Investitorët e huaj: Klima e biznesit e pafavorshme, problem monopolet e korrupsioni

251

Shoqata e Investitorëve të Huaj (FIAA) ka prezantuar rezultatet e vëzhgimit për mjedisin e biznesit 2019, ptë zhvilluar me anëtarët e saj, që janë sipërmarrjet më të rëndësishme në vend, si banka, kompani që veprojnë në fushën e industrisë, naftës, telekomunikacionit, energjisë, konsulencës etj.

Sipërmarrjet vlerësojnë se klima e biznesit në 6 muajt e parë të vitit ishte e pavaforshme. Bizneset janë pyetur të vlerësojnë klimën nga 0 në 100, ku zero është e pafavorshme dhe 100 shumë e favorshme dhe rezultati ishte 39.

Pritshmëritë janë pak më pozitive për pjesën e dytë të vitit, me treguesin që rritet në 45, por gjithsesi mbetet poshtë nivelit 50.

Bizneset janë pyetur  se sa problem janë këto pengesa për aktivitetin e tyre: monopoli & konkurrenca e pandershme; korrupsioni; burokracia e qeverisë dhe ekonomia informale, duke vlerësuar nga zero kur nuk ka pengesë, deri në 100 që është një pengesë e madhe.

Pengesa kryesore e identifikuar nga bizneset është monopoli dhe konkurrenca e pandershme, me 68 pikë, e ndjekur nga korrupsioni me 67, burokracitë e qeverisë me 64 dhe në fund ekonomia informale, me 61.

Bizneset vlerësojnë se përkeqësimin më të madh e ka shënuar klima politike (32 pikë, ku zero tregon përkeqësim domethënës), e ndjekur nga transparenca në procedurat qeveritare (38), rregulli e siguria (41) dhe sistemi dhe procedurat e prokurimit publik (42).

Procedurat që janë vlerësuar që kanë pasur përmirësimin më të madh janë politikat në sistemin bankar (52), aksesi në financë, rregullat e punës, të drejtat e pronësisë intelektuale, furnizimi me energji.

Më mirë në marrëdhëniet me autoritetet shtetërore vlerësohen doganat dhe qeveria qendrore (50 pikë), të ndjekura nga qeverisja lokale, autoritetet tatimore dhe në fund më dobët vlerësohen marrëdhëniet me gjykatat (49)./Monitor