Amantia PATOZI/ Risitë e ligjit për KLSH

1199
Sigal

Legjislacioni i KLSH, i afrohet gjithnjë e më shumë standardeve ndërkombëtare të auditimit INTOSAI dhe institucioneve homologe në vendet e tjera

*KLSH

 Miratimi i Ligjit të ri të KLSH-së nga Kuvendi i Shqipërisë, me 27 nëntor 2014, mund të konsiderohet pa mëdyshje si reforma më e rëndësishme në të gjithë historinë e Kontrollit të Lartë të Shtetit, që nga viti 1992 e këtej, kur ky institucion nisi të funksionojë, pas zhvillimeve demokratike në Shqipëri. Ky ligj shtron rrugën e reformimit dhe modernizimit të plotë të këtij institucioni, në përputhje të plotë me Standardet Ndërkombëtare të Auditimit (INTOSAI). Në këtë mënyrë është përmbushur me sukses projekt-ideja e paraqitur nga Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, z. Bujar Leskaj, në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave të Kuvendit të Shqipërisë me 14 nëntor 2011 si dhe Strategjia e Zhvillimit 2013-2017 të KLSH. Ky ligj, që shënon një arritje të rëndësishme në kornizën ligjore të vendit, përmban amendime të qenësishme në drejtim të forcimit të pavarësisë së këtij institucioni, të drejtave dhe detyrave të tij, statusit të audituesve, si dhe ne marrëdhënien me subjektet e audituara. Me këtë ligj, legjislacioni i Kontrollit të Lartë të Shtetit, i përafrohet gjithnjë e më shumë standardeve ndërkombëtare të auditimit INTOSAI dhe legjislacioneve bashkëkohore të institucioneve homologe në vendet e tjera Europiane dhe më gjerë. Gjatë periudhës së hartimit të këtij projektligji, Kontrolli i Lartë i Shtetit është konsultuar vazhdimisht duke përcjellë dhe reflektuar çdo propozim apo ndryshim të projektligjit, me partnerët e tij ndërkombëtarë DG-Budget dhe SIGMA. Për te thithur ekspertizën me te mire ne vend, përgjatë vitit 2012 KLSH organizoi edhe katër tryeza pune me gazetarët dhe përfaqësuesit e medias; me juristë të shquar, ekspertë të së drejtës dhe profesorë të Fakultetit të Drejtësisë, ekspertë kontabilistë dhe profesorë të Fakultetit Ekonomik, si dhe përfaqësues të ndryshëm të shoqërisë civile, mendimet dhe sugjerimet e të cilëve kanë qenë një ndihmesë e madhe në hartimin e variantit përfundimtar të këtij projektligji. Projektligji i përgatitur nga KLSH, u dorëzua ne Kuvend ne fund te vitit 2012 dhe u ridërgua përsëri ne nëntor 2013. Ky projektligj u diskutua prej me shume se një viti e gjysmë ne Komisionet e Kuvendit te Shqipërisë dhe u miratua me 27 nëntor të këtij viti. Qëllimi kryesor i ligjit te ri është përafrimi sa më i saktë dhe i plotë i dispozitave të tij me standardet ndërkombëtare të auditimit dhe legjislacionet më të përparuara të institucioneve të huaja homologe. Ligji në tërësinë e tij është një transformim i gjithanshëm i ligjit organik të deritanishëm të KLSH-së nr. 8270, datë 23.12.1997, i ndryshuar. Në bazë të standardit ISSAI 1 “Deklarata e Limës”, pavarësia e Institucioneve Supreme të Auditimit mund të arrihet vetëm nëpërmjet garantimit të tre komponentëve të domosdoshëm që janë: pavarësia e institucionale e parashikuar në Nenin 5, pavarësia e anëtarëve dhe zyrtarëve e parashikuar në Nenin 6, dhe pavarësia financiare e parashikuar në Nenin7 të kësaj deklarate. Ligji i ri i KLSH ka dispozita te qarta, në raport me ligjin e mëparshëm, në lidhje me forcimin, garantimin dhe saktësimin e pavarësisë funksionale dhe organizative të KLSH-së. Po ashtu, bazuar në standardin ISSAI 1 “Deklarata e Limës”, Seksioni 4 “Auditimi i ligjshmërisë, i rregullshmërisë dhe i performancës”, përcaktohet që detyra tradicionale e Institucioneve Supreme të Auditimit është të kontrollojnë ligjshmërinë dhe rregullsinë e menaxhimit financiar dhe të kontabilitetit. Gjithashtu në pikën 2 të këtij seksioni parashikohet që veç këtyre llojeve të auditimit ekziston edhe një tjetër lloj auditimi po aq i rëndësishëm dhe që është “Auditimi i performancës”, i cili orientohet drejt shqyrtimit të performancës, efiçencës, efektivitetit dhe ekonomicitetit të administratës publike. Auditimi i performancës mbulon jo vetëm operacione të veçanta financiare, por një gamë të plotë të aktiviteteve të qeverisë, duke përfshirë edhe sistemin organizativ edhe atë administrativ. Ligji i mëparshëm organik i KLSH nuk përmbante në asnjë prej dispozitave të tij parashikimin që KLSH-ja si institucioni më i lartë i auditimit në Republikën e Shqipërisë, mund të ushtrojë në veprimtarinë e tij auditimin e performancës dhe aq më tepër të japë përkufizimin e këtij lloj auditimi. Ligji i ri e përmban ne një dispozitë të veçantë auditimin e performancës, duke e shoqëruar atë me përkufizimin e këtij termi sipas Standardeve Ndërkombëtare të Auditimit. Një tjetër lloj i veçantë auditimi, i cili nuk ishte në ligjin e mëparshëm, është Auditimi i Teknologjisë së Informacionit. Në bazë të standardit ISSAI 1 “Deklarata e Limës”, Seksioni 22 “Auditimi i përpunimit të të dhënave elektronike”, fondet e konsiderueshme të shpenzuara në përpunimin e të dhënave elektronike, kërkojnë gjithashtu një auditim të kujdesshëm. Sipas përcaktimeve të bëra në këtë seksion, auditime të tilla do të bazohen në sistem dhe do të mbulojnë aspekte të tilla si planifikimi i kërkesave; përdorimi ekonomik i pajisjeve të përpunimit të të dhënave; përdorimin e stafit me eksperiencën e përshtatshme, parandalimin e keqpërdorimit dhe dobinë e informacionit të dhënë. Një risi tjetër e ligjit është përcaktimi që Kontrolli i Lartë i Shtetit ka për kompetencë të auditojë edhe përdoruesit e fondeve publike të ofruara nga Bashkimi Europian ose organizata të tjera ndërkombëtare. Me marrjen e statusit vend kandidat për në BE, fondet strukturore te Bashkimit Evropian do te shtohen ndjeshëm dhe për këtë roli auditues i KLSH do të jetë në rritje, sikurse e përcakton edhe ky ligj i ri. Në bazë të standardit ISSAI 10 “Deklarata e Meksikos mbi pavarësinë e SAI-ve”, në Parimin 4 të saj, parashikohet që SAI-t duhet të kenë kompetenca të mjaftueshme për të marrë në kohë dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë, të gjitha dokumentet dhe informacionet e nevojshme për ushtrimin e përgjegjësive të tyre ligjore. Nisur nga standardi i mësipërm, ligji i ri ezauron të gjithë problematikën e deritanishme që KLSH ka pasur në lidhje me hasjen e pengesave apo mosdhënien e informacionit dhe dokumentacionit nga subjektet e audituara prej tij. Një tjetër garanci akoma dhe më e madhe e jep përcaktimi ne ligj që veprimtaritë që përbëjnë sekret shtetëror duhet të auditohen vetëm nga auditues të autorizuar nga Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe të pajisur me certifikatën e sigurisë të lëshuar nga institucioni përkatës. Në tërësi, duhet theksuar se pasja e një ligji tërësisht në përputhje me standardet INTOSAI ka qenë një kërkese e kahershme e Bashkimit Evropian, e cila gjendet në të gjitha Progres Raportet, që nga viti 2009 e deri në vitin 2013, pa praninë e të cilit Kapitulli i 32-te i Marrëveshjes së Asocim-Stabilizimit të Shqipërisë me BE-në, as hapej, as edhe mbyllej. Duke vlerësuar rëndësinë e miratimit të këtij Ligji, Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë është shprehur, “…Delegacioni i BE-së e përgëzon Parlamentin shqiptar për vendimin e djeshëm për miratimin e Ligjit mbi Kontrollin e Lartë të Shtetit. Ai është jo vetëm një hap i madh përpara lidhur me përpjekjet e Shqipërisë për të reformuar auditin e jashtëm të fondeve publike, por gjithashtu i lehtëson rrugën Programit të BE-së për Mbështetjen e Buxhetit për Menaxhimin e Financave Publike…”.  Kuvendi i Shqipërisë me votimin e tij me datën 27 nëntor 2014 sanksionoi pikërisht një ligj të tillë për KLSH, duke shënuar një hap shumë domethënës në rrugën e integrimit europian të vendit.

“SOM” Kontrolli i Lartë i Shtetit ka për kompetencë të auditojë edhe përdoruesit e fondeve publike të ofruara nga Bashkimi Europian ose organizata të tjera ndërkombëtare. Me marrjen e statusit vend kandidat për në BE, fondet strukturore te Bashkimit Evropian do te shtohen ndjeshëm dhe për këtë roli auditues i KLSH do të jetë në rritje, sikurse e përcakton edhe ky ligj i ri.