Alqi NAQELLARI*:Ka dështuar kontrolli i tregut monetar nëpërmjet normave të interesit

812
Sigal

 Banka Qendrore e Shqipërisë nuk e kontrollon dot inflacionin. Pse? Leku shqiptar është i mënjanuar në qarkullim

Duke parë faktorët që ndikojnë në normën e inflacionit, një pjesë të të cilëve i analizuam në shkrimin e datës 15 maj në “Telegraf” me të drejtë shtrojmë pyetjen se cilat janë arsyet kryesore që Banka Qendrore e Shqipërisë nuk e kontrollon dot inflacionin?

E para, në Shqipëri qarkullojnë edhe dy monedha të huaja, euroja dhe dollari, pa kurrfarë kufizimi, njësoj si leku shqiptar. Euro është emri i monedhës së Bashkimit Europian (Zonës së Euros) ndërsa dollarë është emri i monedhës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe disa shteteve të tjera që e përdorin atë. Brenda territorit shqiptar në çdo bankë të nivelit të dytë, mund të çelësh depozita kursimi në lekë, në euro dhe me dollarë, njëkohësisht mund të marrësh kredi në lekë, euro dhe dollarë pa kurrfarë pengese apo kufizimi. Nuk ka asnjë vend tjetër në Europën Perëndimore që të lejojë një veprim të tillë. Në Europë, në zonën e euros kredia jepet ne Euro, në Angli jepet në paund. Nuk të jep kurrkush kredi në Gjermani në dollarë apo në paund përveçse në Euro. Monedhën e huaj mund ta blesh në këmbimore (exchange). Edhe vetë subjektet ekonomike europiane nuk janë të interesuar që të marrin kredi apo të çelin depozita në një monedhë të huaj veç asaj vendase.

Ndokush do thotë, po shumë mirë sepse neve një ditë do futemi në zonën e euros dhe se qarkullimi i tyre ka shumë avantazhe. Përgjigja ime është se: “Qarkullimi i lirë dhe përdorimi i valutës për depozita dhe kredi është një gabim, është një faj i cili duhet ndëshkuar dhe ndrequr pa vonesë”. Pse e them këtë? E them sepse ka ndër të tjera edhe dy pasoja shumë të rënda që janë të lidhura me objektin e analizës sonë se përveç faktorëve të tjerë që i kemi theksuar. “Banka e Shqipërisë nuk e kontrollon dot inflacionin nga mungesa e efektivitetit në tregun monetar”.

Kjo ndodh sepse Banka e Shqipërisë nuk i zbaton dot politikat e saj monetare, pra nuk realizon dot një nga detyrat e saj kryesore që janë të përcaktuara në Kreun 1, Nenin 3 të Ligjit Nr.8269, datë 23.12.1997 “Për Bankën e Shqipërisë” Në mbështetje të nenit 16 të ligjit nr.7491, datë 29.4.1991 “Për dispozitat kryesore kushtetuese” ku ndër të tjera në këtë Nen thuhet:”

1. Objektivi kryesor i Bankës së Shqipërisë është të arrijë dhe të ruajë stabilitetin e çmimeve… 2… 3…

4. Detyrat kryesore të Bankës së Shqipërisë janë si më poshtë:

a)Të hartojë, të miratojë dhe të zbatojë politikën monetare të Republikës së Shqipërisë, në përputhje me objektivin e saj kryesor..

Banka Qendrore

Kështu Banka Qendrore harton, miraton dhe zbaton planin e politikave monetare. Kjo do të thotë se ajo nëpërmjet tri instrumenteve, veprimeve në tregun e hapur, normës së rezervës së detyrueshme dhe normës bazë të interesit (REPO) do shtojë ose do ulë sasinë e parasë në qarkullim në funksion të situatave ekonomike që kalon ekonomia shqiptare. Pra ajo do stimulojë nxjerrjen e lekut në qarkullim ose kthimin e tij në banka. Dhe këtë e bën vetëm për lekun sepse ka pikërisht këto tre instrumente. Më i rëndësishmi prej tyre është “Norma Bazë e Interesit” që e quajmë ndryshe edhe norma e skontimit të letrave me vlerë në marrëveshjet e riblerjes REPO-ve. Duke ulur këtë normë rritet interesi nga Bankat e nivelit të dytë për të blerë sa më shumë por njëkohësisht kjo ulje interesi ndikon në uljen e interesit të depozitave dhe për pasojë në uljen e interesit të kredive. Ulja e interesit të kredive do stimulojë biznesin t’i drejtohet kredive në lekë. Në këtë mënyrë ato do bëhen më atraktive për të dhe do t’i japin shtytje dhe zhvillim ekonomisë. Kështu nëpërmjet uljes së kësaj norme nxitet dalja e parasë jashtë banke, pra rritja e kërkesës agregate. Nëse do kishim vetëm lekun në qarkullim ai do të merrte të plota funksionet e tij që janë: Mjet këmbimi dhe pagese, njësi standard llogarie, rezervë vlerash, njësi standard për pagesat e shtyra. Funksionin e parë si mjet këmbimi dhe pagese nuk e ka të plotë për llogari të mungesës së plotë të njërës prej karakteristikave të tij. Kjo karakteristikë e tij është se Leku duhet të pranohet prej të gjithëve. Në fakt ai nuk pranohet prej të gjithëve sepse një pjesë e mirë e transaksioneve Brenda Territorit të Republikës së Shqipërisë kryhet në euro dhe dollarë, në valutë. Kjo ka sjellë edhe pasojat që kemi thënë dhe që do shtjellojmë më poshtë.

Në Shqipëri sot njësoj si leku, që është monedhë zyrtare e Republikës së Shqipërisë, qarkullojnë euro dhe dollari. Këto dy valuta zënë pjesën më të madhe të kredive në totalin e përgjithshëm të tyre dhe po i afrohen 50% të depozitave. Në fund të vitit 2012 depozitat në valutë zinin 48.76% (453830/930701) të totalit nga 51.24% që zinin depozitat në lekë. Depozitat në valutë kanë tendencë që të rriten. Nëse sot depozitat në lekë zënë 51.24% të totalit të depozitave prej tyre në formë kredie shkojnë 43.2% (206398/476871). Ndërsa nëse 48.76% të totalit të depozitave e zë valuta 74.3% jepen në formë kredie brenda territorit të Shqipërisë. Nëse përfshijmë edhe kreditë apo depozitat jashtë territorit të Shqipërisë këto e kalojnë shifrën 100%.

Leku shqiptar është i mënjanuar në qarkullim

Duke parë raportet e depozitave në lekë dhe në valutë, raportet e dhënies së kredive ndaj depozitave fare qartë shikohet se leku shqiptar është i mënjanuar në qarkullim, është i mënjanuar në efektin e ndikimit të tij në rritjen ekonomike nëpërmjet nxitjes së investimeve të biznesit. Rolin ndikues në rritjen e investimeve të biznesit e ka marrë euroja dhe dollari, pra valutat e huaja, në një kohë që duhej të ndodhte e kundërta. Pikërisht në këtë aspekt roli i Bankës Qendrore të Republikës së Shqipërisë ka rënë fare. Ajo nuk e realizon dot më Detyrën Kryesore të përmendur më lartë në ligjin përkatës.

Depozitat në lekë zënë peshën më të madhe në totalin e depozitave sepse kanë normë interesi shumë më të lartë se euro dhe dollari. Konkretisht në vitin 2012 kemi pasur këtë situatë: Depozita 12 mujore në lekë e kanë pasur normën e interesit 5.38%, në dollarë 3.06% dhe në euro 2.56%. Depozita 24 mujore në lekë e kanë pasur normën e interesit 6.5%, në euro 3.8% dhe dollarë 2.56%. Nga këto të dhëna më stimuluese janë depozitat në lekë sepse kanë norma më të larta interesi. Është pikërisht kjo që ka ndikuar në rritjen e depozitave në lekë.

Sa i përket dhënies së kredive, ashtu siç e përmendëm edhe më lartë predominojnë kreditë në valutë që zënë 62.05% të totalit të kredive, pavarësisht se depozitat e tyre zënë vetëm 48.76% të totalit të depozitave. Normat e kredive sipas afateve dhe valutave kanë qenë: 6 muaj deri në 1 vit në lekë 10.28%, në euro 6.92% dhe në dollarë 6.96%. Nga 1 vit deri në 3 vjet  në lekë 14.35%, në euro 7.41% dhe në dollarë 6.38%. Çfarë tregojnë këto të dhëna? Këto të dhëna tregojnë se subjektet ekonomike janë të interesuar të marrin kredi në euro dhe jo në lekë shqiptare sepse diferenca e tyre është tepër e madhe. Në kredinë nga 1-3 vjet në euro diferenca është 6.94%.  Nëse do t’ju referohemi kredive mbi 5 vjet, që zakonisht janë më të preferueshme për banorët sepse marrin kredi për shtëpi, këto norma kanë ardhur duke e ngushtuar diferencën midis tyre. Konkretisht Kredia mbi 5 vjet në lekë e ka normën e interesit 9.51%, në euro 7.01% dhe në dollarë 5.52. Po përse njerëzit i drejtohen kredisë në euro kur diferenca ndaj lekut është vetëm 2.5% kur dihet se çdo vit leku zhvlerësohet dukshëm? Arsyeja është njëra nga ato që thamë më lartë se pronarët e ndërtesave i shesin ato në euro për metër katrore dhe jo në lekë.

Përse ekzistojnë gjithë këto diferenca midis normave të depozitave dhe të kredive në lekë dhe në valutë?

Arsyeja është teknike. Është pikërisht tek Politikat Monetare që aplikon Banka Qendrore e Republikës së Shqipërisë për llogari të lekut shqiptar, politikave monetare që aplikon Banka Qendrore Europiane për euron dhe Banka Qendrore Amerikane (Fedi) për dollarin.

Banka Qendrore Europiane dhe Fedi në mënyrë të vazhdueshme, duke filluar nga vitit 2009, si viti kur recesioni dha efektet e tij të para aplikuan një politikë ekspansioniste të fuqishme. Fedi e uli Normën Bazë të Interesit deri në 0.5%. Të njëjtën gjë bëri edhe Banka Qendrore Europiane e uli Normën Bazë të Interesit nën 1%.

Banka Qendrore e Republikës së Shqipërisë nuk ndoqi shembullin e këtyre bankave dhe bankave të vendeve të tjera në Europë dhe në botë. Ajo nga viti 2009 dhe deri tani që shkruajmë ka ndjekur këtë kurs: 2009 me 6.25%, 2010 me 5%, në 2011 me 4.75%, në 2012 me 4% dhe sot 3.75%. Shikoni se sa ndryshime të mëdha kemi. Janë pikërisht këto ndryshime që ndikojnë në nivelin e normave të interesit të depozitave dhe në normat e interesit të kredive. Ky është një gabim i pafalshëm i Bankës Qendrore i bërë ndaj lekut shqiptar në një kohë që konkurrentët e tij e kishin vlerësimin e duhur. Kjo stimuloi depozitat në lekë dhe uli kërkesën për kredi në lekë. Roli i lekut në këtë mënyrë u zbeh në lidhje me zhvillimin e biznesit nëpërmjet investimeve me kredi.

Po ku ka shkuar leku që nuk është dhënë në formë kredie?

Sasia e lekëve që nuk është dhënë në formë kredie është thithur prej qeverisë nëpërmjet shitjes së letrave me vlerë, kryesisht të Bonove të Thesarit. Kredi është dhënë më pak se 45% e aktiveve. Pjesa tjetër ka kaluar në blerjen e letrave me vlerë. Këtu në këtë fakt kemi pikërisht “Fenomenin e Rrudhjes së Investimeve Private” ose fenomenin që shpesh e quajmë Crouding Out. Lekët në vend që të shkonin në zhvillimin e biznesit kanë shkuar në mbulimin e shpenzimeve të qeverisë nga mosrealizimi i të ardhurave.

Nëse do të lidhnim dinamikën e normave të interesit të depozitave dhe kredive me dinamikën e Normës Bazë të Interesit do shikojmë se nuk ka asnjë lidhje. Kjo tregon se Banka Qendrore nuk ka asnjë ndikim në qarkullim, e për pasojë edhe në inflacion.

Banka Qendrore ndikon pak në normën e interesit të depozitave  e për pasojë të kredive në lekë, ndërsa nuk ndikon fare në normën e interesave të euros dhe dollarit. Normat e tyre përcaktohen pikërisht prej BQE-së dhe Fedit.

Në këtë mënyrë Banka e Shqipërisë ka kontroll mbi normën e interesit mbi lekun dhe jo mbi valutat. Por duke parë konkurrencën që i bëhet lekut ajo nuk është e aftë të ndikojë në rritjen e prodhimit sepse Bankat e nivelit të dytë kanë strategjinë e tyre të fitimit që varet më së shumti nga Politikat e Bankave Qendrore të përmendura më sipër. Në këtë mënyrë ajo ka humbur fuqinë e saj ndikuese në ekonomi e për pasojë edhe në treguesin që e ka si objektiv kryesor të saj.

Në qoftë se Bankave Tregtare të nivelit të dytë do tu ndalohej të pranonin depozita në valutë dhe të jepnin kredi në valutë dhe ajo të bëhej monopol i Bankës Qendrore atëherë kjo e fundit do të ndikonte në tregun e kredive dhe të depozitave që do të ishte vetëm në lekë. Në këtë rast efektiviteti i politikave të saj do qe shumë më i dukshëm nga sa është sot.

E dyta, se në Shqipëri nuk ka asnjë bankë të nivelit të dytë me kapital plotësisht shtetëror (Këtë pikë do ta analizojmë në një shkrim më vete sepse edhe ky është një shqetësim, që ndikon negativisht në rritjen e ekonomisë).

*Profesor Inordinar, Universiteti Mesdhetar