Albert Naska: TVSH-ja do të shkatërrojë përfundimisht biznesin e vogël

132
Jakup B. GJOÇA

Albert Naska, kryetar i Shoqatës së Biznesit të Vogël
Nga 2014-ta deri në fund të vitit 2017 janë mbyllur 82.000 biznese të vogla. Taksat më të larta në rajon ndaj biznesit të vogël. Janë 36 plus 1 taksa ndaj biznesit të vogël
Albert Naska, kryetari i Shoqatës së Biznesit të Vogël në intervistën për gazetën “Telegraf” thotë qeveria e vendosi ligjin për TVSH, fshehurazi, pa u konsultuar me biznesin e vogël, se biznesi i vogël nuk është i përgatitur ta zbatojë, duhet kohë 3 vjeçare, dhe se nuk ka asnjë mundësi që të pranojë TVSH, pasi do rritet kostoja e prodhimit, do të konsiderohet biznes i madh, do të rriten për biznesin e vogël edhe taksat e pushtetit vendor. Zoti Naska thotë se deri tani biznesi i vogël paguan 37 taksa qeverisë dhe bashkisë, ndërsa luftohet nga qeveria me ngjyra politike. Zoti Naska pohon se ka 16 institucione shtetërore që ushtrojnë kontrollin ndaj biznesit, që në fakt, ato e terrorizojnë, duke u kërkuar hapur: “Çfarë do më japësh mua, që të të lë rehat”. 

-Zoti Naska, përse e kundërshtoni TVSH?
– Është një barrë e madhe fiskale për ne, që kemi biznes të vogël. Në qoftë se një biznes i vogël, deri sot, që ishte 5 milionë lekë e poshtë, do të paguajë jo më pak se 2 milionë lekë të vjetra në vit, por kjo shumë është fillestare, sepse mund të paguajë edhe 5, edhe, 6, edhe 7 milionë lekë. Këto i ka harxhe takes, me të njëjtën xhiro qarkullimi parash. Pra, me vendosjen e re të TVSH çdo biznes i vogël rëndohet financiarisht me shumën 2 milionë lekë të vjetra. E dyta, që unë, si biznesi vogël, që të mbijetoj me këtë TVSH, që më vihet si taksë e re, detyrohem që të rrit çmimet e mallrave që shes. Mirëpo, ne, si biznes i vogël, e shikojmë të pamundur, që sot, të rritim çmimet e mallrave që shesim, kur Shqipëria është vendi me çmimet më të larta, në krahasim edhe me rrogat që marrim. 

– Çdo të thotë për biznesin e vogël TVSH-ja? 
– Tani edhe biznesi i vogël futet në një stad tjetër, që do të thotë, që tani ne në bashki do të detyrohemi të paguajmë 2 –fishin e taksave, për pastrim, për gjelbërim, për ndriçim, sepse futemi te biznesi i madh, derisa kemi TVSH. 

– Domethënë, ju jeni de fakto biznes i madh, pavarësisht, se keni emërtimin biznes i vogël?
– Ne tani jemi me TVSH sot, unë jam si biznes i madh. Bashkitë ndaj çdo biznesi me TVSH kanë tarifat më të mëdha. 

– A dinë sot, ata që kanë biznes të vogël, si do të mbajnë llogaritë tashmë me TVSH?
– Mund të them, që shumica nuk dinë. As që janë të informuar. Ky ligj u vendos fshehurazi në nëntor 2017 dhe fillon zbatimi që dje, në 1 prill, por që në fakt, për ne, do të ketë pasveprim, që në 1 janar 2018. Do të na rritë edhe koston me kasat, sepse do të na duhet të kemi në kasa edhe TVSH, që do të thotë, se do paguajmë shuma të mëdha, edhe për kasat. 

– A do të rritet kostoja administrative e biznesit të vogël tashmë që do ketë TVSH?
– Po, sepse ne tani detyrimisht, do të duhet të kemi edhe ekonomist kontabël, i cili do të kërkojë shpërblim miliona lekë në vit, për punën e vet, sepse askush nga biznesi i vogël nuk mund të mbyllë kartërat që do na kërkohen nga Tatimet. TVSH ka sistem tjetër kontabël. Bizneset që paguajnë TVSH janë fabrikat e mëdha, kanë edhe ekonomistin kontabël. Ata kanë jurist, kanë ekonomist. Ne, si biznes i vogël tani me TVSH nuk përshtatemi dot as nga ana ligjore, pa punësuar jurist, i cili do shpërblim edhe ky miliona lekë në vit. 

– Çfarë pasoja të tjera negative financiare mund të sjellë TVSH për bizneset e vogla?
– Do të rritë edhe evazionin fiskal, do ulë konkurrencën e biznesit të vogël, në krahasim me bizneset e vendeve fqinjë, meqë do të detyrohemi të kemi çmime më të larta të produkteve që ne do të prodhojmë e shesim, për shkak edhe të TVSH-së. Do të rritë korrupsionin. Nëse një biznes i ri, që hap tani aktivitet, deklaron më pak se 20 milionë lekë xhiro, por në fakt mund të bëjë më shumë, sepse nuk monitorohet xhiroja nga Tatimet, atëherë ky konkurron në mënyrë të padrejtë çdo biznes të vogël. TVSH-ja do rritë selektivitetin e kontrollit ndaj biznesit të vogël. 

– Ç’doni të thoni me selektivitetin e kontrollit ndaj biznesit të vogël?
– Sot Tatimet veprojnë ndaj biznesit të vogël në mënyrë partiake. “Ky biznes i vogël është i partisë tonë, nuk e kontrollojmë”, “ky biznes nuk është i partisë tonë, ta dërmojmë me gjoba”, “ky biznes më ka dhënë lekë, ta lë rehat”, “ky biznes nuk më paguan, ta mbyt me gjoba”. Prandaj, besojmë se TVSH-ja tani do ta rritë mundësinë që bizneset të mundohen të shpëtojnë, duke rritur evazionin fiskal. Mundësia më e madhe është që të ndodhë të luftohet më shumë ai biznes që “nuk është i partisë”. 

– Konkretisht, më zbardh si vepron selektiviteti partiak ndaj biznesit të vogël?
– Për shembull, Tatimet funksionojnë kështu. Nëse ky biznes nuk është i partisë, kontrollohet edhe 4 herë në ditë dhe për çdo ditë, nga të gjitha institucionet hetimore financiare dhe të tjera. Kemi 16 lloj institucionesh kontrolli ndaj bizneseve, të cilat më shumë sillen ndaj biznesit si polici ndëshkuese. Ndërsa një biznes i partisë të tyre, nuk kontrollohet asnjëherë nga askush, nuk i kontrollohet as kuponi tatimor, as xhiroja, as gjobat, as mallrat, as higjiena. Kjo është goditje e shtetit me qëllim biznesit që e cilëson kundërshtar politik. 

– Veprohet kështu edhe sot?
– Unë ju pohoj me përgjegjësi, që zgjerohet më shumë. Kemi shumë fakte, por e dimë, që edhe po t’i denoncojmë në prokurori, nuk kemi shpresë për drejtësi, as atje. Na bëhet presion për vota, sa vijnë zgjedhjet nga pushteti lokal, por edhe nga pushteti qendror. Nga 2014-ta deri në fund të vitit 2017 janë mbyllur 82.000 biznese të vogla. 

– Cilat janë shkaqet që janë mbyllur 82.000 biznese në 3 vitet e fundit?
– Taksat më të larta në rajon ndaj biznesit të vogël. Janë 36 plus 1 taksa ndaj biznesit të vogël. Marrim vitin 2013. Të gjitha shpenzimet prodhuese dhe jo prodhuese vjetore ishin, ta zëmë, 8 milionë lekë të vjetra. Në fund të 2017-s shuma është shumë herë më e madhe nga shpenzimet që kishim në 2013-n. Pushteti lokal ka rritur taksat dhe tarifat ndaj biznesit të vogël nga 2-7 herë. Janë edhe taksat e shumta, 36, jo vetëm në sasi, por edhe në shuma të mëdha taksash që na kërkojnë të paguajmë. Ka taksa të fshehura ndaj biznesit.

– Për shembull?
– Unë, si biznes i vogël paguaj 20.000 lekë të vjetra në vit për peshore-matje. Paguaj 40.000 në vit për të më kontrolluar ujin që vjen deri te dera ime. Kurrkush nuk e di këtë taksë, por unë, si biznes i vogël e paguaj. Dhe shuma e taksave është 37. Marrim çmimin e energjisë elektrike. Në 2013-n për biznesin ka qenë 126 lekë për kilovat. Sot është 182 lekë për kilovat/orë. E dini, që çmimi nga KESH, i energjisë elektrike është 5 lekë për kilovat, ndërsa ne e blejmë me 182 lekë për kilovat. Çmimi i karburantit është rritur shumë, ndërkohë që ka cilësinë më të keqe. Pra, këto shpenzime të mëdha dhe të kota ndikojnë në rritjen e çmimit të shërbimeve dhe prodhimeve të biznesit të vogël. 

– Përse e kundërshtoni TVSH në biznesin e vogël?
– Ka rënë shumë fuqia blerëse në Shqipëri. Deri në fund të 2017-s fuqia blerëse ka rënë 46 %, sepse rriten çmimet e produkteve që shiten, rrogat jo. Ndaj, rënia e fuqisë blerëse ka ndikuar edhe në mbylljen e bizneseve. Korrupsioni i madh, në rritje.