Akil Kraja: Projekti i Teatrit Kombëtar, revolta e Kukësit dhe inceneratorët në kurriz të qytetarëve

1220
PPP-të, ose trarët e padukshëm të Tiranës
Për një ditë, Kukësi u bë Kryeqyteti i Shqipërisë, krye-lajm e krye-referencë e politikës dhe aktualitetit shqiptar. Por nuk ishte varfëria dhe papunësia e skajshme, as eksodi i jashtëzakonshëm i një qyteti i cili po zbrazet dita ditës duke lajmëruar shuarjen e tij të mundshme. Realiteti i dhimbshëm lokal u mbyt nga vizionet e politikave kombëtare: ajo çka tërhoqi vëmendjen është partneriteti publik-privat, kontrata e koncesionit, delegimi modernist i shërbimit publik… PPP-të janë tashmë kudo, dhe në Kukësin e varfër, por dhe në Tiranën e pasur. Dhe kudo, PPP-të po krijojnë të njëjtat pasoja, të njëjtat trauma, të njëjtat konflikte sociale e përçudnim të demokracisë qytetare e të dialogut vendor. Qytetarët dhe realiteti lokal po kapitullojnë tragjikisht përballë presionit ligjor, gjyqësor, policor e financiar të PPP-ve. Kukësi ishte përjashtimi që konfirmoi rregullin, i vetmi rast ku qytetarët u ngritën. Nga ku kthimi i lajmit të revoltës lokale në krye-lajm të një revolte kombëtare. E vërteta është se PPP-të janë kudo, herë janë trarë në autostradë, herë janë projekte faraonike në mes të qytetit, si në Tiranën e drejtuar nga Erion Veliaj.

Parkingu nëntokësor tek Parku Rinia: një PPP dhe një kontratë 35 vjeçare që do t’i sillte dhjetëra miliona euro një kompanie nën sekuestro duke kthyer në një shesh betoni një pjesë të mirë të Parkut Rinia. Një PPP që u braktis falë presionit të madh post-vendimmarrje dhe që shërbeu si mësim për Bashkinë Tiranë në çdo nismë që do të pasonte dy vitet në vijim: dialog nuk duhej të kishte, as para, as pas “ujdisë” publike-private. 

Stadiumi “Qemal Stafa”: populizmi grotesk i një stadiumi të ri me emrin “Arena Kuq e Zi” fsheh shkatërrimin e trashëgimisë arkitekturore të qytetit si dhe një PPP ku kulla-hotel nuk paguan as truallin publik mbi të cilin ndërtohet, as taksat e pronës që sapo u rritën për banorët e thjeshtë, as taksën e ndikimit në infrastrukturë. Sërish dhjetëra miliona euro në lojë…

Projekti i Teatrit të ri Kombëtar: i njëjti skenar si me stadiumin “Qemal Stafa”, i njëjti koncept dhe të njëjtit zbatues. Shkatërrojmë trashëgiminë e qytetit për një PPP ku kullat e reja marrin në këmbim truall publik pa ofruar asnjë shërbim publik të qenësishëm që Bashkia nuk mund ta përballonte me buxhetin e saj. 

Ndërtimi i shkollave të reja: një projekt PPP kompleks, por me të njëjtin përfundim. Mblidhen mbi 60 milionë dollarë nga qytetarët në formën e një takse të përkohshme arsimi, për një investim privat që shkon pak më shumë se 30 milionë. Veliaj na thotë që bëmë një “ujdi” publike-private të mirë… 

Zyrat e reja të Bashkisë Tiranë: një projekt që merr trajtat e një PPP-je jo shumë të njohur nga publiku. Bëhet fjalë për një kullë e cila do të ndërtohet nga një aksioner privat, dhe ku Bashkia do të ketë në një të ardhme jo të largët zyrat e saj, pa pagesë, në këmbim të përjashtimit të investimit privat nga tatim fitimi, taksat vendore etj.

Inçeneratori i Tiranës: ky është PPP-ja më skandaloz, më tragjik, më i tmerrshëm ku “ujdia” private-publike bëhet në kurriz të shëndetit të qytetarëve. Një projekt ku aseti i vërtetë që negociohet është ajri që thithin banorët e Tiranës. Të tjerat, janë skema mbase mafioze të marra nga filmi “La piovra” siç do të mund ta lexoni më poshtë…

Në të gjitha këto projekte, ashtu si në Kukës, mungesa e transparencës është në nivele alarmante. Qytetarët, përfaqësuesit e shoqërisë civile, Këshilltarët Bashkiakë, askush nuk ka dijeni të plotë për termat financiare, kontraktuale e teknike të kontratave të firmosura, nga Rama apo Veliaj qoftë ai. Mungesa e dialogut dhe e konsultimeve është pasoja direkte e kësaj jo-transparence. Për çfarë mund të konsultohesh kur gjithçka bëhet post-vendimarrje? Çfarë mendimi kërkohet kur projekti ka filluar zbatimin? Ku është demokracia vendore? Ku është sovrani? Ku është respektimi i parimit kushtetues të subsidiaritetit – çdo vendimmarrje duhet të jetë sa më afër grupeve të interesit dhe të qytetarëve. Dhe është pikërisht këtu burimi i konfliktit qytetar dhe i dyshimit legjitim që pason pothuajse të gjithë këto projekte PPP-shë. Në Kukës është guri i të papunit ndaj traut që s’hapet, në Tiranë është klithma e Robert Ndrenikës ndaj bashkiakut që s’pyet. Por është dhe përballja e Fatos Lubonjës ndaj “bodyguardit” që mbron “dyert e mbyllura të konsultimit publik” për ndërtimin e Arenës Kuq e Zi. E mbani mend? Së fundmi, prishja e kontratës sociale me qytetarin sovran, nuk duhet limituar vetëm në konceptin e keq-qeverisjes vendore. Këtu kemi të bëjmë me denatyrimin e regjimit demokratik dhe instalimin e një regjimi autoritar, shtypës, abuzues, pothuajse diktatorial në rrafshin lokal. A mund të ketë një provë më domethënëse sesa shtet-rrethimi policor që ju bë qytetit të Kukësit dhe Gjykatës së Tiranës? Që një demokraci të jetë funksionale, nuk do të thotë që të ketë zgjedhje çdo katër vite. Që një qytet të jetë i qytetarëve, nuk do të thotë që Këshilli Bashkiak të mblidhet 1 herë në muaj. Marrja në konsideratë e realiteteve lokale nuk është një “praktikë e mirë”, është një detyrim kushtetues i patjetërsueshëm, është e vetmja garanci që pushteti t’i shërbejë realisht interesit publik e jo atij partiak, klientelist, kriminal apo financiar…

PPP-të, ose trarët e padukshëm të Tiranës, janë njësoj si ato të Kukësit. Po me një ndryshim të madh. Propaganda “hoxhiste” e Veliajt me lopatë në dorë duke mbjellur pemë, me fëmijë në krah duke folur për etikën e moralin në shkollë, me “star-arkitektë” në sfond dhe qytetarë në publik duke folur për planin vendor… i gjithë aksioni i komunikimit të Veliajt është kaq i madh, saqë arrin të mbysë çdo lajm real nga e përditshmja e kryeqytetit tonë. Ndaj lajmi i revoltës lokale në Kukës, u kthye në krye-lajm të një revolte kombëtare. Kukësi i dha një mësim të mirë Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë. Nëse nuk reagojmë sot, nesër do të jetë shumë vonë…


Sigal