Andrea Petromilo/ Biznesi i vogël nën shpatën e Demokleut

748
Sigal

Në disa qenie të gjalla, fenomeni i metamorfozës është diçka biologjike që kryhet në disa cikle, derisa ajo plotformohet e të “zgjohet”. Aspak analoge, por diçka që në përafërsi, shqiptarët po provojnë një metamorfozë, aspak në pajtueshmërinë biologjike, por tepër “makabre”, qeveritë ia “zhvatin lëkurën”, por me kaq dhimbje sa arrijnë deri në sfilitje….Pra, nga kjo “zhvatje” ( e identifikojmë me cikël metamorfoze!!), ai nuk ripërtërihet për të arritur plotformësinë, por shkon drejt venitjes së jetës. E them këtë, pasi askush s’kujtohet për fatin e tij, për pasojat që vijnë prej masave të njëpasnjëshme që merren “në emër të tij!” ,“për të mirën e tij!”, që nesër të jetë i shkarkuar nga çdo detyrim dhe të jetojë mbi këmbët e veta, të ketë shpinën drejt… Por si mundet që shpina e kërrusur të drejtohet?! Çdo qenie ka një cikël jetësor, lind , rritet e vdes…Po shqiptari? Mos vallë e detyrojnë të “vdesë” para se të “rritet”?! Dikur, në ato vitet e pasluftës, në një fshat të jugut, ndërsa kriza e bukës kishte arritur kulmin(!), partia mblodhi popullin nën hijen e një rrapi dhe në fjalën e tij, i deleguari u premtoi se së shpejti do vinte vapori me grurë nga shteti “Vëlla i madh”. Bukur, ia kthen një nga fshatarët, por a vjen nesër ky vapor që unë t’u jap fëmijëve bukë? Pas gjashtë muajsh ia pret i deleguari. Dhe fshatari me ironi ia kthen: Kur unë  dhe fëmijët e mi të vdesim, atë bukë jepja rrapit, që po i rrimë nën hije. Dikush qeshi. Sigurisht dhe ndonjë pasojë mund të ketë pasur romuzaxhiu, por ky ishte një fakt: Njeriu duhet të rrojë sot… se e nesërmja mund ta gjejë, siç thotë populli,  “me patkonjtë që shikojnë nga qielli”. Kush i përjetoi vitet nëntëdhjetë, përveç rebelimit për të çarë rrugët e përtejdetit, si i thonë fjalës, ikën shqiptarët nga sytë këmbët për një jetë më të mirë, shumëkush besoi e pati shpresë se e nesërmja do të gdhihej me “diellin e shpresës”. Por ja që s’ndodhi kështu. Erozioni s’la gjë më këmbë. Toka, nëntoka, u zhvatën; ujërat u rebeluan, ajri u ndot. Asfiksi nga të gjitha anët. Pasuria e popullit u pëgër! Institucionet u shqepën si një çorape që s’kishte më vlerë për tu veshur; lëmshi u shpështjell. Askush s’e priste, por skenari ishte përgatitur dhe dihej zhvillimi. Por kishte nga ata që besuan se ky shtet tashmë do kishte një drejtues. Siç i thonë fjalës, familja e madhe “Popull” do kishte babanë , jo rebel, por që do mendonte për të. Një postulatë kishte të qartë: Shteti ashtu siç ka kërkesa ndaj popullit të tij, ashtu ka edhe detyrime ndaj tij. Dhe e kundërta:  Populli ka detyrime ndaj shtetit, ashtu siç ka dhe kërkesat ndaj tij. Pra, midis qeverisë dhe popullit ekziston një marrëdhënie reciproke. Kishte dhe nga ata më shpresëmëdhenjtë që thanë, tashmë që kosheres i humbi “ Mëma” , bleta ka rregull, menjëherë organizohet të bëjë mëmën e re. Por, ama, këtë e bën familja Bletë”. Ata që dolën për të marrë timonin e këtij populli, sigurisht që e njihnin këtë parim, por siç duket, trazirat, tensionimet, problemet e mëdha, që ranë si rrufe në qiell të pastër, ua turbulloi mendimin, dhe s’dinin nga ta kapnin. Por, ama , s’harruan të vetëquheshin politikan, pikërisht  ata që sapo dolën nga shpërgenjtë e shkollimit, dhe me më “veteranët-ustallarë”, që mbartnin “ përvojën”, u radhitën mes tyre… Pyesim: çdo me thënë politikan? Kë politikë do bëjnë? Politikanët fillimisht duhet të drejtojnë ekonominë e vendit. Thasët nuk mbushen me fjalë e as me ajër, sado t’iu frysh thasët janë të birëzuar dhe ata mbeten përsëri bosh. Por ç’them, përvoja për tu vetëquajtur mbret në këtë vend ishte, kështu që dhe  ata që erdhën përse të mosvetëquhen politikan? Ku studiove për politikë ti, i saposhkolluar? Të zgjodhën për të drejtuar popullin drejt një të ardhme më të mirë, pasi, siç pretendonit ju, ( pjellë e atij regjimi!) populli paskësh vuajtur në atë regjim, që të paktën i jepte bukën, i jepte shkollimin, mjekun e kishte kurdoherë në gatishmëri, madje dhe në shtëpi kur ishte nevoja, i siguronte punën dhe e quante parazit nëse nuk shkonte në detyrën që i caktonte, por dhe një shtëpizë ia jepte( nuk ia merrte!). Por ky popull, me demokracinë e ëndërruar(!!) i humbi dhe ato të “paktat”,… çliroi gojën, thotë dikush. Po mirë, le t’i rrojë goja e çliruar kur gjumi i natës nuk e zë prej stresit për të nesërmen; kur fëmijët i ka shpërndarë si zogjtë e korbit në të katër anët e globit, kur vrasjet ndodhin në mes të rrugës natën, ditën; kur mos siguria endet si hienë në çdo skaj. Prapë gjysma e së keqes. Por keq të kuptosh e keq të mos kuptosh. Populli është i zgjuar dhe mendohet shumë. Një miku im më tregoi anekdotën e një fshati që kish nevojë të shkonte në fshatin përkarshi, e për këtë s’kishte rrugë tjetër veçse duhej të kalonte nëpër një tubacion të hollë që lidhte dy skajet e një kanali të thellë. Askush s’e provonte, pasi s’donin të pësonin fatin e njërit që e mori nismën dhe ra në mes të “udhës”. Por doli një budalla dhe tha se e kalonte ai. Dhe fakti ishte se e kaloi. U habitën të gjithë të pranishmit. Si është e mundur. Dhe njeri hidhet e thotë: Epo, ai s’ka mend e s’iu morën. Ja kështu që shqiptarët janë të zgjuar e mendohen se si do ia dalin mbanë. Në vitet e para të (së ashtuquajturës!!) demokracisë,  e më pas saj, u hodh e bëri përpjekje për mbijetesë. Hapi kush mundi e pati fat biznes të madh, por një pjesë e madhe hapi atë që quhet biznes i vogël. Bukur! Një kafshatë për të nesërmen e siguroi, me mund,  por ama, e siguroi. E keqja? E hapi atë biznes  me vend e pa vend. Po si nuk doli kush e t’i thoshte : STOP! Këtë që kërkon të bësh mund ta zhvillosh këtu ose atje! Dhe t’i caktonte vendin, por e la hazat, si në mall belik. Nën hijen e pushtetarëve u bënë të gjitha. Atëherë?! Dhe pikërisht ata që ishin dje në pushtet e u lanë hapësira të shfrenuara, sot janë ata që flasin e ngrijnë zërin më shumë, sikur të mos jenë ata përgjegjës për këtë katrahurë që është prezente. Pyesim: Përse nuk japin ata llogari për gjendjen e krijuar? Përse të mos u merren paratë e tu kthehen njerëzve që po e pësojnë?! Apo thjesht: Zhvatje shqiptarit! I pambrojtur është! Unë, qeveritari, në vend që ta mbroj e të kujdesem për të, e rrjep se kam fuqinë, atë fuqi që ma jep ai me votën e tij, por e zotëroj unë!!Dhe ata, të vetëquajturit politikan, kur popullit i zhvatet lëkura ai pasurohet, ai shton librezat me kursime bankare, me vila, me… Po si i krijoi ato ai? Pyesim çfarë pune bënë ata që u  solli kaq të ardhura? Shqiptarët dinë të përgjigjen: Zhvatje e nëntokës? Pasuria në xhepat e tyre! Populli hiç. Mbitoka? Erozioni e gërreu deri në palcë. Pasuria? Në xhepat e tyre. Populli hiç!. Ujërat, kjo pasuri pa asnjë shpenzim? Zhvatje. Të ardhurat në xhepat e tyre. Populloi,hiç!…. etj., etj. Dhe biznesi i vogël, që kërkon të mbijetojë shqiptari i shkretë, i qëndron mbi kokë “Shpata e Demokleut”. Mos! Dhe i detyruar rripet, metamorfoza e vdekjes. Përse nuk kategorizohet biznesi i vogël për mbijetesë? Sigurisht që ata kalemxhinjtë,(ekonomistë!), që si puna e kërmijve pas vesës në mëngjese, dalin të baresin, ata dolën nga kooperativat e ndërmarrjet “komuniste” dhe u  vetëquajtën politikan që do të thotë ( po të përkthehet!) zhvatës. Kapitalizmi, që ne vendin tonë zhvillohet sipas mënyrës së vet, pa asnjë shembull analog, na mëson se pa taksa, ata, të vetëquajturit, nuk kanë si mbajnë në këmbë shtetin (veten!). Po. Por vendi ynë ka kaq pasuri sa, po të mos zhvatet, mund të mbahet shteti në këmbë të arta. Pastaj bizneset e mesme e të mëdha, le të taksohen, e jo atij që kërkon të nxjerrë bukën e ditës t’i bjeri barra të mbajë shtetin. E nëse mbyllen ato që u hapën për mbijetesë (siç po mbyllen!!), ç’bëhet? Këtu plaga thellohet. Kur shteti nuk u siguron punë, ( detyra!), përse shton papunësinë? ( Kështu kanë ecur shumë shtete që kapërcyen dikur situatat thuajse si tonat, por që ne, pa u menduar, kërkojmë të bëjmë hapat galopante pa mundur të hedhim as hapin pa na u dridhur këmbët!!) Se biznesi i vogël mban familjen, por mban dhe një apo dy të tjerë. Kështu që të gjithë hidhen në rrugë. Nuk themi që ata të mos paguajnë gjë (mirë do të ishte!!), por le të kenë një farë takse që të jetë e përballueshme. Dhe ajo gjendet. Si? Ata lapsexhinj që morën drejtimin, sigurisht që i njohin praktikat. Le të bëjnë sondazhe, apo le të grupohen bizneset e vogla, në bazë të drejtimit që  kanë. Kur është dashamirësia dhe kur qeveria i qan hallin popullit, kur ata njohin se veç kërkesave kanë dhe detyrime, të gjitha rrugët gjenden, por jo me shpatë të Demokleut, pasi “vdekja “ është e pashmangshme. Rilindje do të thotë shpresë, e jo zhgënjim. E që të mos jetë zhgënjim, reformat nisin nga dinozaurët e jo nga hardhucat. Hardhucat rrojnë me një merimangë (dhe ti ua vret dhe këtë!!), kurse dinozaurët përpijnë masive. Një plagë e madhe ishte dhe energjia elektrike. Po pse duhet populli ta paguajë. Ai e harxhoi? Po. Ai e harxhoi, por kush e la. Le të përgjigjen ata. Por shohim që ata çirren më shumë sikur të mos ishin shkaktarët e kësaj gjendjeje. Le të përgjigjen! Le t’i paguajnë ata . Po çuditërisht, çdo ditë që shkon, faqet e tyre kuqojnë nga shëndeti. Oh, ç’ ironi!! Mirë thotë një miku im: Le të mbyllet shkolla e larte e arteve për aktor , pasi “politikanët” ( të vetëquajturit!), janë aktorët më të mëdhenj. Ata luajnë teatrin me absurd që mund të jetë lozur ndonjëherë: Ata janë dhe skenaristë dhe regjisorë dhe aktorë. E pra shkolla e lartë e arteve nuk i nxjerrë  kaq të kompletuar. Zotërinj, duhet të dini se ky popull i njeh të gjitha problemet dhe se kush e drejton, por duhet të dini se ju zgjodhi për ta drejtuar atë si nikoqir dhe jo t’i shërbeni vetëm vetvetes. Politika për politikë është pordha në ujë. Prandaj quajeni veten punëtor dhe shërbëtor për të mirën e popullit. Dikush mund të nënqesh me përçmim! Por thënia e popullit është sofizëm: Dardha e ka bishtin mbrapa! Metamorfoza e popullit nuk është metamorfozë biologjike si e disa  e qenieve, por është dhimbje dhe dhimbja sado t’i shtrëngosh dhëmbët, dikur s’do durohet!