Albana Agolli/ KLSH-ja, gardiane e fondeve publike

794
Sigal

*Drejtore e Departamentit të Auditimit të të Ardhurave të Buxhetit të Shtetit

 Shqipëria është në një moment të veçantë të saj. Janë disa momente në të cilat një vend i vogël, si i yni dhe mundësitë që i afrohen atij, për të konkurruar dhe për të qenë në qendër të vëmendjes, janë gjithmonë sinjifikative. Në momentet që po kalojmë, Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ka një peshë të veçantë dhe sinjifikative, që duhet të jetë në qendër të vëmendjes në lidhje me performancën, që ai duhet të paraqesë në publik.

Roli që luan KLSH-ja në strukturën organizative të një shteti është shumë i rëndësishëm. Mënyra e funksionimit të këtij organi, e bën atë të drejtpërdrejtë në luftën për përmirësimin e qeverisjes, kundër korrupsionit, abuzimeve me fondet publike etj, së bashku me organet e hetimit të një shteti.

“Lumi nuk sjell gjithmonë kërcunj”, është një shprehje e vjetër popullore. Dhe vërtetë duhet të presësh shumë, që të arrish rezultatet e kërkuara. Të duhet shumë përqendrim dhe sforcim për të arritur rezultate efektive në luftën kundër korrupsionit, që shpesh nuk është i lehtë për t’u arritur.

Durimi dhe intoleranca ndaj fenomeneve abuzive janë elementet bazë që mund të çojnë në përmbushjen e misionit të KLSH-së, si gardian i fondeve publike. Në ndihmë të qytetarit dhe miradministrimit të fondeve publike, institucioni ka gjetur se borxhi publik i vendit është jashtë kontrollit  dhe rrezikon të rritet jashtë çdo lloj parashikimi. Ka gjetur se buxheti është rishikuar shumë herë gjatë vitit, duke dëmtuar rëndë disiplinën financiare. Dhe ka rekomanduar me forcë përgatitjen e një Buxheti realist, duke shmangur praktikën e vërejtur vitet e fundit të korrigjimit të Buxhetit në gjysmën e vitit financiar. KLSH-ja ka kërkuar po ashtu me ngulm vendosjen e një tavani kushtetues për borxhin publik, në përqindje të Produktit të Brendshëm Bruto të vendit, me kusht që ai të tejkalohet vetëm në rastet e emergjencave, katastrofave natyrore, dhe krizave ekonomike. Në rastet e tejkalimit të kufirit, KLSH-ja ka rekomanduar që Qeveria të marrë masa për balancimin e Buxhetit. Një buxhet realist, brenda mundësive për ta realizuar dhe kontrolli i borxhit publik janë lëvizjet kryesore për buxhetin e vitit 2014. KLSH-ja ka kërkuar që të vendoset në ligjin “Për Menaxhimin e Buxhetit” një nen që të ardhurat nga privatizimi të përdoren në radhë të parë dhe jo më pak se 50 për qind, për uljen e Borxhit publik. Pra, ky institucion kushtetues jo vetëm rekomandon mënyrat për shëndoshjen e ekonomisë dhe shërbimeve publike, por edhe jep zgjidhjet e mundshme. Për borxhin e Qeverisë ndaj kontraktorëve privatë, KLSH-ja jep zgjidhjen e vendosjes në Ligjin “Për Buxhetin e Shtetit të vitit 2014” të një neni, që në të ardhurat nga privatizimet, nga pjesa e mbetur pas përdorimit të 50 përqind e lartë të fondeve, për të ulur borxhin publik, shumica të shkojë për uljen e detyrimeve për faturat e papaguara, ndaj sipërmarrësve privatë për punët publike të realizuara. Duke synuar heqjen e ngërçit, që ka kapur kreditimin e ekonomisë, KLSH-ja ka sygjeruar t’i kërkohet sistemit bankar, nëpërmjet bankës qendrore, që të mos bllokojë dhënien e kredive për kompanitë, të cilave Shteti u ka borxh. Duke parë akumulimin e një borxhi tatimor mbi gjysmë miliardë euro, institucioni i ruajtjes së parasë publike ka kërkuar me forcë zvogëlimin, deri në arkëtimin e plotë të vlerës së borxhit tatimor dhe doganor. Të gjitha këto kërkesa e rekomandime vijnë në rezonancë të plotë me rekomandimet dhe këshillat e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore për shëndoshjen e financave tona publike. KLSH-ja, njëlloj si këto institucione ndërkombëtare të asistencës teknike, ka kërkuar konsolidimin dhe mirëfunksionimin e strukturave të menaxhimit financiar,  kontrollit dhe auditimit të brendshëm, në përputhje me kërkesat e legjislacionit të miratuar dhe me kërkesat e parashtruara nga BE-ja për vendin tonë, në kuadër të Kontrollit të Brendshëm Financiar të Sektorit Publik.

Në të gjitha analizat dhe llogaritjet profesionale që bëhen në këtë periudhë, Shqipëria ka fatin që nuk është nën presionin e krijimit të gjithçkaje nga fillimi, por ka një eksperiencë të konsoliduar të institucioneve të zhvilluara të auditimit suprem publik, partnerë të KLSH-së, si Zyra Kombëtare e Auditimit Shtetëror (NIK) e Polonisë, Gjykata e Auditimit e Austrisë, Gjykata e Llogarive e Turqisë, etj.. Mund të marrim nga eksperienca ndërkombëtare gjithçka të mirë dhe të mundohemi të eliminojmë problematikën e ndeshur nga koha. Kështu që, si KLSH-ja dhe Shqipëria duhet të shfrytëzojnë shansin që i jepet. Në atë që ka arritur në Shqipëri në këto dy vitet e fundit, KLSH-ja nuk është se ka arritur majat, por ka ditur të ecë përpara mbi standardet profesionale të fushës, standardet INTOSAI. Referuar progres raportit të BE-së për Shqipërinë për vitin 2013, “Kontrolli i Lartë i Shtetit e ka përmirësuar performancën e tij, duke adoptuar një manual të ri për auditimin dhe duke kryer më shumë auditime… KLSH-ja ka dorëzuar në Prokurori 40 kallëzime për hetime penale, (që përfshijnë 125 punonjës), dy herë më shumë se gjatë tre viteve të kaluara së bashku, duke theksuar në veçanti abuzimin me pronën publike nga administratorët publikë të rangut të lartë. Më shumë se dy të tretat e rekomandimeve të Institucionit janë zbatuar nga subjektet e audituara. Amendimet në Kuvend ndaj Ligjit organik te KLSH-ja janë në pritje dhe po ashtu pritet të zbatohet një auditim i qëndrueshëm i performancës“.

 Ky vlerësim nga një raport objektiv dhe tejet kritik, si ai i Progres Raportit të BE-së, vërteton kontributin në rolin parësor të Kontrollit të Lartë të Shtetit, si gardian i mirëfilltë i fondeve tona publike dhe kontribuues në rritjen e përgjegjshmërisë publike dhe të mirëqeverisjes.