Analiz nga Koço Broka: Pushtetarët, iluzion me shifrat e ekonomisë. Pse rënia e të ardhurave shoqërohet me rritje të shpenzimeve

770
Koço BROKA
Ekonomist 

Kurr matesh me hijen e mëngjesit 
Analiza dhe Fakte / Rritja e të ardhurave buxhetore u shoqërua me shtim dhe të shpenzimeve buxhetore nga 467.6 miliardë lekë në 474.1 miliardë lekë. Pra, ndërsa realizimi i të ardhurave buxhetore bënte tatëpjetë, Akti Normativ Nr 3 i Qeverisë fliste për përpjetë. 
Në dedikim të trajtesave publicistike e artikujve për çështjet sociale të Dashnor Mamaqit, mbresave të stilit të tij, nga i cili mora shtysë, megjithëse nuk e kam takuar asnjëherë. Ishte koha kur Ai, por jo vetëm ai, ndonëse në qytet, gëzohej, se pas shumë kohe po binte shi dhe i bënte mirë grurit që po mbushte kallirin…dhe e ndante atë kënaqësi, madje edhe me familjen e fëmijët e tij. 

Sa herë kryhet ndonjë veprimtari apo detyrë, ato pasohen me matjen e performancës së tyre. Krahas kësaj matjeje, jo më pak rëndësi ka mënyra e kësaj matjeje. Një fjalë e urtë popullore tërheq vëmendjen: “Mos u mat me hijen e mëngjesit!”. Një miku im shkrimtar, V. Saro, duke u ndalur në qëndrimin ndaj kësaj dukurie, do e prezantonte me vargjet e poezisë: “Zhgënjimi” 

Pa hijen e Mëngjesit atje larg
dhe i shpëtoi një si ngazëllim: 
“O Zot, sa madhështor dhe sa me fat!
Ti rrofsh, Mëngjes, o miku, shenjti im!” 
Por shpejt erdhi Mesdita e pafjalë;
atë e thirri kuçkë, e përdalë…” 

1
Këto vargje të kujtohen madje qoftë edhe kur lexon lajme standard, e mjaft simpatik mbi rritjen e eksporteve bujqësore apo rritjen e volumit tregtar në bujqësi si ky më poshtë:-“Rritet volumi tregtar në bujqësi – 145.7 mld lekë në 2017, 8.2% më shumë shumë se viti 2016. Volumi tregtar i sektorit të bujqësisë dhe ushqimit për vitin 2017 është regjistruar në vlerën e rreth 145.7 miliardë lekëve me një rritje prej 8.2 % krahasuar me vitin 2016. TV…ka siguruar të dhënat e Ministrisë së Bujqësisë, ku bëhet me dije se eksportet e prodhimeve bujqësore, blegtorale dhe agro-industriale për vitin 2017 kanë arritur vlerën e 31.4 miliardë lekëve, me një rritje prej 5.2 miliardë lekë krahasuar me vitin 2016. Për vitin 2017 niveli i totalit të eksporteve të Shqipërisë është rritur me 19.9% krahasuar me vitin 2016, ndërsa importet janë rritur me 5.3%, duke krahasuar të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sa i përket importeve, të përkthyera në vlerë monetare, janë regjistruar në 114,2 miliardë lekë në 2017, nga 108.3 miliardë që kanë qenë në 2016-ën.” Kjo për faktin se ky lajm shpesh vihet nën sqetull dhe eklipsohet nën lajmin tjetër të përhapur e më të përmendur vitet e fundit kur bëhet fjalë për bujqësinë dhe ecurinë e saj atë për rritjen e eksporteve:- “Flasim për një sektor, i cili ka 20 % pothuajse të GDP-së së vendit… Masat e aplikuara kohët e fundit në bujqësi, qoftë përmes riorientimit të subvencioneve, qoftë përmes rimbursimit të TVSH-së përmes grumbulluesve kanë dhënë një impakt shumë të madh, që do ta lexoni dhe në raportin e INSTAT-it. Për sektorin e bujqësisë është rritur me 19.9 pra 20% janë rritur eksportet e këtij sektori. Një rritje galopante, një kërcim shumë i madh që nuk vjen në mënyrë të rastësishme, por vjen në mënyrë përmes fokusimit.” Ka kohë që gjatë viteve të dekadës së dytë të këtij shekulli po e dëgjojmë rëndom. Kjo nuk është rastësi. Nëse i kthehesh kujtesës ose i hedh një sy statistikave të tregtisë së jashtme të produkteve agro-ushqimore në vitin 2013 dhe në atë vit ritmi i shtesës së eksportit të këtyre produkteve ishte 17%, një nivel jo i vogël. Si e tillë nga njëra anë kjo dukuri (ngjarja por dhe lajmi) nuk është vetëm dukuri i Qeverisë Rama, por edhe e disa vjet më parë, pas fokusimit të fermerëve në produktet intensive, si perime (sera), fruta, agrume, përmirësimit dhe avancimit në teknologjinë e kultivimit të tyre. Lajmi për ngjarjen mund të jetë dhe është real, por ndërkohë kjo nuk përjashton, por kërkon që të jetë i plotë për gjithë aspektet e ndodhisë. Le ta argumentoj këtë. Ishte një kohë kur lajmet mbizotëroheshin nga njoftime të tilla:- Në Këmishtaj u morën 50 kv për ha grurë. Në sektorin e kooperativës Y u morën 500 kv/ha panxhar…Megjithatë, ende e kam të freskët pyetjen e një pendari, fjalë pak, por të mençur që i drejtohet kryetarit të kooperativës, 41-42 vjet më parë në vitin 1976, kur rendimenti i grurit dhe panxharit kishte kaluar mbi këto nivele: Shoku kryetar, kam një pyetje: A mund të më shpjegosh cilat janë arsyet, përse po ndodh që megjithëse rendimet e kulturave bujqësore kanë bërë vërtet lart me disa vjet më parë, niveli i ditës së punës ka mbetur në vend ose po ulet?! Megjithëse kryetari ishte dhe shquhej për hazër xhevap, pendari, por dhe shumë të tjerë mbetën të pakënaqur nga përgjigjja. Mbetën të pakënaqur si nga niveli bindës i argumenteve të dhënë nga kryetari dhe shtesat e bëra nga sekretari i byrosë së partisë gjatë përgjigjes, por edhe nga ajo që fusnin në xhep pendari dhe kooperativistët e tjerë. Është e tepërt të thuhet se pyetja ishte një apel për të hedhur sytë jo vetëm se sa prodhim për ha merrej nga kjo ose ajo kulturë bujqësore, por dhe për aspektet ekonomike-financiare të rezultateve të punës në bujqësi, pra jo vetëm për rritjen e prodhimit apo qoftë edhe të shtimit të eksportit. Kjo e fundit është jo vetëm e nevojshme dhe e domosdoshme, por jo e mjaftueshme. Për këtë mjafton t’i hidhet një sy, se si e matim performancën e zhvillimit të sektorit agro- ushqimor, ekonomistët, si e matim atë në Evropë, evropianët!? Midis të tjerash lexon : “Prodhimi agro-ushqimor, zinxhiri i vlerave agro-ushqimore në Bashkimin Evropian kontribuon ndjeshëm në ekonominë evropiane. Përveç kësaj, sektori luan një rol të rëndësishëm kulturor dhe shoqëror dhe kontribuon në vitalitetin e komuniteteve rurale, sigurinë ushqimore dhe traditat ushqimore. Sektori kontribuon në 6% të vlerës së shtuar bruto në ekonominë e BE-së: Vlera e shtuar nënkupton vlerën e mallrave dhe shërbimeve të prodhuara minus koston e lëndëve të para dhe inputeve të tjera të përdorura për t’i prodhuar ato. Sektori gjeneron 11% të të gjithë punësimit në BE, ku një pjesë e madhe e këtij punësimi është në shpërndarjen e produkteve të saj. Në vitin 2013 eksporti i sektorit ishte 120 miliardë euro me një bilanc tregtar pozitiv prej gati 19 miliardë euro. Kjo do të thotë se sektori agro-ushqimor i BE-së eksportohet dukshëm më shumë sesa ajo që ka importuar. Edhe pse kjo tingëllon pozitive, konkurrenca e sektorit agro-ushqimor të BE-së ka qenë një çështje shqetësuese për disa vite. Një studim i iniciuar nga Komisioni i BE-së gjeti se aftësia konkurruese e industrisë ushqimore evropiane është më e dobët se ajo e industrisë ushqimore amerikane dhe kanadeze dhe përafërsisht ekuivalente me atë të Australisë. Niveli i konkurrencës në këtë studim është matur nëpërmjet një sërë treguesish që kapin aspekte të ndryshme të rritjes së vlerës së shtuar, eksportit dhe produktivitetit në këtë sektor. Këta indikatorë janë rritja dhe vlerës reale e shtuar e sektorit të prodhimit në industrinë ushqimore. Rritja e indeksit Balassa. Ky indeks pasqyron nivelin e specializimit të eksportit në një kategori të mallrave nga një vend…” Në këto kushte, nxitesh që lajmin mbi volumin tregtar në bujqësi ta lexosh e shohësh jo vetëm në ecurinë e tij të eksportit, por edhe importit, por në gjithë plotësinë e tij duke përfshirë dhe atë të deficitit. Le ta shohim atë edhe në trajtë e tabelave si kanë ecur këta tregues më poshtë. 

Burimi: Ministria e Bujqësisë në vite dhe televizioni SCAN, nga informacioni i marrë prej saj

Nga të dhënat e saj mëson se, se rritja e eksportit të produkteve agro-ushqimore me ritme te larta është një dukuri e viteve të fundit dhe jo vetëm legjislaturës së fundit. Kjo dukuri është shoqëruar jo vetëm me rritjen e volumit tregtar, por dhe rritjen e e importit të tyre, vërtet me ritme më të ulta se sa ato të eksportit, por në përmasa më të mëdha në terma absolute dhe për rrjedhojë dhe të deficitit tregtar. Në këto kushte, edhe pse raporti i importit ndaj eksportit është pakësuar e përmirësuar dukshëm nga 6.7 herë në vitin 2012, në 3,6 herë në vitin 2017, nuk ka vend për ngazëllim. Këtu ka rolin e vet ritmi i rritjes dhe i shtesës të një madhësie numri të vogël krahasuar me ato dhe ndaj një numri më të madh. Kur numrit 2 i shtohen 2 njësi ai bëhet 4, ndërsa kur 22-it i shtohen një 2 ai bëhet 24. Ndërsa me gjithë në kushtin e shtesës së barabartë me dy njësi, raporti midis numrit të dytë ndaj të parit nga 11 (22/2) bie në rastin e parë, bie në rastin e dytë. Këtu nuk bëhet fjalë për pasaktësi shifrash, për mashtrim. Natyrshëm ka vend për sentencën zbukuroj, por nuk gënjej. Gjithsesi raporti i ri krijon e mund të krijojë iluzione, jo vetëm për të tjerët por dhe vetë pushtetarët kur ju bëhen zakon të mburren vetëm për arritjet. Edhe hija e mëngjesit dhe matja me të, është reale, por kur matesh vetëm me të nuk mund të mos krijohen iluzione. Ja pse tani ka ardhur koha që t’i kushtohet vëmendja e duhur vlerës së shtuar të realizuar si për bujqësinë në tërësi, por për fermën në veçanti, duke parë në sy se vitet e fundit, përveç rritjes së çmimit të imputove të bujqësisë për efekt të faktorëve të jashtëm (importit) ka ndodhur dhe rritja e tyre si rezultat i rritjes së rritjes së tatim- taksave, tarifave të tjera nga ana e Qeverisë. Kështu ka ndodhur me çmimin e karburanteve apo energjisë elektrike që përdor fermeri në fermë. Për rrjedhojë mund të kesh rritje të eksportit të produkteve bujqësore, por edhe mungesa në të ardhurat e familjes fermere, apo rritjes së deficitit të sigurimeve shoqërore (sidomos në zonën rurale), kur rritja e eksportit të tyre nuk shoqërohet me pagimin e këtyre të fundit, si ka ndodhur në fakt. Ka ardhur koha që t’i kushtohet rëndësia e duhur rritjes së produktivitetit të fermës dhe rritjes së aftësive reale konkurruese të eksportit të produkteve bujqësore dhe agro-ushqimore, jo vetëm në kushtet e mospagimit të kontributit të sigurimeve shoqërore, por në kushtet e pagimit të tyre nga fermerët. Në kohën e sotme kur janë shtuar paratë në dispozicion për financime me grante (nga Qeveria dhe IPARD) për fermerët dhe agro-përpunimin, merr një rëndësi të veçantë që të mbështeten ata fermerë dhe ata agro-përpunues që kanë ide dhe projekte se investimi i tyre krijon vlerë të shtuar, madje dhe në një ambient konkurrues jo vetëm të brendshëm por edhe të jashtëm, qoftë edhe pa këto grante, si tregon përvoja e fermerëve të Xarës, Kutallisë, apo Divjakës. Por këto të fundit grantet janë jo vetëm të nevojshme por të domosdoshme për të mbështetur përpjekjet për arritjet e standardeve evropiane apo kombëtare,(pa bërë fjalë për subvencionet e fermerëve evropianë) për të përshpejtuar realizimin e ideve dhe përhapjen e praktikave më të mira në krijimin e vlerës së shtuar në fermë dhe jo të konsiderohen thjesht dhuratë e plakut të vitit të ri. Por për t’u mundësuar, për t’u shndërruar në realitet këto ide të fermerëve, për t’i nxitur e promovuar, ata kanë nevojë për mbështetje financiare edhe me grante dhe jo vetëm me kredi. Ka qënë mjaft simpatike joshja e fermerëve me aplikimin me zero dokumente që e kemi dëgjuar rëndom muajt e fundit, duke mos thënë asnjë fjalë se sa u realizua mbështetja e fermave dhe bujqësisë vitin e kaluar, sa për qind të fondit të caktuar shkoi në dobi të tyre nga ajo që ishte caktuar në buxhetin fillestar të vitit 2017, por ajo i përngjet më shumë matjes me hijen e mëngjesit…

2
U ndala në këtë dukuri, jo vetëm për sa më sipër, por edhe se viti 2017, besoj se do të hyjë në historinë ekonomike, për krijimin e vetëdijshëm të iluzioneve për ecurinë e ekonomisë dhe financave të vendit tonë. Për këtë mjafton t’i hedhim një sy realizimit të deficitit buxhetor gjatë muajit Dhjetor në vitet e fundit e sidomos 2016-2017 apo shpërndarjes mujore të të ardhurave buxhetore të planifikuara të vitit 2017 dhe realizimit të tyre. Për vitin 2016 deficitit i buxhetit për muajin Dhjetor rezultoi -35,5 miliard lekë nga -26,7 miliard që rezultoi ai i gjithë vitit. Pra gjatë 11 mujorit Janar-Nëntor buxheti ishte me suficit ndërsa në muajin Dhjetor 2016 u realizua një deficit më i madh se sa i gjithë vitit. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për vitin 2017, ku 2/3 e gjithë deficitit buxhetor të 2017-s, u realizua në muajin Dhjetor. Kjo dukuri së bashku me nivelin shumë të lartë të GDP nominale në fillim të vitit, dhe uljen e madhe të saj në dy muajt e fundit, kanë krijuar iluzionin në pjesën më të madhe të vitit sidomos nëntëmujorin e parë, se po ecet kreshendo në uljen e borxhit publik sidomos atij në raport me PBB.(Kushdo mund të mbajë parasysh se edhe për vitin 2017, PBB nominale fillestare ishte 1596 miliard lekë dhe në Nëntor ra në 1555 miliard lekë ose 41 miliard lekë më pak, për rrjedhojë niveli i borxhit dilte relativisht i ulët.) Ndonëse shpërndarja e buxhetit fillestar për çdo muaj duke u emërtuar plan është një rudiment i sistemit që lamë, ajo(krahasimi me parashikimin me objektivat) është një praktikë e zakonshme e çdo qeverie për të monitoruar veten mbi ecurinë e buxhetit të konsoliduar dhe në vetvete nuk është herezi, por një instrument i dobishëm. Ndërkohë që parashikimi fillestar i të ardhurave buxhetore për vitin 2017 si vit elektoral, ishte dhe mbetet për hir të së vërtetës jo euforik, nuk mund të mos të binte në sy ndarja fillestare mujore e të ardhurave të parashikuar për vitin 2017., i cili ishte një vit elektoral elektoral dhe për rrjedhojë realizmi i tyre. 
Deri në fund të muajit Majit 2017, niveli i të ardhurave buxhetore të parashikuara ishte 165,6 miliardë lekë, nga 164,3 miliardë lekë që ishin realizuar një vit më parë, pra një shtesë vetëm prej 1.2 miliard lekë kur shtesa vjetore gjithsej ndaj vitit paraardhës ishte 29.4 miliardë. Kjo do të thotë se shtesa kryesore e realizimit të të ardhurave buxhetore ishte parashikuar të realizohej pas zgjedhjeve elektorale dhe sidomos tremujorin e fundit të vitit. Kjo do të thotë se me këtë shpërndarje të të ardhurve buxhetore të planifikuara nuk bëhej fjalë më për sentencën, zbukuroj por nuk gënjej, por vetëm për fasadë elektorale. Por si ishte realizimi i të ardhurave buxhetore në prag të zgjedhjeve elektorale? Krahasuar me të njëjtën periudhe të një viti më parë shtesa e të ardhurave buxhetore ishte 12.4 miliardë lekë më tepër, me një ritëm të kënaqshëm shtese prej 7.6%. Ndërsa ndaj atyre të planifikuara e programuara, 11.1 miliardë më tepër ose me një ritëm rritje prej 6.7 % . Kjo duket më qartë në pamjen grafike të tabelës nr 2. Aty nga njëra anë shikon se nga një muaj në tjetrin tejkalimi i të ardhurave të planifikuara buxhetore rritet kreshendo deri në prag të zgjedhjeve të 23 Qershorit. Ndërsa pas këtyre zgjedhjeve fillon rënia po përsëri kreshendo e shtesës së të ardhurave buxhetore të planifikuara, por duke vazhduar në të njëjtën kohë rritja e të ardhurave buxhetore krahasuar me muajt e periudhave paraardhëse të një viti më parë. Por kjo e fundit vazhdoi deri në tremujorin e tretë. Por çfarë ndodhi në tremujorin e katërt 2017? Fillimisht duhet thënë se pavarësisht nga kërkesat e gazetarëve ekonomikë, publikimi i të ardhurave buxhetore dhe buxhetit të konsoliduar fiskal në tërësi, u realizua vetëm dje më 2 Mars 2018, kur sipas kalendarit statistikor të vetë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë publikimi i tyre duhej të bëhej të paktën më 28 Janar 2018. Pavarësisht vonesave të publikimit në fund të fundit ai do të publikohej dhe u publikua. Këtu ndoshta ja vlen të evidentohet se sfazimi i botimit të buxhetit të konsoliduar fakt i Dhjetorit dhe vitit 2017, fillimisht u parapri nga Akti Normativ Nr 3 Për Buxhetin e shtetit, i datës 6 Nëntor 2017. Sipas këtij akti pavarësisht trendit të dukshëm zbritës të realizimit të Të Ardhurave Buxhetore progresive të planifikuara të cilat për periudhën 10 mujore, kishin rënë në nivele negative në – 104 milionë lekë, parashikohen të rriten në fund të vitit në nivelin e 442.9 miliardë lekëve nga 436.4 miliardë lekë që ishte buxheti fillestar, ose 6.5 miliardë lekë më tepër, duke mbajtur të pandryshuar nivelin i deficitit buxhetor, i cili rezulton të jetë respektuar. Kjo rritje e të ardhurave buxhetore u shoqërua me shtim dhe të shpenzimeve buxhetore nga 467.6 miliard lekë në 474.1 miliard lekë Pra ndërsa realizimi i të ardhurave buxhetore bënte tatëpjetë, Akti Normativ Nr 3 i Qeverise fliste për përpjetë. (Kjo nuk mund të mos kujtojë Nastradinin dhe rrëfenjat e tij, por që hedh dritë sa në paaftësinë parashikuese por edhe në atë se matja me hijen e mëngjesit nuk është thjesht rastësi) Për këtë flasin edhe faktet se vonesa e publikimit të Buxhetit të Konsoliduar fiskal dhe sidomos botimi i Statistika Fiskale Mujore, gjatë muajit Shkurt zëvendësohet me shkrime dhe artikuj të tillë si “Shqipëria progres në transparencën e financave publike” “Transparenca e buxhetit në Maqedoni, qytetarët nuk e dinë se ku harxhohen paratë” etj, duke folur në të njëjtën kohë për media të kazanit… Më së fundi dje u botuan të dhënat për buxhetin e konsoliduar 2017. Të ardhurat Buxhetore të vitit 2017 u realizuan 430.4 nga 436.4, që ishin parashikuar ato në fillim ose 6 miliard lekë më pak se sa ato apo krahasuar me 442.9 miliardë sipas Aktit Normativ nr 3 më 6 Nëntor 2016, ose 12.5 miliard lekë më pak. Një situatë e tillë do shoqërohej edhe me rrudhjen e shpenzimeve buxhetore që për vitin 2017, rezultuan 461.4 miliard lekë, nga 474.1 të planifikuara sipas këtij Akti. Në këto kushte të bën përshtypje se niveli i shtesës të të ardhurave buxhetore në tremujorin e katërt të vitit 2017, kundrejt atyre të së njëjtës periudhë të viti paraardhës ishte vetëm 1.8 miliardë lekë ose me një rritëm rritjeje vetëm prej 1.6 % ose më pak se indeksi i çmimeve të konsumit. Ecuria e të ardhurave buxhetore në tremujorin e katërt 2017, është një dritë e kuqe që bën apel për të hedhur dritë mbi shkaqet e kësaj dukurie dhe vazhdimin e saj në të ardhmen. Një gjë mund të thuhet angazhimi për thellimin e luftës kundër informalitetit u shoqëruar ashtu si ne vitin 2015 me rrudhjen e ritmeve të ecjes së tyre. Një situatë e tillë nuk mund të mos shoqërohej dhe u shoqërua me zhgënjime sidomos fermerëve që iu ishte premtuar mbështetja buxhetore mbi bazën e skemave mbështetëse, për vitin e kaluar. Ndërsa vendin e aplikimit për të thithur mbështetjen e rritur financiare për fermerët me zero dokumente, shumë shpejt po e zë skepticizmi. Kjo për faktin se që ditët e para të fillimit të aplikimit të fermerëve u bë e qartë se vetëm 10 për qind e fermerëve kanë NIPT dhe prej tyre jo pak u mungon certifikata e pronësisë. Dhe këtu nuk bëhet fjalë për skemat mbështetëse të IPARD, që nga vetë natyra dhe standardet e tyre janë më strikte. Vendin e euforisë nuk mund të mos e zërë shumë shpejt zhgënjimi, kur matesh me hijen e mëngjesit. Ndërkohë ai po kthehet në një pengesë reale për zhvillimin dhe rritjen reale të të ardhurave buxhetore, dhe të mirëqenies edhe për faktin se kjo matje është e vetëdijshme. 
Sigal