Andrea Petromilo: Kambanat bien për ata që kanë vesh

160
Para pak kohësh në faqet e gazetës “Telegraf” u botua një shkrim me autor Abdyl Hakiun të titulluar “Biznesi i vogël përballë luftës kundër informalitetit”. Mendoj se me fakte e analizë konkrete, autori i shkrimit vinte pikën mbi “I” për gjendjen aktuale ku ndodhet biznesi i vogël familjar, tkurrjen e tij përballë ‘armëve’ që përdor titani shtet, i cili në vend që të kuptojë ndihmesën që ky ‘vocërrak’ i sjell zbutjes së situatës së skamjes në vend, ka ngritur fushatën e rrjepjes deri në zhdukjen e tij apo nëse dikush prej tyre reziston, t’ia zhvoshk krejt lëkurën. 

E themi këtë pasi kush e njeh mirë fizionominë e këtij biznesi ,ia jep menjëherë cilësimin: Ai të kujton një qenie që ka vetëm kocka e lëkurën ndërsa mish ,nga vuajtjet e stërmundimi, s’mund të veri. Pa mohuar dhe vlerën që kanë sjellë shkrimet e tjera mbi këtë problem, botuar nëpër faqet e gazetave që sot qarkullojnë në vend, të medias televizive e radiofonike, etj… tregojnë se prej kohësh “kambanat bien” që dikush duhet t’i dëgjojë (qeveria dhe administrate ndërvartëse!) për t’i marrë në konsideratë e t’i analizojnë me kujdes, por siç duket, tingujt e tyre ose nuk arrijnë të dëgjohen, ose bëjnë efekt të kundërt, “ndez gjakun” e fryn sedrën e sëmurë për të ngritur akoma më tepër “cunamin” e urrejtjes e të hakmarrjes ndaj biznesit të vogël. Elefanti kundër milingonës! (Kujtoni fabulën me personazh këtë kafshë gjigande me milingonën mikroskopike)! Të mos dëgjosh zërin e masës, asaj mase që të votoi e “të fali” karrigen që ta drejtosh mirë, për t’i dhuruar atij qetësinë e mirëqenien, ndërsa ti e lufton e i kundërvihesh, me një fjalë e shkatërron psikologjikisht e ekonomikisht pasi je shteti, i forti, që ke në dorë arrën dhe gurin, do të thotë se ti nuk ke mirënjohje ndaj tij, nuk ke respekt për të dhe nën këtë “setër” fshihet mendësia: Ti popull, për mua je një turmë, je një askush, që unë të shtyp si qenie përçmuese…! 
Skamja e “ulur këmbëkryq”
Nëse nuk është kështu, atëherë cili është konteksti i: Kambanat bien, por ja që askush nuk ka vesh t’i dëgjojë? Ose, nëse dëgjohet, cili është reflektimi dhe përgjigja zyrtare nëpër faqet e shtypit nga administrate përkatëse për shqetësimet që ngrihen? Apo shifrat statistikore dalë prej drafteve “ argumentojnë” për t’i e dëgjuar bota, se ky popull po jeton nën “diellin” e mirëqenies? Skamja e madhe është ulur këmbëkryq në një mase të madhe të popullsisë dhe slogani “burg” , si hienë e frikshme troket në dyert e tyre…Nëse i bie rrotull Vlorës, këtij qyteti me përmasa relativisht të mëdha, me një popullatë, që tashmë e njëzetepesë vite ka zgjeruar shtrirjen e dendësinë, edhe në skutat më të thella të tij,janë hapur dyqane të vogla, gjen pika ambulante ku ndesh tregtar ish mësues, ish ushtarakë, ish…, që me atë biznes të pakët përpiqen të nxjerrin bukën e ditës. E kush do ta bënte këtë nëse shteti do t’i siguronte një vend pune? Ai me siguri do vraponte në atë çka po i falte shteti, çka po i siguronte qeveria e tij, pasi do çlirohej nga ankthi i përditshme se si do t’i vente tregtimi, nuk do dëshironte të bllokohej gjithë ditën brenda asaj kornize, por do kryente tetë orarshin dhe do kthehej në shtëpinë e tij, siç bënte dikur, kur Vlora kishte dhjetëra fabrika e uzina, kur kishte fronte pune në bujqësi e kudo e që ato u “shuan”. 
Kontrollori xhelat
Gjithashtu , nuk do t’i mbetej vështrimi nga dera se mos shfaqej “gogoli”, ai, kontrollori- xhelat, që di vetëm të tregojë fletën e “akt –konstatimit”, që firmos e vulos, pa asnjë alternativë tjetër, gjobën, e cila me ato të ardhura që siguron i duhen, minimalja të ardhurat e tre viteve t’i nxjerri,pa konsumuar asgjë (ushqehu me ajër- po të duash!). Shtet, më siguro punë dhe unë s’i futem këtij telashi!! Ose, më vër një taksë vjetore të logjikshme dhe më lër të ushqej familjen për të cilën ti nuk mban asnjë përgjegjësi! (Pse nuk jep më asistencë sociale siç japin Suedia, Kanadaja, etj, shtete që ti dashke t’i arrish?! (ëndrra në sirtar!) Por ç’ndodh? Qeveria, pa marrë fare në konsideratë dhimbjen e tij, ka ngritur shpatën pasi e ka gjetur prehën, duke prodhuar pashmangshmërisht dhe shtimin e papunësisë e sidomos të brezit të ri, i cili shikon dritën jeshile jashtë kufijve të vendit. Po a u bënë përshtypje qeveritarëve kjo? A kanë ndjenjë kombëtare këta? Apo shikojnë se si të majmen për vete? Britma therëse e popullit dëgjohet dhe ata qeveritarët, ngulin këmbë si dhia,duke mos e kuptuar dhimbjen! E si mund ta kuptoj popullin e vet një ministër, që pasi ka lidhur gravatën në qafë dhe ka veshur kostumin, nuk zbret në bazë e të shikoj se ku jeton e si rron populli i tij? E si mund ta kuptoj ai popullin e tij që me duart me kallo të vjetra e të reja, përpiqet të mbijetojë, kurse atij, qeveritarit, prapanica i ka formuar kallo pasi kalon nga një karrige në tjetrën? E si mund ta kuptoj ai popullin e tij kur i uritur i bie kafshata e bukës në pluhur dhe uria e detyron t’i fryjë për t’ia hequr pluhurin e ta hedhë në gojë? 
Ministrat axhami
Dhe një ministër mbledh komisionin dhe formulon ligje, kur në këtë komision askush nuk e njeh jetën(!), pasi as mosha e as përvoja s’ia ka krijuar mundësinë ta njohë? Gëzohesh kur të drejton gjaku i ri, por ama, të ketë kaluar nga kudhra e jetës, jo nga bankat e shkollës…Dhe formulon ligje! Madje tregojnë me krenari se shfletojnë përvojën e vendeve të tjera të avancuara. Jo, more djalë, shabllonizmi është version i vrasjes,i vdekjes ! Ai , tjetri, europiani apo më tej,që ka krijuar atë ligjshmëri duhet të ketë një specifikë, që të takon ta zbulosh e ta njohësh,pasi i takon vendit e popullit të tij me të tjera kushte e me tjetër ecuri sociale, ekonomike, historike, psikologjike… Gjithashtu ata kanë një përvojë shumëshekullore dhe ne s’mund të krahasohemi kurrë! E mandej ata nuk janë çunakë, që dhëmbët t’i kenë mësuar vetëm me çokollata…Populli ka një shprehje: Nuk ha peshk po s’tu lag prapanica!” Pra, kaq e thjeshtë qenka të marrësh një karrige e të drejtosh? Duke u bërë përzgjedhje të tilla, ngrihen “malet” e gabimeve. Korrupsioni lulëzoi kaq shpejt e kaq furishëm, fortunal i vërtetë. Dhe më e keqja? I specializoi njomëzakët që drejtojnë jo vetëm “ të shqyejnë me dhembë”, por të rrisin dhe thonjtë e të shqyejnë rrobën e mishin e popullit të varfër. Nëse slogani kërcënues për popullin, i cili “gabon” sipas tyre, është burgu, atëherë secili prej qeveritarëve dhe administrata ndërvartëse duhet ta njohë mirë veprimtarinë e vet. 
Skandalet e ministrave
Ministri i financave duhet të urdhërojë veten: Në burg, pasi nën hundën e tij zhduken përditë miliona e miliona euro, një pasuri e tërë e popullit. Ai i drejtësisë po kështu, pasi veç të tjerash, korrupsionit kanceroz, që është pjesa e padukshme e ajsbergut, tek ky lëmë, po t’i hedhim sytë pjesës tjetër do kemi një sërë absurditetesh: Si janë tarifat e shërbimeve noteriale e gjyqësore, kur ekonomia e popullit është mjerane? Vetëm për një prokurë të thjeshtë, që një person kërkon të bëjë e në pamundësi për ta kryer vetë ia ngarkon këtë shërbim një miku të tij, apo një të afërmi të tij, duhet të paguajë noterit 20000 -40000 mijë lekë (të vjetra)… Ku do t’i gjejë ky njeri lekët, kur merr një rrogë minimale apo gëzon një pension qesharak? Ose është i papunë? Atëherë ti, shtet i tregon rrugën e vjedhjes, të mashtrimit apo të rendjes drejt mbjelljes së plantacioneve të kanabisit…(sipas medias tashmë nuk kemi një Lazarat, por një Shqipëri të tërë kultivuese të kësaj bime vdekjeprurëse, por shumë fitimprurëse për disa!) dhe po të vazhdojmë me faktet: Kur një person që kërkon të dali në pension dhe është në procesin e grumbullimit të viteve të vjetërsisë, por që fatkeqësisht dokumentet e ndërmarrjes ku ka punuar janë djegur apo humbur, si pasojë e një administrate jo të rregullt, apo pakujdesisë së shtetit, në vigjiljen e demokracisë, tashmë individin ligjet e detyrojnë të hapi proces gjyqësor, e përveç sorollatjeve të pambarim, i duhet të paguaj një karro me para…kur s’është aspak fajtor. Përse të mos i përballoj shteti, kur ai vet është fajtor? Po kush i dëgjon këto kambana që bien e bien? 

Një mendësi ka: Qeveritarët e administrata e tyre duhet të dënojnë veten pastaj ta drejtojnë tehun e thikës më tej. A nuk e kuptojnë varfërimi ekonomik është premise numër një për largimin e brezit të ri, që sjell më pas plakjen e këtij vend, i cili, po t’i hedhësh një sy studiues historisë së tij, ka faqe të lavdishme, jo vetëm që i përkasin këtij trualli që quhet Shqipëri, por dhe përtej kufijve, madje jo vetëm këtyre përqark, por dhe në shtrirje më të gjerë. E nëse duhet që qeveria të luftoj ta ngrejë sa më lart emrin e këtij vendi, përkundrazi e përdhos,pas e katandisi popullin e vet të emigrojë, të gjej strehë nëpër botë, portreti i tij të marri fizionominë e një lypsari. Pra, vritet shpresa…E kur vritet shpresa do të thotë se dinjiteti ka vdekur. Jo kështu! Kambanat bien për ata që kanë vesh dhe qeveria duhet të rregullojë akustikën e vet.