh se kujt i shërben, tregon se ke vdekur! Prandaj zhvllimi i turizmit në vendin tonë mbetet një nocion e jo vetëm, por dhe ky nocion, që, nëse është vegim, tek zyrtarët e ministrisë mbetet të jetë flu, pasi nuk dinë nga ta kapin… 
Sigal