Albert Thoma*: Vendimet kolegjiale të administratës shtetërore, sipas ligjit duhet të shfaqin profesionalizëm

1060
Sigal

Në rast se vendimet e këtyre organeve janë të paligjshme, atëherë do të ketë pasoja të riparueshme për komunitetin

*Kryeauditues, KLSH

Vendimet e rëndësishme që merren nga organe kolegjiale të administratës shtetërore dhe subjekte të së drejtës publike, të cilat e ushtrojnë veprimtarinë e tyre ekzekutive vendimmarrëse në mënyrë kolegjiale, në bazën e tyre duhet të mbështeten në dispozitat ligjore dhe anëtarët e këtyre organeve duhet të reflektojnë në veprimtarinë e tyre integritet dhe profesionalizëm të lartë. Në shumicën e këtyre organeve përbërja e anëtarëve është e tillë, që ekspozohet lehtësisht karshi tundimit dhe presioneve korruptive si dhe mekanizmave që bëjnë të vështirë ose të pamundur bazueshmërinë ligjore të vendimeve, kryesisht nga këndvështrimi profesional, në ushtrimin e së drejtës së votës.

Krijimi i organeve kolegjiale jo vetëm në rastet, kur përzgjedhja e anëtarëve është e drejtë e subjekteve që, përpara respektimit të kritereve profesionale dhe integritetit të kandidatit, vendosin përkatësinë partiake apo klienteliste, por dhe në organet e zgjedhura përbërja e anëtarëve, në shumicën e rasteve nuk i shpëton përkatësisë partiake por sidomos formimit të tyre në kuptimin që të drejtën e votës ta ushtrojnë me integritet dhe në të mirë të komunitetit. Më e theksuar, kjo është në Këshillat Bashkiak apo Komunal dhe në organet e kontrollit dhe rregullimit të territorit. Nëse vendimet e këtyre organeve janë të paligjshme, ndër pasojat më të rënda janë ato që riparimi i tyre shoqërohet me kosto të lartë për komunitetin ose bëhet i pamundur si p.sh. ato vendime që kanë të bëjnë zhvillimin e territorit. Raste të tilla ka shumë sidomos në vendet bregdetare apo buzë liqeneve ku dhe tendenca për abuzim me pronën publike dhe interesin publik është më e madhe. KLSH në auditimet e ushtruara, sidomos në organet e pushtetit vendor, ka evidentuar këtë problematikë dhe ka rekomanduar masa në vazhdimësi me qëllim që këto fenomene të mos përsëriten, si dhe ka denoncuar në organet e prokurorisë subjekte apo persona përgjegjës. Në shumicën e rasteve mënyra e veprimit është e tillë që, duke shfrytëzuar dobësitë e organeve kolegjiale si ato që u përmendën më sipër, arrijnë që veprimet abuzive dhe korruptive t’i kamuflojnë me vendime të Këshillave Bashkiak apo komunal krahas atyre të KRRT, sidomos në fushën e zhvillimit të territorit. Në këto kushte i atribuojnë veprimeve abuzive dhe korruptive vetinë e vendimeve kolegjiale nga organet që e kanë për kompetencë. Në këto kushte organet e prokurorisë, pavarësisht dëmit dhe pasojave për komunitetin të këtyre vendimeve, nuk mund të procedojnë pasi ato janë kolegjiale sipas ligjit nr. 8480, datë 27.5.1999 “Për funksionimin e organeve kolegjiale të administratës shtetërore dhe enteve publike”. Jo në pak raste nga ana e KLSH është konstatuar se në mënyrë të kundër ligjshme janë marrë vendime të ish-KRRT, të bashkive e komunave si dhe të Këshillave Bashkiak dhe Komunal për ndërtime, krahas të tjerave në territore private apo publike në shkelje të kondicioneve urbanistike dhe në det apo liqen duke marrë territor uji dhe shfrytëzuar për ndërtim. Vulnerabiliteti i këtyre organeve, shkon deri aty dhe i nënshtrohet kaq lehtë presionit korruptiv sa që dhe kushti bazë për një ndërtim që është pronësia mbi truallin, të anashkalohet apo më keq të modifikohet duke i hapur rrugë abuzivizmit me pronën publike dhe interesin publik. Përveç rasteve kur këtij presioni i nënshtrohet dhe Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe bëhet palë duke legjitimuar dhe regjistruar ndërtimin e paligjshëm në kuptimin, që mbështeten në vendime të marra në kundërshtim me dispozitat ligjore, janë evidentuar nga KLSH dhe raste kur ndërtimi nuk është regjistruar pasi vendimi për ndërtim është marrë ne kushtet e pronësisë publike mbi truallin (në të gjitha ndërtimet brenda në det apo liqene nuk ekzistojnë marrëdhënie private pronësie).  Në raste të tilla organet e pushtetit vendor nuk kanë asnjë mekanizëm për administrimin e tyre si aset, pasi nuk mund të regjistrohen as në favor të pushtetit vendor as në favor të subjekteve private që i posedojnë dhe shfrytëzojnë, pavarësisht se në ndonjë rast në mënyrë të kundërligjshme, bashkitë apo komunat lidhin kontrata qiraje më tepër për t’ i mbështetur subjektet që i shfrytëzojnë në mënyrë abuzive, se sa për të krijuar të ardhura për pushtetin vendor. Një përgjegjësi të madhe në këto raste kanë Prefekturat të cilët miratojnë bazueshmërinë ligjore të këtyre vendimeve, (të Këshillave Bashkiak apo Komunal) ose në mungesë të profesionalizmit të tyre ose në kushtet e presionit korruptiv. Prefekturat duhet të japin miratim pas një analize reale ligjore mbi përputhshmërinë dhe të mos i bien shkurt, sa që herë pas here miratojnë vendime të këshillave pjesore gjë që e bën të pamundur zbardhjen e vendimit dhe zbatimin e  tij.

Në këto kushte duke u fshehur nën petkun e vendimeve të organeve kolegjiale dhe në pamundësi për të shkuar në gjykatë, ky fenomen është shtrirë në vite dhe koha, sidomos kur pronësia kalon disa transaksione, e bën të pamundur eliminimin apo zbutjen e pasojave ose e bën atë me kosto të lartë për komunitetin.